in

SHQIPËRIA NUMËROI VOTAT{br}Edi Rama fiton Tiranën?

23 maj 2011      Përditëso këtu faqen

KQZ -VAZHDON AKTIN E TIJ TË FUNDIT

19.20 Anëtari opozitar i KQZ-së, Pandeli Varfi, u shpreh se shqetësimet nisën, rregullat u ndryshuan dhe u vendos standarde të reja në zgjedhje, menjëherë pas projektimit të rezultatit nga kutia e fundit. Sipas tij, KQZ duhet të kishte dhënë porosi që të vazhdohej me rregullin që ishte ndjekur deri në ato momente, nxjerrja e pavlefshme e fletëve të hedhura në kuti të gabuara. Ai tha se akti ka dy karakteristika, “së pari ishte i panevojshëm dhe e dyta ky akt është diskriminues sepse në momentin kur fillon të funksionojë në vendin tonë janë numëruar më shumë se gjysma e kutive”.

Kodi Zgjedhor në situatën e sotme, shtoi më tej ai, përcakton në mënyrë kapitale që s’mund ta anulojë asnjëri: “Rezultati del nga numërimi i kutive për kryetar bashkie në Tiranë. Kodi nuk lë rrugë tjetër”.

Sapo mbaroi fjalën e saj edhe nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, që e quajti absolutisht të paligjshëm projekt-aktin që po diskutohet në këto çaste në KQZ, dhe vendimet e komisionit të javës së shkuar që “ishin të njëanshme dhe të parregullta. “Sot kemi përpara një projekt-akt të ndryshuar që në emërtimin e tij, sepse në aktin e parë u fol për bashkinë e madhe, sot përfshihen të gjitha njësitë zgjedhore të Tiranës. Ky projekt-akt është i veçantë edhe për mënyrën se si është hartuar. Duke dashur të justifikojë një veprim të paligjshëm, akti është i deformuar në kontekstin ligjor, është akt konfuz dhe kontradiktor për mënyrën se si i trajton problemet”.

“Ky akt denoncon parregullsinë e vendimmarrjes së KQZ-së. Neni 33 i Kodit Zgjedhor flet për detyrat e KZAZ-ve. Nuk ka asnjë lidhje me vendimmarrjen e KQZ-së. Në 10 njësi zgjedhore të Tiranës rezultati zgjedhor ka vendimmarrje. E vetmja që nuk ka është njësia 49 e cila i është drejtuar për vendimmarrje KQZ-së . Kryetari nuk thirri mbledhjen për ta bërë këtë mbledhje, unë dhe kolegu im e kërkuam, por ende sot nuk është zhvilluar. A nuk është kjo një fakt i vendimmarrjes së një anshme.”,- tha Subashi.

KQZ – AKTI I FUNDIT

18.30 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur në orën 17.00 nisi mbledhjen e radhës gjatë të cilës pritet të miratohet tabela e rezultateve për Tiranën. Deri tani po diskutohet rreth projektaktit të miratuar nga kreu i KQZ-së Arben Ristani në lidhje me ndryshimin dhe përllogaritjen e fletëve të kontestuara që KQZ ka numëruar gjatë javës së shkuar.

Përfaqësuesi ligjor i PS Genci Gjonçaj ka argumentuar se  projekt-akti i propozuar ka probleme si në formë ashtu edhe në përmbajtje, madje sipas tij KQZ ka kryer vendime të jashtëligjshme. Përsa i përket formës, akti është normativ e si i tillë kishte nevojë për vendim të marrë me pesë vota e jo me katër. Përsa i takon përmbajtjes, projektakti nuk është tjetër veçse një përpjekje e KQZ-së për të argumentuar me baza historike dhe teorike vendimmarrjen e tij, por vendimi është konfuz dhe i pavërtetë. Për më tepër, projekt-akti që paraqitët sot është i ndryshëm nga ai që u paraqit më 17.5.2011. “Fillimisht flitej për votat e panumëruara, sot fitet për votat të kontestuara dhe të shpallura të pavlefshme nga KZAZ-të”. Gjithnjë sipas Gjonçajt, ndryshimi i tabelave të KZAZ-ve nga KQZ me 4 vota ishte një akt i paligjshëm. “E vetmja detyrë që kishte KQZ ishte të nxirrte rezultatin përfundimtar nga ajo e tabelave të KZAZ-ve dhe ta bënte jo më vonë se 48 orë’,- theksoi Gjonçaj.

Sipas Njazi Kosovastrit, anëtar demokrat i KQZ-së, është e vërtetë e kundërta: “KQZ ka bërë ka bërë të mundur vetëm vlerësimin e votave të qytetarit në bazë të rregullave, pasi ajo ndodhi nga një gabim njerëzor”. Ai solli në vëmendje se nga viti 2009 PS ka bërë protesta që ajo të shihte votën e saj, tashmë sipas Kosovrastit, ajo po bie në kundërshtim me ato që ajo vetë ka kërkuar. Për dy vjet rresht nga viti 2009, PS e çoi vendin drejt situatave të pakëndshme në bazë të një kërkese “Dua të shoh votën time, ndërkohë që sot thotë nuk e dua as votën time”,- solli në vëmendje Kosovrasti.

 “Ne vendosëm që vota të vlerësohet dhe numërohet, Kodi ka bërë kujdes për votën e qytetarit. Ai thotë që qytetari kur voton gabim vjen kthehet dhe i kërkon komisionit një fletë tjetër, po e bëri përsëri nuk ja jep. Vijmë në rastin konkret ashtu siç gabon në fletën e votimit kur shënon për kandidatin ai gabon edhe në hedhjen e kutisë së gabuar, por ky gabim nuk rregullohet në vend, ndaj meqenëse gabimi ishte njerëzor. KQZ vendosi që vota e qytetarit të numërohet” u shpreh ai.

Në këtë frymë vazhdojnë edhe të tjerët që marrin fjalën: kush është përfaqësues i mazhorancës mbron veprimtarinë e ditëve të fundit të KQZ-së, përfaqësuesit e opozitës argumentojnë të kundërtën.

Përfaqësuesi i LSI në KQZ, Ylli Manjani, deklaroi se veprimi i KQZ-së për rinumërimin e fletëve të kontestuara ishte vendimi i duhur sepse kështu vihet mbi të gjitha interesi i votuesit. “KQZ kishte dy mundësi: ose ta injoronte këtë fakt, duke shkelur barazinë e votës ose të gjente një zgjidhje dhe ju zoti kryetar e gjetët një zgjidhje pavarësisht se u kundërshtua. Vota meriton të shkojë në destinacionin e duhur”,  theksoi Manjani.

Artan Lazaj anëtari i KQZ i zgjedhur nga opozita,  theksoi se projekt-akti i paraqitur nga KQZ është akt normativ dhe për këtë arsye duhet të ishte paraqitur më parë. “Ky akt kërkon vlerësimin e fletëve të votimit të pavlerësuara për kryetarin e bashkisë dhe për kryetar njësie dhe për këshillat bashkiak. Ai është akt normativ dhe si i tillë të ishte miratuar 6 muaj para fillimit të ditës së votimit”, tha mes të tjerash Lazaj.

KQZ: MBLEDHJA PËR DHËNIEN E REZULTATEVE TË TIRANËS NË ORËN 17.00

15.30 KQZ shtyn për në orën 17.00 mbledhjen e saj për dhënien e rezultatit të Tiranës. Pasi e kishte shtyrë disa herë këtë mbledhje, e nisi në orën 14.00, por anëtarët përfaqësues të  PS-së, kërkuan 24 orë kohë për shqyrtimin e materialit prej 60 faqesh, që ka të bëjë me aktin normativ dhe vendimin për fletët e panumëruara, mbi bazë të të cilave do të përpilohet tabela përmbledhëse përfundimtare për Tiranën. Por kryetari i KQZ-së u ka dhënë vetëm tre orë kohë dhe vendosi të shtyjë për në orën 17.00 mbledhjen për votimin e aktit normativ.

