Një Vend që ndryshon në syrin e regjisorëve të tij
Nga Alessandro Leogrande
Kinemaja mund të jetë pasqyrë e një vendi dhe e transformimeve të tij, pasqyrë e gjuhës, ëndrrave, anktheve, traditave, shumë më tepër se artet e tjera. Festivali i sapo mbyllur në Romë, “Shqipëria në kinemanë e saj” spikati si një dritare e rëndësishme për të kuptuar – përmes evolucionit të kinematografisë që pasoi rënien e komunizmit – ndryshimet e mëdha të vendit të shqiponjave. Të atij që për ne italianët është “vendi përballë”, siç thotë titulli i filmit të bukur të Roland Sejkos, kurator i festivalit të organizuar nga shoqata Occhio Blu-Anna Cenerini Bova pranë Casa del Cinema. Ajo çka del në dritë nga filmat e paraqitur (gjithsej tetë, të pashfaqur asnjëherë në kinematë italiane edhe pse kishin kaluar në festivale të rëndësishme) nuk është vetëm një vend në transformim. Është edhe, e mbi të gjitha, një vështrim mbi veten në transformim. Regjisorët shqiptarë, veçanërisht më të rinjtë, ata që ishin njëzet-tridhjetë vjeçarë në çastin e rënies së diktaturës – edhe pse me dallime të dukshme – duket se bashkohen nga një frymë e përbashkët.
Refuzojnë diktatet e rëndomta dhe banale të realizmit socialist, por në të njëjtën kohë përpunojnë një marrëdhënie të re me realitetin. Ofrojnë një rrëfim të ri të realitetit: pa absurditete ideologjike, pa ëmbëlsime, pa klishe të hapura. Kinematografia bëhet kështu një mjet themelor përmes të cilës të hulumtohen jo vetëm vrazhdat dhe çarjet e të tashmes por edhe e shkuara totalitare, dhuna, frika, shtypja, paditjet, internimet heshtjet. Ekziston një “përpara” e një “pas” rënies së regjimit dhe migrimeve të mëdha të viteve Nëntëdhjetë. E kjo “përpara” e kjo “pas” është ajo që hulumtojnë regjisorët shqiptarë të afirmuar në kapërcyell të dy shekujve.
Ndër filmat e kohës “përpara”, nuk mund të mos përmenden Parullat i Gjergj Xhuvanit dhe Kolonel Bunker i Kujtim Çashkut. Parrullat është filmi i parë shqiptar i seleksionuar në Kanë. Në shkollën fillore të një fshati malor të Shqipërisë së viteve Shtatëdhjetë, puna e vetme e mësuesve dhe e nxënësve të tyre është ajo e ndërtimit – nën udhëheqjen e sekretarit të organizatës bazë të partisë – të parullave të gurta. Në shpatet e maleve dhe të kodrave, grupe fëmijësh detyrohen të formojnë germë pas germe, duke vënë së bashku gurët e duke i lyer me të bardhë, parulla si: “Imperializmi amerikan është tigër prej letre”, “Rroftë diktatura e proletariatit”, himne për vigjilencën revolucionare e gjëra të tjera të këtij lloji.
Në fillim të viteve Nëntëdhjetë, kur nga Brindisi arrihej në Vlorë me traget, akoma mund të shihje mbi shpatine malit përballë portit emrin e diktatorit Enver Hoxha të shkruar në gurë me germa gjigante. I gjithë vendi ishte mbuluar me të shkruara të këtij lloji. Rreth parullave organizohet jeta e një fshati të vogël që duket jashtë kohës dhe i zhytur në skamje. E megjithatë mbi gjithçka rëndon hija e totalitarizmit: morali i dyfishtë i burokratëve të vegjël të partisë, frika e denoncimeve, burgu për hiçmosgjë, mizogjinia e ashpër, moralizmi policesk që ushqen një ndërtesë diktatoriale me themele argjile.
Ndërsa Kolonel Bunker tregon historinë e ushtarakut të ushtrisë të ngarkuar nga Hoxha të drejtojë projektin e bunkerizimit të vendit. Edhe pse Shqipëria vuante urinë, iu ushqye frika e një pushtimi nga jashtë dhe kësaj frike iu përgjigj me ndërtimin jo të shtëpive, kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza, por me ngritjen e 800 mijë bunkerëve prej betoni në të katër anët e vendit. 800 mijë bunkerë për një popullsi prej vetëm 3 milionë banorësh! Kjo çmenduri paranoje autentike, vetë-shkatërrimtare, të cilës është vështirë t’i gjesh një thërrmijë racionaliteti, në fund shkatërron edhe personalisht “kolonel bunkerin”, ekzekutorin besnik të diktateve të regjimit që përfundon edhe vetë në internim.
Kjo kohë “përpara”, e rrëzuar 20 vjet më parë, në të vërtetë vepron akoma nën rrogoz: totalitarizmi, me të cilin këta regjisorë tallen me ironi të hidhur, mbetet një plagë e infektuar nga cila mund të shpëtohet vetëm pas shumë e shumë kohësh. Mes filmave mbi tranzicionin kaotik duhen përmendur Tirana viti zero i Fatmir Koçit mbi një çift të ri të dyzuar mes dëshirës për të emigruar jashtë dhe asaj për të qëndruar në Shqipëri, dhe Amnistia e Bujar Alimanit, film i vitit të shkuar, fitues i çmimit Cineuropa në Festivalin e Lecces.
Amnistia është një film vërtet mbresëlënës me minimalizmin e tij realist: nuk çudit që vetë Alimani thotë se është inspiruar nga disa filma të fundit iranianë. Një burrë nga Tirana dhe një grua që vjen nga provinca gërshetojnë një lidhje pasi njihen jashtë mureve të burgut ku shkojnë për të takuar, një herë në muaj, bashkëshortët përkatës. Në një Shqipëri mes krizës ekonomike dhe mungesës të së ardhmes, takohen dy vetmi të ndryshme mes tyre. Amnistia është film i trishtë që përshkruan me delikatesë jo vetëm dashurinë që lulëzon mes dy jetësh margjinale, por edhe gjendjen e vështirë të gruar në një shoqëri që, edhe pse u përmbyt nga mitet perëndimore, e sheh veten akoma shumë maskiliste.
Nga Alessandro Leogrande, botuar në Corriere del Mezzogiorno me titullin “Albania, lo specchio del cinema”