in

Shqipëria nën reshje të dendura bore dhe shtrëngata shiu

Trashësia e dëborës në qytetin e Kukësit ka arritur në 30 centimetra, ndërsa në zonat rurale deri në 70 centimetra. Sipas Policisë rrugore, rezulton se ka vështirësi në qarkullim kryesisht në zonat malore të vendit

Tiranë, 11 dhjetor 2012 – Reshje të dendura dëbore dhe shtrëngata shiu kanë përfshirë sot Shqipërinë, madje në zonën verilindore janë bërë ta pakalueshme disa akse rrugore. Situata rëndohet edhe më tepër si pasojë e shtresave të akullit që kanë vështirësuar lëvizjen e mjeteve edhe në autostradën e Kombit. Trashësia e dëborës në qytetin e Kukësit ka arritur në 30 centimetra, ndërsa në zonat rurale deri në 70 centimetra. “Kjo ka sjellë edhe bllokimin e shumë zonave të rajonit. Kështu, janë të izoluara komunat e Arrnit, Kalisit, Grykë Cajës, Zapodit, Ujmishtit, Bushtricës, Shishtavecit e Topojanit në rrethin e Kukësit, Margegajt edhe Lekbibajt në rrethin e Tropojës”, thotë përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema. “Për mbajtjen nën kontroll të situatës në akset kryesore rrugore në qarkun e Kukësit vazhdojnë të punojnë 33 borëpastruese”, thotë drejtori i autoritetit rrugor të rajonit të Kukësit, Arben Basha. Sipas tij, po punohet pa ndërprerje, por situata po përkeqësohet pasi vazhdojnë reshje të dendura dëbore.

Segmenti i autostradës Morin–Kukës–tunel është i kalueshëm, por përdorimi i zinxhirëve është i detyrueshëm. Ndërsa janë ribllokuar akset kryesore rrugopre si Kukës–Qafë Shllak, Fierzë–Qafë Mali, Kukës–Peshkopi, Kukës-Shishtavec dhe Krumë–Bajram Curri. Janë të kalueshëm me vështirësi akset rrugore Kukës–Krumë, Krumë–Qafë Prush, Bajram Curri- Qafë Morinë.

Moti i paqëndrueshëm me vranësira dhe reshje lokale vërehen edhe në rajonin qendror të vendit, bënë të ditur për ATSh-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit të Durrësit. Megjithë detin e trazuar në bregdetin italian, dy tragetet që lundruan gjatë natës në linjën Bari-Durrës janë ankoruar tashmë në port. Probleme nuk ka patur edhe gjatë nisjes së trageteve të linjës Durrës-Bari, shtuan burimet, sipas të cilave, sot paradite proçesi i përpunimit të anijeve tregtare me kontejnerë ka nisur pa probleme. Burimet shtuan se era sot do të ketë drejtimin nga verilindja me shpejtësi nga 8-10 m/sek, ndërsa temperaturat e ajrit në mesditë pritet të arrijnë vlerat maksimale 8 gradë Celsius. Valëzimi brenda gjirit detar parashikohet të ketë forcën 2-3, ndërsa në det të det të hapur 6-7 ballë.

Mëngjesi sot në gjirin detar të Vlorës ka nisur me vranësira dhe reshje shiu. Në vazhdimësi, moti do të jetë i paqëndrueshëm, me shira në pjesën më të madhe të ditës, ndërkohë që vlerat e temperaturave do të shënojnë një rritje të lehtë krahasuar me një ditë më parë. Kjo tablo sinoptike është rrjedhojë e përfshirjes së rajonit në një zonë me presion atmosferik të ulët. Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSh-në se, era do të fryjë mesatare në drejtimin nga kuadrati Perëndim-Jugperëndim, me shpejtësi nga 4-6 deri në 8-10 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 10-12 gradë celsius dhe ato minimale nga 8-10 gradë Celsius. Valëzimi në hapësirën detare brenda gjirit të Vlorës parashikohet të arrijë 2-3 ballë dhe në det të hapur 4-5 ballë.

Moti i keq me reshje dëbore dhe me temperatura nën zero gradë ka shkaktuar probleme në disa zona malore në qarkut të Gjirokastrës, por nuk ka krijuar probleme në rrugën kombëtare, njofton sot drejtoria e policisë së qarkut të Gjirokastrës, në jug të vendit.