Gjithsesi beteja për rezultatin e Tiranës nuk do të mbarojë sot. Ndërsa paradite KQZ ka përditësuar faqen e saj duke përfshirë në të edhe rezultatin e kutisë së fundit të numëruar nga KZAZ-të, dhe që nxjerr fitues Ramën me 10 vota, është mëse e qartë se rezultati që komisioni do të japë pasi të marrë në konsideratë kutitë që ka numëruar vetë dhe ndryshimet në tabelat përkatëse do të nxjerrë fitues Bashën me 78 vota mbi Ramën. Me siguri, vendimi i KQZ për numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara do ta marrë verdiktin mbi vlefshmërinë e tij ligjore në Kolegjin Zgjedhor.

KQZ PËRDITËSON FAQEN E SAJ TË INTERNETIT: FITUES RAMA

13.30 Ndërsa pritet të jepet sot rezultati për kryebashkiakun e Tiranës, KQZ përditëson më në fund faqen e saj me rezultatin paraprak që kishte dalë nga numërimi i votave nëpër KZAZ që më datë 14 maj: sot në faqen e saj lexohet që fituesi i Tiranës është Edi Rama me 10 vota mbi Bashën. Deri dje tabela mbante ende rezultatin e 484 kutive ndër 485, edhe pse numërimi kishte përfunduar prej një jave.

STONESTREET NË KQZ: PALËT TË ZBATOJNË LIGJIN

12:30 – Kreu Misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it Jonathan Stonestreet ka shkuar  rreth orës 11.00 në KQZ. Kreu i misionit të vëzhguesve të OSBE/ ODIHR-it Jonathan Stonestreet është takuar me kryetarin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Arben Ristanin dhe nënkryetaren e këtij Komisioni, Dëshira Subashi.

Në një deklaratë të shkurtër pas takimit, Stonestreet ka shpjeguar se me Ristanin dhe Subashin ka biseduar rreth raportit të ODIHR për zgjedhjet, se ka marrë nga KQZ informacione të nevojshme për t’ia shtuar raportit përfundimtar që do të nxjerrë misioni i vëzhguesve pas dy muajsh.

I pyetur për zhvillimet javës së fundit post-zgjedhore në Shqipëri, Stonestreet tha se ai nuk e kanë prekur aspak këtë çështje në bisedën e sotme, por theksoi se parimi që duhet të udhëheqë palët e përfshira është ai i shtetit së drejtës dhe se duhet të vihet në zbatim se çfarë thotë ligji.

KQZ NXJERR FITUES LULZIM BASHËN. SOT JEP REZULTATIN

09.00  Mbrëmë në darkë, KQZ mbaroi së numëruari 125 kutitë ku gjeti votat e futura në kutitë e gabuara dhe me 171 vota dhënë Bashës dhe 83 Ramës. Sipas saj, kryetari i ardhshëm i bashkisë së Tiranës është Lulzim Basha, dhe ky rezultat përfundimtar do të shpallet sot.

Me numërimin e mbrëmshëm të fletëve të kontestuara për njësinë 5, KZAZ 49, KQZ i jep fund numërimit të fletëve të kontestuara/të pavlefshme/të panumëruara gjatë procesit të 8 majit.

Kreu i KQZ-së, Arben Ristani ka konfirmuar mbrëmë se tashmë këtij institucioni nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shpallë rezultatin përfundimtar për Bashkinë e Tiranës. Sot “do të miratojmë në tërësi vendimin pasi ishte miratuar vetëm nen për nen. Më pas do të kalojmë në miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për KZAZ-në nr. 49, që i përket njësisë bashkiake nr. 5 dhe veprimi i tretë që do të ndërmarrë KQZ-ja do të jetë miratimi i rezultatit përfundimtar, pra miratimin e tabelave për 11 KZAZ-të e Tiranës. Këto nuk janë akte normative por vendime të KQZ. Janë vendime që sipas ligjit kërkojnë shumicën e thjeshtë që është 7 ose 4″, – u shpreh ai. Sa për opozitën, Ristani ka sqaruar se ajo është e lirë që të ankimojë vendimin e KQZ në institucionet përkatëse. “Procesi ankimor fillon menjëherë pasi marrim vendimmarrjen tonë, miratimi i tabelës përkatëse kalon në Komision Qendror më pas në Kolegjin Zgjedhor”, – ka thënë kreu i KQZ-së.

Në mbledhjen e pasdites së djeshme KQZ shqyrtoi dhe më pas rrëzoi me shumicë votash 2 ankimeme të Partisë Socialiste. Seanca e KQZ  vijoi me numërimin e kutive të kontestuara për njësinë numër 5 ku sipas mazhorancës rezultojnë fletë votimi të hedhura gabimisht në kutinë e votimit gjatë zgjedhjeve të 8 maj. KQZ i shtoi dje 22 kuti nga 8 që kishin mbetur një ditë më parë, pasi komisionerët e PD-së kishin vërejtur fletë të pavlefshme në këto 22 kuti. Së bashku me numërimin e kutive numri i përgjithshëm i kutive të numëruara këto ditë nga KQZ është 125 kuti votimi të numëruara nga të cilat Basha ka marrë 173 vota kurse Rama 83 vota.

22 maj 2011

DY JAVË PAS ZGJEDHJEVE, TIRANA MBETET PA KRYETAR

10.00 Plot dy javë nga dita e zgjedhjeve, vazhdon numërimi i votave për kryebashkiakun e Tiranës. Deri pak orë më parë, me 14 kutitë që u hapën në KQZ mbrëmë nga ora 21.00 deri pas mesnate, numri i përgjithshëm i kutive për fletë të kontestuara në Tiranë arriti në 104 kuti. Me hapjen e tyre, Basha ka marrë 164 vota, ndërsa Rama 74 vota. Nga ora 10.00, kur pritet të rifillojë mbledhja e sotme e KQZ-së, do të numërohen dhe 8 kutitë e mbetura nga njësia bashkiake nr. 5 e Tiranës. KQZ mbylli mbledhjen ndërsa përfaqësues ligjorë të PS-së kontestuan gjatë gjithë kohës hapjen dhe numërimin e çdo flete të kontestuar, të pavlefshme dhe të panumëruar dhe ndryshimet e tabelave përmbledhëse të KZAZ-ve.

Ndërkaq, jashtë zyrave të KQZ-së nis sërish protesta e socialistëve. Dje janë organizuar dy protesta, pa asnjë incident. Deputetë të ndryshëm të PS-së kanë mbajtur nga një fjalim të shkurtër përpara mbështetësve të tyre kundër qeverisë Berisha, kundër aktivitetit të këtyre ditëve të katër anëtarëve të mazhorancës në KQZ.

Veç thirrjeve për normalizim të situatës politike postzgjedhore nga presidenti i Republikës, dita e djeshme është karakterizuar nga korrespondenca publike mes shkrimtarit të madh Ismail Kadare dhe kandidatit të djathtë për kryetarin e Tiranës Lulzim Basha. Me një letër të hapur, shkrimtari i kërkonte Bashës që në të mirë të vendit të tërhiqej nga kjo garë, ndërsa rreth mesnatës Basha iu përgjigj Kadaresë duke i argumentuar arsyet e tij pse e ka të pamundur të heqë dorë.

21 maj 2011

KQZ DO TË NUMËROJË EDHE KUTITË E NJËSISË 5

15.00 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vijojë pasdite vlerësimin e fletëvotimeve të kontestuara për bashkinë Tiranë, me hapjen e kutive të KZAZ-së nr. 49, njësia 5, e cila përmbylli e fundit procesin e numërimit të votave në kryeqytet.

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, në përfundim të mbledhjes së paradites, njoftoi më në fund përfundimin e numërimit tek njësia bashkiake nr. 5, ndërsa lajmëroi fillimin pasdite të numërimit nga KQZ të kutive me fletë të panumëruara, të hedhura në kutitë e gabuara.

“Rreth orës 19:00 do të fillojmë me KZAZ-në nr. 49, me të cilën do të përmbyllim procesin e numërimit të votave të pavlerësuara në Tiranë”, tha Ristani.   

