Edhe pse rritet numri i rezidentëve të huaj në Shqipëri (8.330 në vitin 2013), ai mbetet i papërfillshëm krahasuar me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të tyre, mbi 1,4 milionë. Ja shifrat e raportit “Profili i zgjeruar i migracionit, 2013”
Romë, 23 dhjetor 2014 – Është kthyer në modë tashmë, veçanërisht këtej Adriatikut, të flitet për Shqipërinë të kthyer në “tokën e premtuar e italianëve”. Nga shkrimet e mediave, të bazuara edhe në ndonjë deklaratë të pambështetur në shifra reale e ndonjë ministri shqiptar, duket se në Shqipëri ka nisur një vërshim të huajsh – italianë në veçanti – që po e kthejnë vendin nga një vend emigracioni në një vend imigracioni. Është vërtet kështu?
Jo. Më saktësisht, është e vërtetë që numri i të huajve rezidentë në Shqipëri është rritur kohët e fundit, por ai mbetet i pallogaritshëm në krahasim me shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut. Madje nuk janë të paktë as ata që akoma dëshirojnë të largohen, e prova e drejtpërdrejtë ishte ngjarja e Vlorës e javës së shkuar kur, me mashtrimin se vende të BE-së po jepnin azil politik për shqiptarë, qindra vetë u dyndën në port.
Më 22 dhjetor në Tiranë u prezantua një raport i ministrisë së Brendshme dhe Organizatës ndërkombëtare për Migracionin (IOM) mbi “Profilin e Zgjeruar të migracionit në Shqipëri”, shifrat e të cilit janë interesante e flasin qartë: Shqipëria mbetet vend që prodhon emigracion, edhe pse vitet e fundit vërehet një rritje e ndjeshme në përqindje, por akoma thuajse e papërfillshme në shifra, e imigrantëve në Shqipëri (8.330 në vitin 2013).