Takime me komunitetin shqiptar të krahinës së Lazios dhe përfaqësues të shoqatave arbëreshe për t’u njohur me mundësitë e rrugët për të mbështetur zhvillimin e Shqipërisë të parashikuara nga një program i IOM-it
Të Enjten më 17 maj, nga ora 10:00 deri në 17:30, pranë Centro Convegni Carte Geografiche (Via Napoli 36, Roma), do të mbahen një sërë takimesh me anëtarë të komunitetit të shqiptarëve në Itali dhe të arbëreshëve.
Ky aktivitet, në kuadrin e programit “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”, i financuar nga AICS-Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim dhe i realizuar nga IOM-Organizata Ndërkombëtare për Migracionin në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare, organizohet nga Fondacioni Onlus Migra.
Gjatë takimeve, përfaqësues të IOM, AICS, të Ministrit të Shtetit për Diasporën, të Ministrisë së Financës dhe të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, do t’u prezantojnë të pranishmëve, profesionistë, sipërmarrës, studentë, përfaqëues shoqatash shqiptare e arbëreshe, objektivat kryesore të programit dhe hapat e planifikuar për përmbushjen e tyre.
Punimet e kësaj dite do të përqendrohen mbi këto pika:
– Platforma ConnectAlbania që ka për qëllim të mbështesë anëtarët e diasporës shqiptare të bëhen agjentë zhvillimi në mënyrë që të inkurajojnë investimet dhe krijimin e vendeve të punës në Shqipëri.
– Mbështetja për hapjen e sipërmarrjeve të tipit të ri, start-up dhe spin-off, që ka për qëllim të mbështesë diasporën shqiptare të brezit të dytë në Itali, pikërisht për hapjen e tyre në Shqipëri. Bizneset Spin-off dhe Start-up janë veçanërisht të vyera sepse bazohen mbi rezultatet e kërkimeve shkencore akademike, dhe si të tilla, mundësojnë transferimin e njohurive drejtpërdrejt në fushën produktive dhe janë të afta të përthithin risitë e kërkimeve akademike më lehtë se aktivitetet private tradicionale.
– Përkrahja e transferimit të aftësive dhe kompetencave përmes ngritjes së një programi të bursave, qëllimi i të cilit është lehtësimi dhe përfshirja e anëtarëve të Diasporës Shqiptare, veçanërisht asaj në Itali, në zhvillimin socio-ekonomik të Shqipërisë.
– Përpilimi i një harte të Diasporës shqiptare në 5 krahina italiane, qëllimi i të cilës është identifikimi i profileve të Diasporës për t’u krahasuar me studimin e nevojave dhe përparësive sektoriale në Shqipëri që do të kryhen nga Programi, për të arritur në ngritjen e një programi angazhimesh afatshkurtra dhe biznesesh start-up.
Takime si këto të Romës, do të mbahen në vijim edhe në qytete të tjera të Italisë, programi i të cilave, sipas zyrës IOM në Tiranë, është:
më 18 maj në Firence,
më 21 maj në Torino
dhe më 22 maj në Milano
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)