Sot është dita e katërt që KQZ vijon me numërimin e fletëve të votimit të gjetura në kutitë e gabuara, praktike kjo e kritikuar per mungese te bazes ligjore edhe nga Raporti i djeshem i vezhvuesve te OSBE/ODIHR-it. 

Pas numërimit deri dje të 89 kutive me fletë të kontestuara apo të panumëruara, siç i do terminologjia e ditëve të fundit, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha ka siguruar 150 vota, kundrejt 63 votave të marra nga kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama. Me gjithë kundërshtimet e opozitës për veprimtari të paligjshme nga ana e KQZ-s, kjo e fundit do të vijojë  procedurën e nisur për të përmbyllur nxjerrjen e një rezultati zyrtar për bashkinë e kryeqytetit.

KQZ, në mbledhjen e paradites, procedoi me ankesat e subjekteve politike. KQZ hodhi poshtë ankesën e PS-së, për rinumërim të votave në QV 43 37, komuna qendër Libohovë, si të pabazuar në prova. Ajo pranoi ankesën e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, për dy qendra votimi në KZAZ-në 62 në komunën Brataj të Vlorës, për hapjen e kutive me vota të kontestuara.

20 maj 2011

KQZ E MBYLL EDHE PËR SOT: 150 V0TA BASHËS 63 RAMËS

22.50 Përfundon edhe për sot numërimi në KQZ: këto tri ditë janë numëruar gjithsej 89 zarfe nga po aq kuti që përmbanin vota të kontestuara apo të pavlefshme sepse të futura në kuti të gabuara. Nga këto 89 zarfe i janë shtuar kandidatit Basha 150 vota dhe Ramës 63. Gjatë ditës, ashtu si edhe dy ditët e shkuara, në sallë debatet kanë qenë të ashpra. Ndërsa jashtë, qindra protestues janë mbledhur paradite dhe pasdite. Ndryshe nga ditët e shkuara sot deputetë apo eksponentë të PS-së kanë mbajtur nga një fjalim të shkurtër me të cilët akuzuan KQZ-në për shkelje ligjore. Ndërsa në rrethe, protestat ishin të ngjashme me ato të ditëve  të shkuara, kryesisht me bllokime rrugësh.

Një tjetër e risi e ditës së sotme është edhe kërkesë padia që PS ka çuar në Kolegjin Zgjedhor kundër KQZ-së. 

KQZ VAZHDON NUMËRIMIN: 138 VOTA PËR BASHËN DHE 59 PËR RAMËN

20.45 Në KQZ vazhdon numërimi i kutive mes kontestimeve të vazhdueshme të anëtarëve të komisionit që janë përfaqësues të PS-së. Gjithsesi, asnjë vërejtje e tyre nuk merret parasysh, siç ndodh tashmë prej tre ditësh dhe me 4 vota nga 7, KQZ vazhdon të ndryshojë tabelat përmbledhëse të KZAZ-ve. Deri në këtë çast KQZ vazhdon të shtojë vota “të panumëruara” siç i quan Ristani: 138 për Bashën dhe 59 për Ramën.

PS, PROTESTË PARA KQZ

19:10 Përfundojnë protestat e mbështetësve të opozitës në rrethe, një tjetër protestë ka filluar nga mbështetësit para KQZ-së. Deputetët e PS-së marrin fjalën me megafon për të akuzuar vendimin e padrejtë të KQZ. Petro Koçi : “Komisioni i vjedhjeve do të na thotë se në Shqipëri nuk fiton vota që hidhet në kutinë e saktë po në atë të gabuarën. Ndërkombëtarët kanë thënë zbatoni ligjin, por kjo seli është kthyer në seli të PD”.

ARVIZU, SEQUI E WOLLFARTH TAKIM ME RAMËN

18:30 Teksa KQZ ka rinisur me numërimin e votave, në selinë e PS shihet të mbërrijnë ambasadorët e ShBA-ve Alexander Arvizu, ai i BE-së Ettore Sequi, dhe Eugen Wollfarth i OSBE-së, të cilët kanë nisur një takim me kreun e opozitës Edi Rama.

KQZ NUMËRON, SOCIALISTËT PROTESTOJNË

17.30 Ndërsa pritet që KQZ të rifillojë pas pak procesin e numërimit, ja një pasqyrë e protestave të sotme të socialistëve.

Në Tiranë, protesta e socialistëve para KQZ ka qenë ndryshe nga ditët paraardhëse. Gjatë paradites  ka pasur fjalime të  deputetëve të cilët para militantëve të partisë së tyre kanë dënuar përpjekjet e qeverisë dhe të KQZ për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve përmes procesit të paligjshëm të numërimit të votave. Sot nuk ka pasur përleshje me forcat e rendit, si gjithnjë të rreshtuara para dyerve të KQZ-së.

Pasdite protestat kanë nisur edhe në rrethe. Në jug të vendit, protestuesit kanë bllokuar me goma automjetesh aksin kombëtar Gjirokastër-Tepelenë. Protestuesit shoqërohen nga deputetët e PS-së, Ethem Ruka e Arta Dade. Protesta e opozitës ka nisur edhe në qytetin e Elbasanit. Janë bllokuar edhe aty rrugët që lidhin qytetin me Tiranën e Librazhdin. Në Fier, protestuesit  janë mbledhur fillimisht në sheshin Fitorja, dhe më pas kanë nisur marshimin drejt aksit nacional Fier-Lushnjë. Protesta e socialistëve ka nisur edhe në Sarandë, ku ata kanë bllokuar urën e Hajdarit. Protesta e militantëve të PS edhe në qytetin e Vlorës. Ashtu si edhe në qytetet e tjera edhe këtu është ndjekur forma e bllokimit të rrugëve. Protestuesit kanë bllokuar Urën e Mifolit. Në Berat protestuesit kanë bllokuar kryqëzimin e Urës Vajgurore. Mbështetësit e PS, protestojnë në Pogradec, ku kanë bllokuar aksin Pogradec-Përrenjas, me gurë e goma makinash. Atje nuk ka munguar as sot djegia e gomave. Në protestë janë ngritur edhe simpatizantët e Fushë-Krujës të cilët kanë bllokuar autostradën Fushëkrujë-Shkodër, duke i bllokuar kështu Tiranës lidhjet me zonat veriore. 

PS PADIT KQZ NË KOLEGJIN ZGJEDHOR

16:10 PS paraqet kërkesë padi në Kolegjin Zgjedhor, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me të clën ndër të tjera kërkohet: “Gjykimi i çështjes në themel, Detyrimin e KQZ të marrë vendim për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për KZAZ Nr.49, Detyrimin e KQZ të marrë vendim për nxjerrjen e rezultatit dhe miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe shpalljen e kandidatit fitues”.

“Në përfundim të procesit të numërimit të votave për kandidatët për kryetar të Bashkisë Tiranë dhe Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë, nga dhjetë KZAZ të kësaj Zone Zgjedhore janë miratuar tabelat përmbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit, ndërsa KZAZ Nr.49 nuk e ka miratuar këtë tabelë duke marrë Vendimin Nr.37 datë 16/05/2011 për mos miratimin e saj. Në këto kushte, në zbatim të parashikimeve të nenit 122 e 35 të Kodit Zgjedhor, Partia Socialiste, si subjekt zgjedhor ka paraqitur ankim në KQZ, thuhet në ankesën e përpiluar deputeti Fatmir Xhafaj.
“Për sa më lart, është ligjërisht e detyrueshme të urdhërohet KQZ që së bashku me miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për KZAZ Nr.49, të marrë vendim edhe për nxjerrjen e rezultatit dhe miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe shpalljen e kandidatit fitues për këtë Bashki në bazë të rezultateve të miratuara”, thuhet në kërkesë padinë e PS.

