in

Shqiptarë me shtetësi tjetër

Sipas Eurostat, gjatë vitit 2013, në vendet e BE-së, 41.700 shqiptarë kanë marrë shtetësi të huaj, kryesisht greke ose italiane. E duke parë të dhënat më të fundit të ofruara nga Instituti Statistikor italian, për vitin 2014, mund të parashikojmë statistika edhe më befasuese. 
Nga Rando DEVOLE
30 vendet e para prej nga vijnë të huajt që gjatë viti 2013 kanë marrë shtetësi evropiane (shtyp mbi tabelë për ta zmadhuar)

Lajmi është ky: Gjatë vitit 2013, në vendet e BE-së, kanë marrë shtetësi të huaj 41.700 shqiptarë. Të dhënat për shtetësinë i jep Eurostat, ku mund të gjenden edhe detaje të tjera.

Duhet të pranojmë që lajmi është mbresëlënës, sepse flitet vetëm për vendet e Bashkimit Europian, pa llogaritur kontinentet e tjera. Pra bëhet fjalë për shqiptarë që jetojnë prej vitesh në vende europiane dhe bëjnë kërkesën përkatëse pasi përmbushin kushtet për marrjen e shtetësisë së vendit ku kanë rezidencën.

Sipas statistikave të fundit Eurostat, në vitin 2013 kanë marrë njërën nga shtetësitë e vendeve anëtare të EU-28, saktësisht 984.800 njerëz, duke shënuar edhe një rritje prej 20% krahasuar me vitin 2012. Vendi që ka dhënë më shumë pasaporta ka qenë Spanja (225.800 ose 23%), Anglia (207.500 ose 21%), Gjermania (115.100 ose 12%), Italia (100.700 ose 10%) dhe Franca (97.300 ose 10%).

Po ata që e kanë marrë shtetësinë nga e kanë prejardhjen? E parashikueshme është e dhëna se 89% janë nga vendet jashtëkomunitare. Në vend të parë gjenden qytetarët nga Maroku (86.500, ose 8,8%), pastaj nga India (48.300, ose 4,9%), Turqia (46.500, ose 4,7%), Kolumbia (42.000, ose 4,3%), Shqipëria (41.700, ose 4,2%) dhe Ekuadori (40.400, ose 4,1%).

Pjesa më e madhe e marokenëve kanë marrë shtetësinë spanjolle, italiane, francize. Kurse pjesa dërrmuese e shqiptarëve, kanë marrë shtetësinë greke (62%) dhe atë italiane (32,8%).

Mirëpo Eurostat arrin të japë informacion deri në vitin 2013 (të dhënat mund të konsultohen këtu). Për vitin 2014, mund të parashikojmë statistika edhe më befasuese. Na mjaftojnë të dhënat e Italisë. Sipas Istat italian, gjatë vitit 2014 janë dhënë 29% më shumë shtetësi se një vit më parë. Gjatë këtij viti janë bërë qytetarë italianë gjithsej 21.300 shqiptarë. Mjafton kuota nga Italia për t’i rritur statistikat evropiane që do të vijnë në të ardhmen, nëse vijojnë me të njëjtin trend edhe në vendet e tjera.

Si të dhënat e Eurostat ashtu edhe të Istat-it italian, nuk na japin tani për tani hollësi për këtë kategori, sepse shtetësia mund të merret për arsye të ndryshme, si efekt i martesës me një qytetar të atij vendi, i natyralizimit, i lindjes në atë vend, etj.

Pasojat statistikore të këtyre të dhënave mund të japin ndonjëherë përshtypje të shtrembëruar. P.sh., pikërisht nga rritja e shqiptarëve që marrin shtetësi italiane duket sikur numri i përgjithshëm i tyre të ketë rënë. Në fakt, në fund të vitit të kaluar (31.12.2014) rezultonin në Itali 5.226 ose 1,1% shqiptarë më pak në krahasim me vitin e mëparshëm.

Por a mund të konsiderohet i huaj (italian në rastin e fundit), shqiptari që merr shtetësi tjetër? Ah, kjo është pyetje tjetër, disi komplekse, dhe kërkon përsiatje të posaçme.

Botuar në blogun Peizazhe të Fjalës

Lexo edhe: Mbi 21 mijë shqiptarë janë bërë edhe italianë gjatë vitit 2014

Shtetësia italiane. Rinis rrugëtimi i reformës në Dhomën e Deputetëve

Finlanda: “Rritje marramendëse kërkesash të pabaza azili nga shqiptarët. Asnjë nuk pranohet”