in

Shqipëria shpreh solidaritet me Belgjikën dhe me qytetarët e Brukselit

Kryeministri Rama: Evropa do të fitojë këtë luftë të re  

Me një koment në Twitter e Facebook, Kryeministri Rama shprehet mbi sulmet në Bruksel.

“Bombat që mbjellin vdekje për të pafajshmit në zemrën e Europës do ta ringrenë Europën për ta fituar, në emër të lirisë, këtë luftë të re!” shkruan kryeministri.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta shprehu sot ngushëllime për  viktimat e sotme të akteve terroriste në Bruksel.

“Ne jemi në solidaritet të plotë me Belgjikën dhe me të gjithë qytetarët e Brukselit. Terrorizmi nuk ka vend në Evropë. Shqipëria është përkrah partnerëve tanë euro-atlantikë për të çrrënjosur celulat terroriste”, deklaron Meta.

Sulmi ndaj Brukselit, thekson kryeparlamentari Meta, është sulm ndaj gjithë Evropës dhe njerëzimit.

“Ngushëllime familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Ne jemi të vendosur së bashku të mbrojmë vlerat demokratike që na bashkojnë”, thuhet në mesazhin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Shpërthimet në Bruksel, Balla: Duhet më shumë forcë për të goditur terrorizmin

Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla u shpreh se martën nga Brukseli se duhet më shumë forcë për të goditur terrorizmin.

Në një postim në rrjetin social ‘facebook’, Balla shkruan se Brukseli ndodhet nën sulme terroriste dhe se ai kishte qenë i pranishëm në momentin kur ndodhën shpërthimet, nga të cilat fatmirësisht kishte shpëtuar.

“Brukseli është nën sulme terroriste. Pas aeroportit u ktheva në stacionin e metrosë Maalbeck. Pak metra ose pak sekonda mund të ishin fatale. Edhe aty shpërthim. Duhet më shumë forcë për të goditur terrorizmin. Janë të pabesë”, citohet Balla.

Balla ndodhet në Bruksel për të marrë pjesë në takimin ‘Parlamenti Evropian – Asambleja Parlamentare e SEECP’. Ai mori pjesë në këtë takim në cilësinë e Kryetarit të Delegacionit të Shqipërisë, ndërsa mbajti një fjalim në takimin e zhvilluar në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE (AFET).

Kodheli: Ngushëllime popullit të Belgjikës, këtij aleati të padiskutueshëm të Shqipërisë

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dënoi sulmet terroriste në Bruksel ndërsa i shprehu ngushëllime popullit të Belgjikës.

“Një tjetër ditë terrori në zemër të Evropës, në Brukselin që mirëpret institucionet simbol të demokracisë dhe sigurisë.
Ngushëllime popullit të Belgjikës, këtij aleati të padiskutueshëm të Shqipërisë”, shkruan Kodheli në “Facebook”.

Kreu i KMSH, Bruçaj, dënon sulmet në Bruksel: Terrorizmi nuk ka lidhje me islamin

Kryetari i Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Skënder Bruçaj, dënoi sulmet terroriste që ndodhën në Bruksel.

Gjatë vizitës në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, me rastin e Ditës së Sulltan Nevruzit, Bruçaj tha për mediat se terrorizmi nuk ka lidhje me fenë islame, pasi islami do të thotë paqe.

“Aktet terroriste dhe terrori kanë goditur sërish. I lutem Zotit të sjellë paqe kudo në botë dhe shpresoj që siç është kjo ditë e Nevruzit, ditë e re, le të jetë për gjithë njerëzimin një ditë e re me paqen. Feja myslimane gjatë gjithë kohës e ka dënuar terrorin. Një fe që në islam do të thotë paqe, nuk ka lidhje me terrorin, terrori nuk ka fe. Nëse disa njerëz i lidhin në mënyrë të gabuar këto akte me fenë, do i bëhej qejfi atyre që i kanë bërë këto akte me qëllime të këqija”, tha Bruçaj.

 

 

Sulmet terroriste në Bruksel. Reagimi i Evropës

Gjiri i Bramit, një nga bukuritë e panjohura të bregdetit shqiptar