ARRIN NË 75 NUMRI I KUTIVE TË HAPURA: 125 VOTA PËR BASHËN, 83 PËR RAMA

15.50 Ka vazhduar deri pak çaste më parë mbledhja e KQZ-së gjatë të cilës, mes debatit të vazhdueshëm, janë hapur, numëruar  e ndryshuar tabelat përmbledhëse të KZAZ-ve duke i shtuar  rezultatit dalë nga numërimi normal i votave i mbaruar më 15 maj, 125 vota për Bashën dhe 83 për Ramën. Punimet e KQZ-së do të rinisin në orën 18.00.

RAMA: “NDËRKOMBËTARË, NDIHMË!”

15.00 “Miq ndërkombëtarë ndërhyni për të ndalur masakrën zgjedhore të KQZ-së” ka qenë thirrja e kreut socialist drejtuar ndërkombëtare për situatën e krijuar në vend këto ditët e fundit.

“Ne do të njohim vetëm Kushtetutën e Shqipërisë dhe do ta mbrojmë atë. Falënderoj ambasadorët e huaj dhe bashkohemi me deklaratat e tyre. I sigurojmë ShBA se dhuna nuk është rruga jonë, por i kërkojmë që të mos e lënë Shqipërinë vetëm ku po e shtyn kryeministri mes dhunës së KQZ. Populli shqiptar meriton në demokraci të qëndrueshme. Ajo që po ndodh sot KQZ ajo që ndodhi mbrëmë më protestuesit shkon në drejtim të kundërt me të drejtat e shqiptarëve. Miq ndërkombëtarë ndërhyni sa më parë për të ndalur masakrën zgjedhore” – deklaroi Rama.

KE: KQZ TE GARANTOJE RESPEKTIMIN E KUADRIT LIGJOR

14.10 “KQZ-ja të garantojë respektimin e kuadrit zgjedhor. Nuk mund të ketë dy rezultate të ndryshme për zgjedhjet”, deklaroi zëdhënësja e Komisionerit Europian pwr Zgjerimin. Sipas saj, Komisioneri Barroso dhe komisioneri i BE-së, Stefan Fule, po monitorojnë situatën në Shqipëri, duke ndjekur orë pas ore zhvillimet e saj.

“Nuk mund të ketë dy rezultate të ndryshme dhe rezultatet duhet të bëhën në mnëyrë të shpejtë” – nënvizoi sot zëdhënësja e Komisionerit Europian për Zgjerimin Sfetan Fyle, Natasha Butler duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari bërë në konferencën e zakonshme për shtyp në Bruksel. Zëdhënësja e KE-së, Natasha Butler, i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të veprojë pa ndërhyrje politike.

AMBASADORI OSBE WOLLFARTH: KQZ TË JETË E PAVARUR

13.00 Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth është takuar sot me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama.

Takimi u zhvillua në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme ndërsa mendohet se në qendër të diskutimeve do të jetë situata pas zgjedhjeve lokale të 8 majit në Tiranë.

Në lidhje me situatën postzgjedhore, ai ka thënë se KQZ duhet të jetë e pavarur dhe duhet të mbështetet në ligj për punën e saj.

“E rëndësishme është që të respektohet Kushtetuta, ligji. Po ashtu e rëndësishme është që të ketë transparencë nga media, sidomos në lidhje me procesin post-zgjedhor e atë që po ndodh në KQZ. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve puna duhet të jetë e pavarur dhe e mbështetur në ligj”, tha Wollfarth.

TOPI-MCWLLHAM: SITUATA E TENSIONUAR NW DWM TW INTEGRIMIT TW SHQIPWRISW

13.00Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi sot paradite një takim pune me Ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mcwllham, me të cilën diskutoi rreth situatës paszgjedhore në vend.
Presidenti Topi ndau me Ambasadoren britanike Mcwllhamshqetësimin lidhur me situatën aktuale, të cilën po e ndjek me shumë vëmendje. Ai nënvizoi se “duhet ruajtur qetësia, vetëpërmbajtja, rendi publik si dhe se duhet gjetur ekuilibri i nevojshëm që vendi të mos rrëshqasë në tensione të panevojshme politike. Këto do të ishin të mundura vetëm nëpërmjet zbatimit me rreptësi të ligjeve dhe respektimit të pavarësisë së institucioneve kushtetuese nga kushdo”.
Kreu i Shtetit shqiptar dhe Ambasadorja britanike ndanë të njëjtin mendim se situata e tensionuar në vend po dëmton jo vetëm aspiratën integruese evropiane të Shqipërisë, por edhe imazhin e saj në botë, duke e ilustruar këtë edhe me shtyrjen e vizitës së planifikuar e të mirëpritur të Presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso në Tiranë.
Ambasadorja Fiona Mcwllhami shprehu Kryetarit të Shtetit shqiptar gjithë mbështetjen e saj si përfaqësuese diplomatike e Mbretërisë së Bashkuar për rolin konstruktiv që po vazhdon të luajë si dhe për mesazhet dhe apelet pozitive te bëra deri më tani nga Presidenti Topi në funksion të qetësimit të situatës dhe gjetjes së një zgjidhje institucionale e ligjore.

DITA E TRETË E NUMËRIMIT NË KQZ

10.20 Ka nisur sot dita e tretë e numërimit të votave nga KQZ. Mes kontestimeve të vazhdueshme të përfaqësuesve të PS-së, katër anëtarët e këtij komisioni po shkojnë përpara me numërim votash edhe për KZAZ për të cilat nuk ka vota të kontestuara të mirëfillta por vota të  konsideruara të pavlefshme. Sipas përfaqësuesve të PS-së po del në dritë që KQZ po numëron vota të cilat janë “kontestuar” në njëfarë mënyre disa ditë pasi KZAZ ka mbyllur numërimin, pra vetëm pasi kishte dalë rezultati paraprak për kryebashkiakun e Tiranës. Sipas nënkryetares Subashi, që kundërshton ndryshimin e tabelave të rezultateve të KZAZ-ve “Në asnjë rast nuk thuhet që KQZ mund të bëjë numërimin e votave të panumëruar. KQZ nuk e ka këtë të drejtë. Kodi në asnjë rast nuk thotë që KQZ të kthehet në KZAZ. Gjithashtu në asnjë rast nuk del që votat nuk janë numëruar”.

Por asgjë nuk ndal më KQZ-në në numërimin e saj. Tashmë janë hapur 53 me vota të kontestuara-të panumëruara: Lulzim Basha ka arritur të sigurojë 89 vota kundrejt 32 të akorduara për Edi Ramën.

Ndërkohë, jashtë KQZ-së militantët PS janë mbledhur para godinës dhe kanë nisur protestën. Policia ka forcuar kordonin policor si para oborrit të KQZ ashtu dhe tek dera e hyrjes së godinës. 

Së fundi ka ardhur nga ShBA, një thirrje e fundit drejtuar udhëheqësve dhe të gjithë anëtarëve të partive politike në Shqipëri për të respektuar procesin zgjedhor dhe të ruajnë qetësinë. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Filip Gordon thekson se dhuna dhe retorika që kërcënon ose nënkupton akte dhune nuk është me vend dhe përbën kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë.

19 maj 2011

KQZ E MBYLL PËR SOT: I JEP 80 VOTA BASHËS DHE 31 RAMËS

22.00 Pas ditës së dytë të numërimit drejtpërdrejt nga KQZ të votave të panumëruara, iu dhanë 80 vota Bashës dhe 31 Ramës. Tashmë, mbeten për nesër vetëm 11 kuti dhe fitorja  e Lulzim Bashës, “në tavolinë” siç e quajti rivali i tij Rama, duket e sigurt.

Jashtë ambienteve të selisë së KQZ-së dhe në qytete të ndryshme gjatë gjithë ditës kanë vazhduar protesta që herë herë kanë shkuar deri në përleshje apo në bllokime të akseve rrugore. Situata e nderë ka sjellë edhe shtyrjen e vizitës së kryetarit të Komisionit evropian Barroso dhe e komisarit për Zgjerimin Fule. Siç shpjegoi Pia Ahrenkilde, zëdhënëse e Komisionit BE “faktikisht mungojnë kushtet politike për mbarëvajtjen e misionit, sepse numërimi i votave pas zgjedhjeve të 8 majit ende nuk ka përfunduar, sepse ka pasur përleshje dhe opozita thërret shqiptarët në revoltë popullore.  Në këto kushte, do të ishte e vështirë të arrihej objektivi, pra të diskutohej e ardhmja evropiane e vendit. Kjo është arsyeja kryesore e anulimit të vizitës, që nuk mund të bëhet në kushtet e nevojshme për mbledhje të frytshme”.