“Në komunat Pogon, Zagori (Gjirokastër), Buz e Luftinjë (Tepelenë), si dhe Frashër (Përmet), lëvizja e automjeteve kryhet me zinxhirë, pasi trashësia e dëborës eshte nga 20 deri në 30 centrimetra”, thuhet në komunikatën e policisë lokale. Të njëjtat burime theksuan se të gjitha strukturat e policisë lokale kanë kaluar në gadishmëri të përforcuar dhe janë shpërndarë në të gjitha komunat ku janë shfaqur probleme, duke marrë kontakt me kryetarët e komunave dhe kryepleqtë e fshatrave për t’iu ardhur në ndihmë banorëve në raste emergjencash.

“Fatmirësisht të gjitha segementet rrugore kombëtare janë të kalueshme. Problem paraqet segmeti rrugor Jorgucat – Qafë Muzinë, me gjatësi 15 km, ku si pasojë e temperaturave nën zero gradë, disa segmente kanë ngrirë”, tha ne burime nga policia, duke shtuar se në kthesën e Jorgucatit është ngritur një postobllok policie 24- orësh për t’i ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve.

Qyteti verior i Shkodrës eshte perfshire nga reshjet e dëborës, ku pjesa më e madhe e tij, sidomos sipërfaqet e gjelbëruara, çatitë e banesave private si dhe të pallateve, janë zbardhur nga dëbora. Pavaresisht reshjeve, qarkullimi i automjeteve në akset rrugore të qytetit vazhdon të jetë krejtësisht normal.

Ulja e temperaturave gjatë ditëve të fundit ndikoi në përfshirjen e zonave malore të qarkut të Shkodrës nga reshje dëbore, ndërkohë që tashme bardhësia e dëborës perfshiu edhe qytetin. Burime zyrtare nga bashkia bënë të ditur për ATSH-në se janë marrë të gjitha masat, që nëse reshjet gjatë orëve te ardhshme do te vazhdojne, do te ndërhyhet me mjetet borëpastruese per mbajtjen nën kontroll të akseve rrugore brenda qytetit si dhe ato që lidhen me akset rrugore kombëtare.

Qarkullimi rrugor

Policia e Shtetit, nisur nga përkeqësimi i motit gjatë këtyre ditëve, porosit sërish drejtuesit e automjeteve që të tregohen të kujdesshëm  dhe të respektojnë normat e përcaktuara në aktet ligjore.
Në një deklarate për shtyp  bërë të martën,  policia veçanërisht bën thirrje për respektimin e normave të shpejtësisë,mospërdorimin e pijeve alkoolike, përdorimin e rripit të sigurimit, shmangien e parakalimeve të gabuara, përdorimin e kaskave mbrojtëse, përdorimin e dritave jo verbuese, përdorimin e zinxhirëve dhe gomave dimërore.

Ndërkohë me qëllimin parandalimin e aksidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e njerëzve, shërbimet e policisë po ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme për respektimin e kërkesave të Kodit Rrugor nga ana e drejtuesve të mjeteve, si dhe në drejtim të pajisjes së mjeteve me pajisjet dimërore.

Ndërkohe situata në akset rrugore në shkallë vendi, nga informacionet e shërbimeve të Policisë Rrugore rezulton se ka vështirësi në qarkullim kryesisht në zonat malore të vendit, konkretisht:

Në qarkun Kukës:
Momentalisht bien reshje dëbore, trashësia varion nga 40 cm në Kukës  në 60 cm në  lartësitë mbi 800 m, Gjendja e akseve rrugore është si më poshtë:
aksi rrugor Morinë – Klimash i kalueshëm me zinxhirë,
aksi Kukës – Krumë i kalueshëm me zinxhirë,
aksi B.Curri – Qafë Morinë i kalueshëm me zinxhirë,
aksi B.Curri – Fierzë i kalueshëm me zinxhirë,
aksi B.Curri – Valbonë i pakalueshëm,
aksi Krumë – B. Curri  i pakalueshëm,
aksi Krum – Qaf Prushi i kalueshëm me zinxhirë me vështirësi,
aksi Kukës – Topojan  i pakalueshëm,
aksi  Kukës – Ujmisht – Lusën i pakalueshëm,
aksi Lusën–Bushtricë-Kala e Dodës në drejtim të Peshkopisë i pakalueshëm,
aksi Kukës – Shëmri i pakalueshëm,
aksi Shëmri – Qafë Shllak i  pakalueshëm,
aksi rrugor Topojan – Shishtavec i pakalueshëm,
Po punohet për pastrimin e rrugës dhe hedhjen e kripës, në të gjitha akset nacionale në këtë qark. Po bashkëpunohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.

