in

Inaugurohet tuneli i rrugës së re Elbasan Tiranë

Punimet për hapjen e tij zgjatën vetëm 13 muaj. Berisha: “Tuneli në Veçanti dhe e gjithë rruga Tiranë-Elbasan, segmenti më i rëndësishëm i Korridorit 8-të dhe segmenti kryesor i Korridorit të Jugut”

Tiranë 10 qershor 2012 – Vetëm 13 muaj pas ditës kur në kilometrin e 29 të rrugës Tiranë-Elbasan, nisi puna për ndërtimin e tunelit të Kërrabës, pjesë e Autostradës që lidh Tiranën me Elbasanin, shikohet dritë në të dy skajet e tij.

Ndërtimi i tunelit të Kërrabës, në autostradën Tiranë-Elbasan, që u inaugurua të shtunën, nisi më 29 prill të vitit 2011. Autostrada Tiranë-Elbasan përbën, pas Rrugës së Kombit, veprën e dytë më të madhe publike që ndërtohet në historinë e kombit shqiptar.

Autostrada e re bashkon Elbasanin me Tiranën, i shndërron ato në një treg unik, ndër më të rëndësishmit në rajon. Më 1 maj të vitit rë ardhshëm, shqiptarët do të kenë mundësi që ta përshkojnë segmentin që lidh kryeqytetin me Elbasanin, vetëm në 31 kilometër rrugë, duke shkurtuar kohën me 50 minuta për udhëtarët, dhe kjo do  të jetë jo vetëm në favor të qytetarëve të Elbasanit, por edhe të qytetarëve të Sarandës e Konispolit, Delvinës e Gjirokastrës, Tepelenës e Përmetit, Skraparit e Beratit, Gramshit, Kolonjës, Korçës, Pogradecit e Librazhdit, duke qenë ajo segmenti i parë e më i rëndësishmi i Boshtit të Jugut. 

Rruga do të ketë katër korsi, e pajisur ndër të tjera me një numër të madh viaduktesh, 21 të tilla, 7 mbikalime dhe 4 nënkalime, me një numër të konsiderueshëm urash, disa prej tyre më të gjata se 400 metra. 

Investimi më i rëndësishëm i saj është tuneli, me një gjatësi prej rreth 2,4 km, i ngjashëm me tunelin e Bolzanos në Itali.     

Shpejtësia e udhëtimit do të shkojë nga 100 në 120 km në orë. Por bashkë me këtë segment, qeveria ka në plan të mbyllë brenda 4 vitesh gjithë Boshtin rrugor të Jugut. 

Vlera totale e investimit të segmentit prej rreth 290 milionë dollarësh u sigurua përmes IDB-së, duke kontraktuar dhe donatorë të tjera si Fondi i Abu Dhabi-t, në shumën 50 milionë USD; Fondi Saudit pr Zhvillim, 25 milionë USD; Fondi OPEC, në shumën 24 milionë USD; si dhe kontributi i Qeverisë Shqiptare, i cili do të mbulojë pjesën e mbetur të kostos së projektit.

“Tirana dhe Elbasani bashkohen sot nën dritën e këtij tuneli përjetë me njëri-tjetrin”, u shpreh sot Kryeministri Sali Berisha, në ceremoninë e inaugurimit të hapjes përfundimtare dhe bashkimit të dy anëve të tunelit të Qafë Kërrabës, një segment i rëndësishëm i autostradës Tiranë-Elbasan. 

Në një atmosferë festive, Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, deputetë të Tiranës dhe Elbasanit, drejtues të pushtetit lokal, përfaqësues të kompanisë “AKTOR.SA” si dhe qindra qytetarë elbasanas dhe banorë të zonave përreth, asistuan në shfaqjen e dritës në anën tjetër të tunelit, 6 muaj para afatit të parashikuar dhe nisjen e një faze të re ndërtimi, në vazhdimin e autostradës Tiranë-Elbasan.

Berisha e cilësoi tunelin e Qafë Kërrabës si një nga segmentet më nevralgjike të gjithë infrastrukturës së vendit tonë. “Tuneli dhe rruga Tiranë-Elbasan janë segmenti më i rëndësishëm i Korridorit 8-të dhe segmenti kryesor i Korridorit të Jugut. Kjo autostradë shkurton ndjeshëm distancën e lidhjes së Tiranës me të gjitha qytetet e tjera në juglindje të vendit”, tha Berisha. 

“Tuneli dhe rruga kanë një fond prej një çerek milardë dollarë, investim ky i qeverisë shqiptare, me mbështetjen e Bankës Islamike për Zhvillim. Mirënjohje të thellë Presidentit të Bankës, Mohamed Ali, i cili me një akt të madh miqësie garantoi një mbështetje të tillë. Kjo është vepra e dytë më madhore. Zotohem para jush se gjysmën e parë të vitit 2013 Tirana dhe Elbasani do të bashkohen përjetësisht me njëra-tjetrën”, deklaroi Berisha. Në vijim të fjalës së tij Kryeministri e cilësoi këtë vepër “si dhuratën më të bukur për 100 vjetorin e Pavarësisë”. 

Si një akt nderimi për çdo qytetar shqiptar, Kryeministri lexoi mesazhin e një zonje, sesi e ndjeu ajo gëzimin e kësaj dite. “Legjendat për njerëzit që përshkojnë malet po bëhen realitet i zakonshëm. Ditë emocionuese. Kam edhe vajzën inxhiniere tek tuneli”, shkruhej në mesazh, ku paraqitej kënaqësia dhe gëzimi që qytetarët ndajnë për këtë ditë. Kryeministri gjithashtu falenderoi të gjithë ata që, me përkushtimin e tyre, bënë të mundur këtë autostradë jetike për zhvillimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. 
 

Eliza Dushku sjell nje dokumentar për Shqipërinë

Shqipëria në Kinemanë e saj dhe Parullat mbi male