PS: KQZ PO NXJERR MË SHUMË FLETA NGA Ç’ISHIN ATA QË VOTUAN MË 8 MAJ

20.15 Berisha tha se rinumërimi i votave bëhet për ata 300 vetë, të cilët kanë probleme me njohjen e ngjyrave, sepse një përqindje e madhe e meshkujve dhe 0,5% e femrave nuk i dallojnë ngjyrat. Për PS-në i kundërpërgjigjet Braçe “Nëse ka një njeri që nuk dallon të bardhën nga e zeza, ai është Sali Berisha”. Sipas Braçes, në kutitë e votimit po gjenden më shumë fleta nga ç-ishin votuesit ndaj në kundërpërgjigjen e tij, ai u shpreh që “KQZ po kryen vepër penale” dhe “4 anëtarët e KQZ-së që po bëjnë këtë akt të paligjshëm do të përballen me ligjin”.

BERISHA: NUMËRIMI I TANISHËM ËSHTË AKT I DETYRUESHËM

18.40 Vazhdon hapja e kutive nga KQZ dhe shtimi i votave për kandidatët: 65 për Bashën dhe 24 për Ramën. Tani, në konferencë për shtyp, Berisha justifikon veprimin e KQZ-së të këtyre dy ditëve të fundit. “300 votat e hedhura në kutinë e gabuar, nuk mund të mos merren parasysh” thotë kryeministri që shpjegon “KQZ po funksionon si komision zonal për Tiranën, po kryen detyrën e saj ligjore për të numëruar çdo votë të panumëruar”. Ai akuzon PS-në se po përpiqet të asgjësojë komisionin qendror zgjedhor. Sipas tij opozita me kërcënime, me akte brutale, kërkon të ndalojnë zemrekun e procesit elektoral.

KQZ VAZHDON NUMËRIMIN, SOCIALISTËT VAZHDOJNË PROTESTËN

16.30 Ndërsa KQZ vazhdon numërimin e kutive nga i cili thellohet “fitorja në tavolinë” e Bashës ndaj Ramës në 57 me 22, me fletët e kontestuara të 33 kutive, protesta e socialistëve po ndihet gjithnjë e më shumë veçanërisht në qarkullimin në disa akse rrugore. Është bllokuar aksi Gjirokastër-Tepelenë, në hyrje të qytetit të Tepelenës. Protestuesit kanë vendosur goma makinash të cilat më pas i kanë djegur. Situata është tensionuar dhe ka pasur edhe përleshje kur një automjet ka tentuar të kalojë por nuk është lejuar nga militantët PS. Në protestë është dhe deputeti PS Ethem Ruka. Në Fier, aksi Fier- Lushnjë është i bllokuar prej disa orësh. Në Vlorë, te Ura e Mifolit aksi Vlorë- Fier është i bllokuar. Protestuesit  kanë djegur gomat në mes të rrugës. Policia nuk ka ndërhyrë, dhe nuk ka pasur përleshje. Në Durrës protestuesit i janë drejtuar Tiranës. Pasi kanë protestuar dhe bllokuar për gati një orë autostradën Tiranë- Durrës, protestuesit janë larguar dhe të hipur në makina e autobusë dhe janë nisur në drejtim të Tiranës.

KQZ I NJEH 53 VOTA BASHËS DHE 19 RAMËS

14.50 KQZ vijon procesin e pazakontë të numërimit të zarfeve me votat e kontestuara apo “të panumëruara” siç po quhen tani, duke thelluar avantazhin e Bashës ndaj Ramës në 53 me 19 (janë hapur 31 kuti). Ndërsa përfaqësuesi ligjor i PS-së dhe nënkryetarja e KQZ-së kontestojnë çdo vendim madje kjo e fundit ka kërkuar që, në këtë pikë ku ka arritur procesi, është më mirë të rinumërohen të gjitha kutitë e Tiranës, pasi kështu si po zhvillohet “procesi është selektiv dhe i njëanshëm dhe ka për qëllim vetëm t’i japë fitoren Bashës”.

Në sitin zyrtar të saj KQZ ka ende të publikuar rezultatin e para disa ditëve pas përfundimit të numërimit normal nga KZAZ-të 484 kutive, dhe nuk ka futur aty asnjëherë shifrat e kutisë së fundit, për të dhënë një rezultat paraprak për kryebashkiakun e Tiranës, siç duhej të ndodhte. 

RAMA THIRRJE NDËRKOMBËTARËVE: “MOS LINI VETEM SHQIPERINE”

13.45 Kryetari i Partisë Socialiste i bëri apel përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe presidentit Topi të ndërhyjnë për të ndaluar atë që ai e quan “maskaradë” të votës së lirë. Në konferencën për shtyp të orës  13. 30 minuta nga selia rozë, ai shprehu keqardhjen për anulimin e vizitës së presidentit të KE-së, duke e cilësuar si një “sinjal aspak ogurmirë për Shqipërinë por dhe një reagim në një moment kur vendi ynë po përjeton dhunën e procesit zgjedhor”.

“Komisioni Qendror i Vjedhjeve, nën dhunën e patolerueshme të Saliut, po vazhdon krimin e patolerueshëm ndaj votës së lirë. Opozita nuk do të pushojë së kërkuari rrugëdaljen demokratike dhe ligjore nga ky qorrsokak ku e ka futur vendin Berisha, me përmbysjen e rezultatit në tavolinën e Komisionit Qendror të Vjedhjeve, deri edhe me fletë të sajuara e të zhytura në kuti”, tha Rama.

“Asnjëherë në një konflikt mes forcave politike në Shqipëri, nuk ka qenë më e qartë se kush është dhunuesi dhe kush i dhunuari”, tha Rama.

Kreu socialist i bëri thirrje presidentit të vendit, që në cilësinë e tij si garant i Kushtetutës, të veprojë në emër të mbrojtjes së votës së lirë si thelb i stabilitetit dhe u kërkoi “Ndihmë ndërkombëtarëve, ShBA-së, BE-së, OSBE-së dhe çdo miku e partneri ndërkombëtar  të mos lënë vetëm Shqipërinë e shqiptarët në këtë orë dramatike”.

BARROSO ANULON VIZITËN E TIJ NË SHQIPËRI

13.00 Zëdhënësja e KE-së jep lajmin që Kryetari i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso nuk do të vijë në  Tiranë. Vizita e tij parashikohej për të premten, më 20 maj, por situata e rënduar e dy ditëve të fundit duket se e ka shtyrë atë të heqë dorë, të paktën për tani.

KQZ VAZHDON NUMËRON VOTA NË FAVOR TË BASHËS, PLAS PROTESTA NË TIRANË, LEZHË, VLORË, FIER, KAVAJË

12.30 Në Shqipëri po ndodh diçka sa e pazakontë aq edhe e rëndë. KQZ prej ditës së djeshme vazhdon të numërojë dhe të shtojë në tabelat përmbledhëse të KZAZ-ve vota në favor të Bashës e ndonjë në favor të Ramës  të gjetura jo në kutitë ku ishin hedhur votat për kandidatët për kryetar bashkie të Tiranës por në të tjerat, duke marrë vendime vetëm me 4 ndër 7 anëtarët e saj. Tashmë kur janë hapur27 kuti i janë dhënë Bashës 49 vota dhe Ramës 15.

Ndërsa jashtë militantë dhe deputetë të PA-së kanë nisur protestat. Nga dyert e ambienteve të brendshme të KQZ-së turma mbahet larg nga forca të ndryshme e të shumta të thirrura për ruajtjen e rendit. Nga pamjet e drejtpërdrejta televizive  të Neës24 vihen re dhe përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të policisë të cilët janë të veshur me veshje speciale dhe me skafandra.