Në qarkun Dibër: 
Momentalisht  bien reshje dëbore,  trashësia varion nga 40 cm deri në 60 cm, gjendja e akseve rrugore paraqitet si vijon:
aksi rrugor Peshkopi – Bulqizë – Klos i kalueshëm me zinxhirë me vështirësi në disa segmente
aksi rrugor Klos – Burrel – Ulzë i kalueshëm me zinxhirë,
aksi  Shupenzë – Ostren i pakalueshëm,
aksi Krastë – Bulqizë i kalueshëm me zinxhirë me vështirësi,
aksi rrugor Peshkopi – Sllovë – Kala e Dodës në drejtim të Kukësit i pakalueshëm
aksi Peshkopi – Muhurr – Aras  i kalueshëm me zinxhirë me vështirësi,
aksi Arras – Zall Dardhë – Reç i pakalueshëm,
aksi Stëblevë – Librazhd  i pakalueshëm,
aksi Arras – Lurë i pakalueshëm
Po bashkëpunohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore. 

Në qarkun Shkodër:
Trashësia e borës  në zonat malore është mbi 30 cm, situata e akseve rrugore paraqitet si vijon:
aksi  rrugor Shkodër – Koman i kalueshëm në disa segmente me zinxhirë,
aksi Qaf Çelë – Pukë –  Fushë Arrës i kalueshëm me zinxhirë një sens,
aksi Fushë Arrës –  Qafë Mali- Qafë Shllak i  pakalueshëm,
aksi Fushë Arrës – Gjegjan  i kalueshëm  me zinxhirë me një sens,
aksi Gjegjan – Shpal  i pakalueshëm,
akset Koplik – Razëm i pakalueshëm,
aksi Bogë – Theth, Selcë – Vermosh të pakalueshme,
akset në drejtim te Dukagjinit të pakalueshme,
aksi Qafë Mali – Dardhë – Fierzë i pakalueshëm,
aksi Fushë Arrës – Iballë i  pakalueshëm, 
Po  bashkëpunohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore. 

Në qarkun Lezhë:
aksi Fan – Kalimash me zinxhirë,
aksi rrugor Mirditë – Shpal i kalueshëm me zinxhirë në disa segmente,
aksi Shpal – Gjegjan – Fushë Arrës  i pakalueshëm,
në zonat e thella të Mirditës në drejtim të Lurës akset rrugore janë të pakalueshme. 
Në të gjitha akset rrugore nacionale ne rrethin e Lezhës lëvizja e automjeteve është e kalueshme, po bashkëpunohet me entin pronar të rrugëve për hedhjen e kripës dhe skorjeve, kryesisht në Autostradë.  

Në qarkun Elbasan:
aksi Përrenjas – Qafë Thanë i kalueshëm me zinxhirë,
aksi Librazhd – Bulqizë i pakalueshëm, 
Në të gjitha akset e tjera rrugore lëvizja është normale. 

Në qarkun Korçë:
aksi rrugor  Kapshticë – Korçë   – Qafë Thanë i  kalueshëm me  zinxhirë pasi ka ngrica,
aksi rrugor Boboshticë – Dardhë i pakalueshëm,
aksi rrugor Korçë – Voskopojë i pakalueshëm,
aksi Korçë – Ersekë – Leskovik i  kalueshëm me zinxhirë me vështirësi,
aksi Korçë – Goricë  i  kalueshëm me zinxhirë me vështirësi,
Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore. 

Në qarkun Berat:
Në disa komuna të Skraparit ka vështirësi në qarkullim,
Në të gjitha akset e tjera rrugore lëvizja është normale. 

Në qarkun Gjirokastër:
aksi Jorgucat – Qafa e Muzinës e kalueshme me zinxhirë në disa segmente.
Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.

Në qarkun Vlorë:
Në aksin rrugor Vlorë – Llogara lëvizja e automjeteve kryhet me zinxhirë, pasi ka dhe shtresa akulli, po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes.
Në të gjitha akset e tjera rrugore lëvizja e mjeteve bëhet normalisht pa probleme.

 

BE: Pa reforma, s’ka status kandidat për Shqipërinë

Ismu: “La crisi economica frena l’immigrazione”