in

Shqipëria në zgjedhje. Nën kontrollin e vëzhguesve ndërkombëtarë

Rreth 300 vëzhgues ndërkombëtarë, kryesisht të OSBE/ODIHR do të monitorojnë zgjedhjet vendore që do të mbahen sot.

Tiranë, 21 qershor 2015 – Pas pak orësh (nga ora 7 e mëngjesit) në mbarë Shqipërinë do të nisin votimet për pushtetin lokal e ashtu si proceset e tjera zgjedhore, ato do të kenë mbi kokë vëzhguesit ndërkombëtarë. 283 është numri i i përgjithshëm i tyre, dhe peshën më të madhe do ta mbajë OSBE-ODIHR, organizatë që edhe do të certifikojë këto zgjedhje.

Zëdhënësja e misionit të OSBE-ODIHR në Tiranë, Elma Sehaliç  tha për Top-Channel se në terren do të jenë 202 vëzhgues nga 32 vende anëtare të ODIHR-it.

Këshilli i Europës ka dërguar në Shqipëri 27 vëzhgues, ndërsa Instituti Demokratik Amerikan 6 të tillë.

Pjesë e monitorimit janë edhe ambasadat e akredituara në Tiranë. Numrin më të madh të vëzhguesve që kanë zbritur në terren e mban Ambasada Amerikane, me 26 vëzhgues dhe 36 përkthyes. Numri 2 i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Henry V. Jardine, mendohet se gjatë të gjithë ditës së diel do të jetë në zonën e Kurbinit dhe Krujës. Romana Vlahutin, Ambasadorja misionit të BE-së në Tiranë, do të vëzhgojë ecurinë e zgjedhjeve në Durrës e Kavajë.

Mësohet se ekipet e vëzhguesve të delegacionit të BE-së do të vizitojnë një numër njësish në të gjithë vendin, përfshirë zonat e Tiranës, Vorës, Shkodrës, Lezhës, Malësisë së Madhe, Vlorës dhe Himarës.

Ambasadori italian Massimo Gaiani, përveç kryeqytetit, do të mbikëqyrë edhe Durrësin. Ai gjerman, Helmut Hoffman, dhe homologia e tij holandeze Dewi van de Weerd do të jenë në Vorë, Kamëz dhe Krujë. Ai anglez Nicholas Cannon dhe ai francez Bernard Fitousi kanë zgjedhur të monitorojnë Tiranën. Ndërsa ambasadorja e Spanjës, Silvia Josefina Martin Cortes do të jetë në qytetin e Shkodrës. Ndërkohë, i dërguari me punë i Suedisë, Patrik Suenson fillimisht do të jetë në Himarë e më pas në Sarandë. (Sipas Top Channel)

 

Dyzet kryetarët që kanë drejtuar Tiranën për një shekull

Shqipëria votoi. Nis numërimi