Protesta, e nxitur edhe nga thirrjet e eksponentëve të partisë socialiste, po shtrihet edhe përtej Tiranës.  Tashmë kanë shpërthyer edhe në Fier, Kavajë, Lezhë, Vlorë e Durrës. Protestuesit bllokojnë akset kryesore. Djegin goma makinash.

Protestuesit në Lezhë kanë bllokuar aksin rrugor Lezhë-Tiranë. Në Fier protestuesit kanë marshuar nga sheshi Fitorja për 5 km në këmbë duke u vendosur te Ura e Mbrostarit, pjesë e aksit Fier-Lushnjë, kanë vendosur goma makinash në mes të rrugës dhe i kanë vënë flakën. Në krye të protestuesve PS janë vënë re deputetë socialistë, si Gramoz Ruci. Protestuesit kanë deklaruar se do të bllokojnë aksin nacional deri në një afat të papërcaktuar. Në Kavajë qindra protestues kanë bllokuar aksin rrugor Rrogozhinë-Kavajë. Ata kanë djegur gomat e makinave në mes të rrugës dhe kanë deklaruar se do t-i drejtohen me vonë Tiranës. Në Durrës qindra militantë PS protestojnë duke ecur në këmbë nga Muzeu i Dëshmorëve deri në hyrje të autostradës Durrës-Tiranë. Kanë hyrë në autostradë e po i drejtohen Tiranës duke bllokuar lëvizjen e trafikut në autostradë. Në krye të protestuesve janë deputetë socialistë, si Blendi Klosi.

KQZ RINIS NUMËRIMIN E VOTAVE TË KONTESTUARA

10.20 Ka rinisur mbledhja e KQZ-së për numërimin e votave të kontestuara. Dje deri në orët e vona të mbrëmjes, janë numëruar 20 kuti votimi tek të cilat kanë rezultuar 60 fletë votimi të njohura më pas si të vlefshme. Rezultuan 46 në favor të kandidatit demokrat, Lulzim Basha dhe 14 vota për Edi Ramën. Nëse këto vota do t’i shtohen rezultatit paraprak për kryeqytetit, siç po vepron KQZ duke ndryshuar tabelat përmbledhëse të ardhura nga KZAZ-të, atëherë Basha figuron fitues me 22 vota më shumë se rivali i tij socialist i Aleancës për të Ardhmen.

KQZ I NJEH 29 VOTA BASHËS DHE 10 RAMËS

22.00 Deri tani KQZ ka hapur 17 zarfe të po aq kutive  me vota të kontestuara sepse të futura në kuti të gabuara. I kanë shkuar Bashës 29 vota dhe Ramës 10.

Për të njëqindtën herë në këtë proces zgjedhor ndërhyn sot në darkë edhe ambasadori amerikan Arvizu sipas të cilit KQZ duhet të nxirrte rezultatin paraprak, atë që doli nga kutitë për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë dhe që të gjithë e dinë.

KQZ HAP 13 KUTI: 20 VOTA PËR BASHËN, 8 PËR RAMËN

20.30 Vazhdon numërimi i atyre votave të hedhura në kutitë e gabuara që sot po quhen “të panumëruara”. Përfundoi numërimi për njësinë 3 dhe tani po hapen ato kutitë e njësisë 4. Paralelisht me numërimin e këtyre fletëve po ndryshohen edhe tabelat përmbledhëse të KZAZ-ve. Deri tani janë numëruar ky lloj votash në 13 kuti dhe i janë shtuar 20 vota Bashës dhe 8 Ramës.

HAPEN 7 KUTI TË NJËSISË 3: 10 VOTA PËR BASHËN 6 PËR RAMËN

19.15 Tashmë duket që Lulzim Basha duhet të fitojë. Në të gjitha zarfet e veçanta me fletët e futura në kutitë e gabuara po gjenden me shume vota për kandidatin Basha të cilat po merren në konsideratë e me to po ndryshohen tabelat e KZAZ-ve. Edhe pse këto fletë nuk kanë asnjë shënim nga pas siç parashikon kodi zgjedhor në nenin 118 pika 5 “Për secilën fletë të kontestuar, në pjesën e prapme të saj numëruesi i parë i Grupit të Numërimit shënon qartë arsyet e kontestimit”. Për më tepër edhe kur në këto zarfe gjenden më pak fletë nga ç’deklarohet në procesverbalin shoqërues (edhe në këtë pikë neni 118 në pikën 5 flet qartë: “për votat e kontestuara mbahet një procesverbal i veçantë, sipas modelit të përcaktuar me vendim të KQZ-së, në të cilin pasqyrohet numri i përgjithshëm i fletëve të votimit të kontestuara për QV-në përkatëse”) vazhdohet të merren në konsideratë fletët të gjetura, me gjithë kundërshtimet e përfaqësuesit të PS-së sipas të cilit fletët që mungojnë mund të jenë pikërisht të kandidatit tjetër. Por kryetari Ristani shkon përpara duke i këshilluar socialistët të ankimohen pas përfundimit të procesit.

RAMA: “KRYEMINISTRI PO REALIZON REVANSH ANTILIGJORE

19.00 Kryetari i PS, Edi Rama shpreh shqetësimin për procesin e numërimit të votave të kontestuara që po ndodh në KQZ, i paligjshëm sipas tij

 “Shpreh shqetësimin për çka po ndodh sot dhe për çka mund të ndodhë nesër, pas këtij numërimi të paligjshëm të votës së popullit në KQZ. E panë dhe e dëgjuan të gjithë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar se ne fituam zgjedhjet. Fitore e qartë, edhe pse me 10 vota”, ka deklaruar Rama sot pasdite.
Sipas tij, manipulimi i procesit, që ka si autor kryeministrin, ka filluar që më 8 maj kur Berisha ka kërkuar sipas tij që PS të pranojë rezultatin.
“Në kryeqytet ekziston një diferencë e madhe votash mes nesh dhe rivalit tonë. Saliu kërkoi që në fillim të numërimit që unë të pranoja rezultatin. Kohë të tëra, para 8 majit dhe ditën e votimit, të gjithë e dinin që unë isha i gatshëm ta pranoja rezultatin. Por vota e popullit na ndan dhe më 8 maj doli fitorja jonë dhe humbja e Saliut”, ka pohuar Rama.
Lideri i opozitës ka akuzuar kryeministrin, se përmes KQZ-së po realizon një “revansh antiligjor” për të sunduar vendin me regjimin e tij. “Saliu zgjodhi mospranimin e rezultatit dhe një revansh antiligjor. S’ka më keq për një vend që meriton më shumë. Vendi sundohet nga një politikë e pafytyrë që është kthyer në një regjim. Me drejtimin e Saliut, KQZ është kthyer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Komisionin Qendror të vjedhjeve”, ka theksuar Rama.
“KQZ, në shkelje të ligjit, vodhi rezultatin dhe hapi ferrin për të drejtat e njeriut dhe qytetarit. Kanë qenë vota të pavlefshme dhe pikë. Kutitë nuk mund të hapeshin. Kjo përmbysje e dhunshme cenon stabilitetin e shoqërisë, që nuk do t’i përkasë oborrit të kësaj qeverie. Demokracia shqiptare po përpëlitet. Qytetarët ndodhen përpara një sistemi të tërë dhune, padrejtësie dhe korrupsioni”, ka shtuar Rama.

HAPET NJË TJETËR KUTI. BASHËS I SHTOHET NJË TJETËR VOTË

18.00 Rinisin punimet e KQZ-së. Pas kontestimeve të përfaqësuesit të PS-së, kryetari i KQZ-së vendos hapjen e një tjetër kutie të njësisë 3. Fletët e futura në zarfin e veçantë që konsiderohen të kontestuara nuk përmbajnë asnjë shënim të KZAZ-së nga pas siç parashikon ligji zgjedhor. Edhe pse në shënimin që shoqëronte zarfin, flitej për dy fletë për kryetar bashkie të futura gabimisht në kuti tjetër, u gjet vetëm një fletë, në favor të Bashës. Një tjetër votë në favor të tij.

