Spektakle, konferenca, ekspozita, filma. Janë të ndryshme veprimtaritë e shqiptarëve anembanë Italisë për festimin e 28 dhe 29 nëntorit.
Veç Javës së kulturës shqiptare në Parma, përurimit të ekspozitës “Shqipëria nga qielli e thellësitë blu” dhe takimit “Prometeo in Albania. Passaggi letterari e politici di un paese balcanico” në Romë, për të cilat kemi shkruar gjatë ditëve të fundit, ja edhe një përmbledhje e disa prej takimeve të organizuara nga shoqatat e ndryshme.
Torino
Qendra e Kulturës shqiptare dhe shoqata Groshgrup u japin takim shqiptarëve e dashamirësve të Shqipërisë më 27 nëntor nga ora 18.00, pranë Centro Interculturale Torino (via Taranto 160) për festën “Auguri Albania!”.
Mbrëmja do të nisë me përurimin e ekspozitës “Notte Fuori”, që do të qëndrojë hapur për publikun deri më 12 dhjetor, do të vazhdojë me prezantimin e guidës turistike “Tirana & Albania” nga vetë autorët, Benko Gjata dhe Francesco Vietti, dhe do të mbyllet me një banket me gatime shqiptare për të ngritur të gjithë bashkë një dolli për flamurin.
Trieste
Më 27 nëntor, ASAT organizon festën “Albanian Party – 102 vjet shtet”. Muzikë e gatime shqiptare, nga ora 19.00 në Oratoriumin në adresën via Cologna, 59.
Varese
Shoqata Shqipëria Ime organizon më 28 nëntor spektaklin “Gëzuar Shqipëri” me të ftuar Elhaida Danin, Nikollë Nikprelaj dhe Greta Koçi. Takimi të premten në orën 20.00 në Villa Pirelli (Via Edoardo Tabacchi, 20 Induno Olona, Varese).
Fermo
Shoqata Skanderbeg organizon konferencën “Historia, kultura dhe integrimi i komunitetit shqiptar në Marche”. Të premten, më 28 nëntor në orën 20.30 (Palazzo dei Priori, Sala dei Ritratti).
Në konferencë, e moderuar nga Arjol Kondi, do të marrin fjalën Don Vinicio Albanese, Granit Muçaj, Claudio Omiccioli, Suzana Hysi, Lola Fejzo, Ismail Iljasi, Migena Proi, Joe Artid Fejzo.
Më 29 nëntor nga ora 20.00 shoqata Skanderbeg organizon edhe darkën me muzikë shqiptare “Festa e 70-vjetorit të Çlirimit dhe 102-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”
Veprimtaritë do të mbyllen të dielën, më 30 nëntor, nga ora 10.00, me një tjetër festë në sheshin Skanderbeg të Fermos.
Foligno
Më 28 nëntor, në orën 21.00, në diskotekën Nuovo Mondo Mito (via della Vittoria, 7 – Montefalco) do të japin koncert Tuna Cozman dhe Shpat Kasapi.
Bari
Shoqata Luigj Gurakuqi e shqiptarëve në Puglia organizon “Festa e pavarësisë së Shqipërisë”. Këngë e valle shqiptare nga ora 20.30 e 28 nëntorit në Coco Bongo të Barit (tangenziale sud uscita 14/A, prolingamento di via Caldarola).
Asti
AssoAlbania Piemonte organizon më 29 nëntor koncertin “Feston Shqipja” me artistët Bujar Qamili, Enkelejda Arifi, Kozma Dushi, Rati, Hysni Alushi, Muharrem Hoxha dhe Zyliha Miloti. Spektakli do të mbahet në teatrin Alfieri të Astit, të shtunën në orën 21.00.
FELT MUSIC Club & School vazhdon traditën gjashtëvjeçare të festimit të Pavarësisë e organizon mbrëmjen “Jemi një … 102 vjet Pavarësi“. Në Romë (Via degli Ausoni, 84), më 28 nëntor, ora 22.00.
Gjithnjë në Romë, në kishën San Giovanni della Malva (Via Ponte Sisto 75), të dielën më 30 nëntor (në orën 17.30) do të mbahet koncerti “Là dove volano le Aquile” me drejtor artistik Tonin Xhanxhafillin, këngëtaren lirike Ana Lushi, violinisten Fatmira Fati, pianisten Marina Ciubotaru, fizarmonicistin Pjetër Pjetri. Prezantohet nga Fioralba Duma dhe Nevila Baku.
Casale Monferrato
Shoqata Komneni organizon “Ekspozitë të piktorëve shqiptarë të Monferratos” që do të inaugurohet të shtunën më 29 nëntor në orën 10.00 në Salone Tartara (piazza Castello). Në të njëjtin vend, në darkë nga ora 21.00, do të mbahet një koncert festiv me muzikë shqiptare.
Pistoia
Më 30 nëntor, komuniteti shqiptar i Pistoias dhe Konsullata e Nderit e Shqipërisë ftojnë të gjithë artdashësit të ndjekin koncertin e Ehaida Danit. Të dielën në orën 21.00 në Teatrin Manzoni.
Më 30 nëntor, në orën 20.00 në Sala dei Giganti Palazzo Liviano, corte Arco Vallaresso, të Padovës do të mbahet “Notat e Shqipërisë për një natë në Padova”. Në piano do të jetë Jozef F. Pjetri, në violinë dhe violë, Stela Marku Prela. Në koncert, do të marrin pjesë edhe pianisti i ri Josef Volpin dhe këngëtarja lirike Albana Kondi Redhaj.
Rimini
Shoqata Agimi e Riminit organizon “Festën e Flamurit 2014”. Këngë e valle tradicionale popullore romanjole dhe nga të gjitha trevat shqiptare live, me pjesëmarrjen e artistëve Artur Yzeiri, Lirir Tahirit, Saimir Shitit, Klodian Iljazi. Takimi të dielën më 30 nëntor në orën 18.00 në adresën via XXIII settembre 124/C Celle Rimini.