Jose Manuel Barroso i dorëzon kryeministrit Rama marrëveshjen për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin “Creative Europe”, të nënshkruar pak ditë më parë nga Komisionerja Evropiane për Arsimin, Kulturën, Shumëgjuhësinë dhe Rininë Androulla Vassiliou dhe ministrja shqiptare e Kulturës Mirela Kumbaro. Falë kësaj marrëveshjeje, organizatat shqiptare do të kenë mundësi të aplikojnë për financime për projekte shumëvjeçare bashkëpunimi, për përkthime librash, për ngritje rrjetesh kulturore apo krijimin e platformave kulturore shumëkombëshe
Tiranë, 30 qershor 2014 – Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso, i dorëzoi sot Kryeministrit Rama, Marrëveshjen mes Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e BE-së “Creative Europe”, që ka si qëllim promovimin dhe mbështetjen e kulturës dhe artit shqiptar.
Lidhur me programin “Creative Europe”, Barroso u shpreh se arti dhe kultura mund të jenë të rëndësishme për rrugën e Shqipërisë drejt BE dhe për njohjen e Shqipërisë dhe artit shqiptar në vendet e Evropës.
“Sot pata mundësinë që t’i jap Kryeminstrit dhe Ministres së Kulturës një dokument që quhet “Creative Europe” që është një marrëveshje mes Shqipërisë dhe BE-së, me anë të së cilës artistët shqiptarë dhe institucionet do të kenë mundësi të aplikojnë për fonde edhe pa qenë Shqipëria vend anëtar i BE. Ne do të kemi mundësi të njohim dhe shohim artisët shqiptarë, por edhe ju do të keni mundësi të shihni artin evropian në Shqipëri”, tha Barroso.
I gjithë programi, vijoi Barroso, “shkon deri në 5 miliardë euro. Sigurisht jo të gjitha janë për Shqipërinë dhe natyrisht mund të bëjmë më shumë që të gjithë të përfitojnë nga ky fond dhe ne ta njohim më mirë Shqipërinë dhe artin e Shqiëprisë dhe ju të njihni Evropën dhe artin evropian”.
Barroso mori pjesë pasdite në një ceremoni të organizuar në Galerinë Kombëtare të Arteve nga kryeministri Rama, ku u çel edhe një ekspozitë në nder të Presidentit të KE-së. “Pata mudësinë të mësoja më shumë për artin e Shqipërisë dhe bëra një tur në GKA. Pashë që artistët më të mirë kanë qenë ata që dolën kundër regjimit komunist. Pata mundësinë të shihja disa punime teknikisht shumë të arrira” deklaroi pas vizitës.
Creative Europe
Falë marrëveshjes mes Komisionit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë së nënshkruar më 24 qershor 2014 nga Komisionerja Evropiane për Arsimin, Kulturën, Shumëgjuhësinë dhe Rininë Androulla Vassiliou dhe ministrja shqiptare e Kulturës Mirela Kumbaro, sot organizatat kulturore shqiptare do të mund të përfitojnë nga Nënprogrami Kulturor i ‘Evropës Krijuese’.
Me një buxhet prej rreth 1,5 miliardë Euro për shtatë vitet e ardhshme, 9% më shumë se nivelet e mëparshme, Evropa Krijuese do t’u mundësojë rreth 250.000 artistëve dhe profesionistëve evropianë të kulturës, si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve, të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese të disponueshme për miliona qytetarë.
Për shembull, organizatat shqiptare do të kenë mundësi të aplikojnë për financime për projekte shumëvjeçare bashkëpunimi, për përkthime librash, për ngritje rrjetesh kulturore apo krijimin e platformave kulturore shumëkombëshe. Shqipëria pritet gjithashtu t’i bashkohet nënprogramit MEDIA të Evropës Krijuese pasi të ketë përshtatur legjislacionin e saj audiovizual me ligjet e BE-së.
Në kuadrin e Programit të mëparshëm Kulturor (2007-2013), organizatat kulturore shqiptare kanë marrë financime për katër projekte për përkthime letrare me vlerë rreth 170.000 Euro. Ato gjithashtu kanë marrë pjesë në një numër projektesh bashkëpunimi, si ‘WebTv për Kulturën Evropiane’ (2012) dhe ‘ Festivali i Hapur Kulturor i Rinisë’ (2012).
Shqipëria ka nënshkruar gjithashtu një marrëveshje për të marrë pjesë në disa veprimtari ‘Erasmus+’, programi i ri i BE-së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin, falë të cilit do të mund të përfitohen financimet e bashkëpunimit të jashtëm për arsimin e lartë dhe mundësia e lëvizjes së studentëve në dhe nga BE-ja, si dhe ndërtimi i kapaciteteve në fushat e arsimit të lartë.