SITUATË E NDERË NË KQZ – PËRMBLEDHJE E DITËS

16.30 Që orët e para të mëngjesit, jashtë KQZ- së ka pasur dyndje të deputetëve socialistë. Forca të ndryshme të policisë kanë mbajtur larg sallës së punimeve të mbledhjes së KQZ-së deputetët e PS-së. Këta të fundit vazhdojnë të kërkojnë të jenë të pranishëm në sallë kur të ketë vendimmarrje.

Gjatë paradites, ka pasur edhe përleshje me grushte mes dikujt që ndodhej në oborrin e KQZ dhe një simpatizanti të PS-së jashtë oborrit.

Brenda KQZ-së, pak pas mesdite, pas një debati të ashpër mes kreut të KQZ-së dhe nënkryetares së këtij komisioni, u vendos hapja e kutive, edhe pse nga KZAZ-të ka tabelë përfundimtare. “Tabelat e KZAZ-ve janë të mbyllura e nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në hapjen e kutive të votimit. Po degradohet procesi. Nëse ju hapni kutitë e votimit nuk ka më proces votimi. Ju po bëni një akt të paligjshëm, sepse akti normativ do 5 vota. Po bëni shkelje të kodit zgjedhor me pasojë të rëndë” tha nënkryetarja e KQZ Subashi që u bëri thirrje punonjësve të KQZ-së “Mos ndërhyni në kutitë e votimit urdhrat janë të paligjshme. Do përballeni me ligjin”. Por debati nuk ndryshoi rendin e ditës dhe u vijua me hapjen e kutive të votimit.

Nga çasti kur u vendos hapja, brenda të cilave janë vënë zarfet me votat e futura në kutitë e gabuara, çdo vendim, i marrë me vetëm 4 votat e mazhorancës, është pasuar nga debate të ashpra mes përfaqësuesve të PS-së dhe pjesës tjetër. Përfundimi i punimeve të KQZ-së deri në orën 16.00, është shtimi me tre vota i rezultatit për Lulzim Bashën dhe një për Edi Ramën. Pritet që mbledhja të rifillojë në orën 18.00.

KQZ I SHTON 3 VOTA BASHËS DHE 1 RAMËS

16.00 Me diskutimin e kontestimeve të vetëm dy kutive, deri tani KQZ i shtoi 3 vota Bashës dhe 1 Ramës. Të gjitha vendimet e tanishme po marrin vetëm 4 votat e mazhorancës. Mbledhja e KQZ-se eshte ndaluar per te vazhduar ne oren 18.00 me diskutimin e te tjera kutive te kontestuara te njesise 3.

Jashtë ambienteve të KQZ-së ka shumë forca policie që ndalojnë hyrjen e socialistëve në sallën e KQZ-së.

KQZ NDRYSHON TABELEN PËRMBLEDHËSE TË KZAZ-SE DUKE SHTUAR VOTAT PËR BASHËN TË FUTURA NË KUTI TË GABUARA

15.30 KQZ, sapo vendosi të quajë të vlefshme dy fletë votimi për Bashën të gjetura në kuti të gabuara dhe të ndryshojë tabelën e KZAZ-së 47. Sipas përfaqësuesve të PS-së, KQZ nuk ka të drejtë të ndryshojë tabelat e sjella nga KZAZ-të, ndërsa Ristani, kryetari i KQZ-së pohon që shtimi i këtyre votave në favor të Bashës mund të kontestohet nga pala tjetër më vonë në Kolegjin Zgjedhor. Ndërsa jashtë KQZ-së janë mbledhur deputetë socialistë dhe mbështetës të tyre, të mbajtur në distancë nga dy kordonë policie.

17 maj 2011

BASHA I KËRKON KQZ-SË TË NUMËROJË EDHE VOTAT E HEDHURA NË KUTITË E GABUARA

22.00 Kandidati demokrat për Kryetar të Bashkisë në Tiranë, Lulzim Basha i kërkon KQZ-së në cilësinë e KZAZ-së për Tiranën, që të numërojë çdo votë të vendosur aksidentalisht në kutitë e tjera për funksionet e tjera, ndërsa akuzoi kreun e PS-së se po bën presion mbi këtë institucion. “Këto janë vota plotësisht të vlefshme dhe askush nuk ka të drejtë t’ua mohojë qytetarëve që ushtruan të drejtën për të votuar”, tha Basha gjatë një konference për shtyp nga selia e Partisë Demokratike.

Basha u shpreh se disa bashkëpunëtorë të z. Rama po mundohen të bllokojnë aktualisht me një përpjekje të dëshpëruar procesin e numërimit të cdo vote të hedhur nga qytetarët.

Basha vlerësoi se, “numërimi i votave për kreun e bashkisë së Tiranës të vendosura në kutitë për funksione të tjera ka të bëjë me respektimin e zërit të çdo qytetari”. “Unë i kërkoj KQZ-së të numërojë çdo votë, që aktualisht nuk është numëruar dhe ta bëjë këtë në mënyrë objektive, të ndershme, transparente dhe apolitike”.

DEPUTETËT E PS-SË LËNË SALLËN E KQZ-SË PAS GJASHTESH ORESH

21.20 Deputetët e Partisë Socialiste (PS) u larguan të martën në mbrëmje nga salla e mbledhjeve të KQZ-së, ku qëndronin prej disa orësh, duke paralajmëruar rikthimin sërisht nesër për të mos lejuar miratimin e pr/aktit për rivlerësimin e fletëve të kontestuara për bashkinë e Tiranës.
Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, i shoqëruar nga deputetë të tjerë të opozitës, kërkoi që të respektohet vullneti i qytetarëve në përputhje me rregullat dhe ligjet në një vend demokratik dhe e quajti pr/aktin që do të miratonte sot KQZ, si “thelbësisht i paligjshëm, që synon të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë”. 
Ai i bëri thirrje gjithë qytetarëve që të mblidhen nesër në orën 09:00 para selisë së KQZ-së për të marrë pjesë në këtë mbledhje të KQZ-së. “Përsa kohë KQZ-ja nuk po mblidhet dhe do të mblidhet nesër, ne do të jemi këtu për të asistuar në një mbledhje të rregullt të KQZ-së, ku do të marrim pjesë në atë mbledhje ku duhet të dalë ajo që shqiptarët kanë parë, fitorja e Edi Ramës”, tha ai. 
Braçe bëri thirrje që “bashkë me ne, nesër do të jetë çdo shqiptar, që do të vijë këtu duke filluar nga ora 09.00 e mëngjesit, që të ndjekin këtë mbledhje të hapur të KQZ-së”.

PS: KQZ TË NXJERRË REZULTATIN, NË TË KUNDËRT DO TË PËRBALLET ME REVOLTËN POPULLORE     

21.00 Partia Socialiste ripërsërit kërkesën e saj, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të nxjerrë sa më shpejt rezultatin për bashkinë e Tiranës, në të kundërtën, do të përballet me një revoltë popullore. 
“KQZ-ja duhet thjesht të nxjerrë rezultatin e Tiranës si shumë aritmetike e 11 tabelave përmbledhëse të rezultateve për çdo njësi bashkiake në kryeqytet. Çdo rezultat tjetër është një dhunim i patolerueshëm, të cilit populli do detyrohet t’i përgjigjet me të gjithë fuqinë e vet”, tha deputetja e PS-së dhe zëdhënëse e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli. Ajo njoftoi se, nëse KQZ nuk tërhiqet nga synimi i saj, atëherë do të përballet me revoltën popullore. 
“Berisha të ndalë aventurën me pasoja për stabilitetin e vendit me skenën e përgatitur për një krim të pashembullt nga KQZ-ja. Qytetarët janë të thirrur në frymën e revoltës popullore që të mos lejojnë vjedhjen e votës”, deklaroi Kodheli.

SUBASHI: KQZ TË VIJOJË PUNËN ME SHQYRTIMIN E ÇËSHTJEVE ZGJEDHORE

18.00 Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi u bën thirrje kolegëve të saj që të vijojnë gjatë pasdites së sotme mbledhjen e parashikuar për shqyrtimin e tabelës përmbledhëse të KZAZ-së Nr. 49, për kryeqytetin. 
Në një deklaratë për shtyp, ajo tha se ” shtyrja e mbledhjeve të KQZ-së në këtë çast, kur priten rezultatet pas votimit, është në kundërshtim me kodin zgjedhor”.
“Ne kemi detyrimin të merremi me çështje zgjedhore dhe jo të pezullojmë punën. I bëj thirrje kolegëve që këtë mbledhje ta mbajmë në orët e pasdites dhe të bëjmë vendimarrjen e duhur edhe për çështjet e tjera zgjedhore”, theksoi Subashi.

ANULLOHET MBLEDHJA E SOTME E KQZ-së

18.00 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve anulon mbledhjen e sotme ku pritej të diskutohej projekt-akti për fletët e votimit të kontestuara në Tiranë, të hedhura në kutitë e gabuara dhe që parashikohen të jenë pjesë e rezultatit për bashkinë e Tiranës.
Sipas burimeve zyrtare nga KQZ, anulimi i kësaj mbledhje bëhet për të qetësuar situatën në mjediset e Komisionit Zgjedhor, ku që nga mesdita vijojnë të jenë prezentë deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, të cilët kundërshtojnë pr/aktin e KQZ-së si dhe kërkojnë  certifikimin sa më parë nga ky institucion të rezultatit për kryetar bashkie në Tiranë.

RAMA: NXJERRJA E REZULTATIT SIPAS PROCESVERBALEVE ËSHTË KËRKESË E LIGJIT DHE E NDËRKOMBËTARËVE

16.00 Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se “KQZ ka detyrim ligjor që thjeshtë të shpallë rezultatin, mbështetur mbi 485 procesverbalet”, të cilat sipas tij, disponohen nga opozita, për çdo votë të numëruar në çdo kuti të kryeqytetit.
Gjatë një deklarate për shtyp, kryesocialisti u shpreh se “kjo që po ndodh sot, kalon çdo cak të arsyes dhe kërcënon kufirin e fundit të durimit të popullit, që votoi rezultatin e njohur botërisht”.
Më tej kreu i selisë rozë vuri në dukje se, tentativa për ndryshim të rezultatit në Tiranë, nëpërmjet një vendimi të paligjshëm, është një akt dhune që kërcënon vetë stabilitetin e vendit.
“Apeli im për Berishën është që të ndalet këtu dhe të mos imponojë një shkelje ligjore, që nxjerr nga kontrolli procesin dhe minon themelet e bashkëjetesës demokratike në këtë vend”, theksoi Rama.
Sipas tij, “Shqipëria sot ka nevojë për ekulibër, qetësi dhe siguri në rrugën e saj dhe shqiptarëve politika u detyrohet respekt për votën e tyre, punë për zgjidhjen e problemeve të tyre, vizon për të ardhmen e tyre” dhe shprehu gatishmërinë e opozitës për të ofruar kontributin e saj me respekt, punë dhe vizion për Shqipërinë e të gjithëve.
“Kemi qenë të qartë këto ditë, duke shprehur vullnetit tonë për të parë përpara dhe duke ofruar kontributin tonë për një klimë të re politike. Por nëse vihemi sot nga KQZ përpara mbrapshtisë së një fakti të kryer në shkelje të ligjit, s’ka pikë dyshimi që do të reagojmë me të gjitha fuqinë e të drejtës që ka sot me vete populli mbarë”, deklaroi Rama.      
Ai shtoi se nxjerrja e rezutatin mbi bazën e 485 procesverbaleve të 485 qëndrave të votimit në Tiranë, është kërkesë e ligjit, e qytetarëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
“Ne presim me durim që kjo të ndodhë dhe i siguroj qytetarët se nuk ka forcë që të vjedhë forcërisht rezultatin tonë fitues në Tiranë”, përfundoi kreu i PS-së, Edi Rama.

PEZULLOHET MBLEDHJA E KQZ-SË. DEPUTETËVE SOCIALISTË KANË ZAPTUAR SALLËN

15.00 Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani pezulloi mbledhjen e këtij komisioni të martën në mesdite ku ishte parashikuar të shqyrtohej projekt-akti për fletët e kontestuara, për shkak të pranisë së shumë deputetëve socialistë në sallën e mbledhjeve të këtij komisioni.
Në mbledhjen që ishte parashikuar të niste rreth orës 14:00, KQZ do të shqyrtonte një projekt-akt, i cili autorizon këtë komision të vlerësojë fletët e votimit që janë hedhur në kutinë e gabuar dhe që janë konsideruar të kontestueshme nga komisionerët e KZAZ-ve përkatëse në Tiranë.  
Deputetët socialistë mbërritën në ambientet e KQZ-së pas një vendimi të menjëhershëm të grupit parlamentar të PS-së, për të kundërshtuar miratimin e këtij projekt-akti.
Në një prononcim për mediat, Ristani e cilësoi një presion të pastër politik praninë e deputetëve socialistë në sallën e mbledhjeve të KQZ-së dhe një pengesë për punën e KQZ-së.
“KQZ është e vendosur të numëroj çdo votë që shqiptarët kanë hedhur në kutitë e votimit. Nga vetë mënyra se si u sollën deputetët socialistë unë e përkthej si një presion të pastër politik. Për më tepër, burra që përplasnin këmbët në dysheme mu duk shumë kërcënuese dhe aspak e sjellshme”, tha Ristani.
Sipas tij “do të merren të gjitha masat që institucioni të funksionojë në rregull, pasi Shqipëria është një shtet institucional dhe ligji sigurisht që do të verë rregull”.
I pyetur nëse ky projekt-akt do të shqyrtohet gjatë ditës së sotme, Ristani tha se “në rast se situata do qetësohet ne jemi të gatshëm të bëjmë punën tonë”.
Ndërkohë, deputetët socialistë vijojnë të qëndrojnë në sallën e mbledhjeve të KQZ-së edhe pse mbledhja është pezulluar prej disa minutash nga Kreu i KQZ-së dhe asnjë prej anëtarëve të këtij komisioni nuk ndodhet në sallë.

AMBASADORËT E SHBA, BE, OSBE: “KQZ TË SHPALLË SA MË SHPEJT REZULTATIN E ZGJEDHJEVE NË TIRANË”

10.50 Kryetari i pranisë së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ambasadori i SHBA-së, Aleksander Arvizu dhe Kreu i Delegacionit të BE-së, Ettore Sequi, pasi ndoqën edhe netëve numërimin ne votave në Tiranë, pasi u takuan dje edhe me kreun e KQZ-së, Ristani, dhe nënkryetaren Subashi, bëjnë thirrje për shpalljen me shpejtësi të rezultatit të zgjedhjeve vendore të 8 majit në Tiranë nga KQZ. 
Zyra e shtypit e OSBE-së bëri të ditur se në deklaratën e tyre të përbashkët, tre ambasadorët theksojnë se “është thelbësore që rezultatet zyrtare paraprake të hidhen në tabelë me kujdes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të shpallen me shpejtësi”.
Duke vënë në dukje se ka kaluar më shumë se një javë që kur një numër i madh zgjedhësish në Tiranë votuan për postin e kryetarit të bashkisë, më 8 maj, ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së nënvizojnë se “qytetarët duan dhe meritojnë qartësi rreth rezultatit të zgjedhjeve”.
Në deklaratën e përbashkët ata e cilësojnë të rëndësishëm edhe faktin që procedurat për zgjidhjen e ankesave të jenë të qarta dhe në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të Shqipërisë, përfshirë Kodin Zgjedhor. “Ne presim që të dyja palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë plotësisht procesin demokratik”, përfundon deklarata e Ambasadorëve të OSBE-së, SHBA-së dhe BE-së në Shqipëri.

Romë. Qindra punonjës protestojnë kundër zhvendosjes së punës në Shqipëri

KQZ RINUMËROI VOTAT{br}Basha shpallet kryebashkiak të Tiranës