in

Shqiptarët mjeshtër të arratisjes

Arratisje verore: shqiptarët vazhdojnë të befasojnë burgjet italiane. Pas Soliçanos dhe Riminit, dy raste të bujshme të dënuarish që i shmangen ndëshkimit nëpërmjet arratisjes i kanë prishur qetësinë e administratës së burgjeve italiane. E kanë hedhur alarmin se shqiptarët është më lehtë t’i kapësh, se t’i mbash në burg.

Miki Rapi arratiset nga burgu i San Vittores në qendër të Milanos me metoda të Kontit të Montekristos. Nga burgu i Fermos dy të tjerë kapërcejnë murin rrethues dhe bashkohen me turmën festuese. Ende në kërkim, vështirë se kapen më.

Vite më parë, ndërsa faqet e gazetave ishin të mbushura me lajme arrestimesh shqiptarësh, një aktivist i vjetër shqiptar nga Milano shprehu nga faqet e kësaj të përkohshmeje teorinë se shqiptarët nuk bëjnë më shumë krime se të tjerët, por kapen më lehtë nga policia ngaqë “janë fillestarë e nuk dinë të ruhen”. Megjithë buzëqeshjen që mund të ngjallte kjo teori, nuk mund të thuhet se mund të aplikohet edhe në rastet e mbajtjes në burg të shqiptarëve ku italianët po zbulojnë se shqiptarët janë mjeshtra të vërtetë arratisjeje. Pas rasteve të bujshme të prillit e majit, kanë pritur gushtin shqiptarët e burgjeve të Italisë për të ndërmarrë një fushatë të vërtetë arratisjesh. Plot tre prej tyre kanë përfituar nga pushimet e verës dhe personeli i pakët që ruan në këtë periudhë strukturat ndëshkimore italiane, duke zënë faqet e para të shtypit. Në 10 gusht i dënuari shqiptar, Miki Rapi, arratiset nga burgu milanez i San Vittore-s, ndërsa në 15 gusht nga burgu i Fermos fluturojnë Skerdilajd Pashaj dhe kosovari Ruzhdi Beqiri. Një tjetër i dënuar kosovar, Fadil Bajrami, përpiqet të arratiset duke u lëshuar me çarçaf nga muri rrethues i burgut të Porto Axurros, por pasi kryen një fluturim prej 20 metrash kapet nga rojet. Departamenti i Administratës së burgjeve italiane, ka lëshuar alarmin. Arratisjet e të dënuarve nga burgjet italiane dhe tentativat e dështuara që janë regjistruar në këto javë të fundit, nënvizojnë specialistët, përbëjnë një femomen me të vërtetë shqetësues. “Ngushëllimi” është që ata që arratisen janë në përgjithësi jokomunitarë. Fakt është që italianëve nuk u leverdis të arratisen, sepse kësisoj humbasin lehtësirat që mund t’u ofrojë ligji, të cilave një tentativë arratisjeje do t’u vinte kryqin. Porse pjesa më e madhe e të dënuarve të huaj nuk ka skrupuj të tillë. Apo frikë.

Arratisja e Mikit

Ka gërmuar një vrimë me diametër 50 cm. me lugët e pirunjtë e burgut dhe pastaj është varur me një litar të bërë me çarçaf. Historia të kujton arratinë e Edmont Dantesit të Kontit të Monte Kristos. Kush e di në Miki Rapi e ka lexuar librin e Dymasë. Ndoshta s’ka patur kohë, sepse është vetëm 24 vjeç. Mbi të rëndojnë 8 vjet burg dhe akuza të provuara për dhunë seksuale, trafik klandestinësh dhe shfrytëzim të prostitucionit. Ndodhej në San Vittore vetëm që nga pranvera e kaluar, por mesa dukej për të edhe kaq shumë ishte. Arratisja ka ndodhur pak përpara mëngjezit të së dielës: për t’u larguar, Rapi dhe dy të dënuar të tjerë (që janë kapur), kanë përdorur mënyrën, tashmë klasike, të çarçafëve -gërshet, cepi i të cilëve lidhet me këmbën e ndonjë krevati a ndonjë ganxhe tjetër të mundshme.

Miki Rrapi, arratisur nga burgu i San Vittore-s në Milano duke gërmuar një brimë me lugët e pirunjtë e burgut
Pasi kanë gërmuar me durim një vrimë në murin e qelisë me enët e guxhinës, të tre kanë zbritur në korridor e më pas kanë përshkuar të pashqetësuar sektorë të ndryshëm të burgut. Pasi kanë mbërritur në murin rrethues kanë lidhur një litar stofi në hekurat e një kulle vrojtimi, ku mungonte roja. Rapi mesa duket ka përdorur një pemë për t’u hedhur më pas nga një lartësi prej gjashtë metrash. Ndërsa të tjerët nuk e kanë marrë një guxim të tillë dhe kanë mbetur brenda mureve. Duhet theksuar se burgu i San Vittore-s gjendet në zemër të Milanos dhe mëse një herë autoritetet kanë nënvizuar rrezikshmërinë e një fakti të tillë. Veç kësaj burgu i San Vittore-s është shembulli më flagrant i problemit tashmë shumëvjeçar të mbipopullimit të burgjeve në Itali: 1.480 të dënuar qëndrojnë në një hapësirë të llogaritur për 800 vetë. Personeli i këtij burgu duhet të numëronte 1.300 agjentë, ndërkohë që realisht aty punojnë vetëm 1.060, pa llogaritur këtu lejet, lejet e zakonshme, sëmundjet… Ditën e arratisjes së Mikit, pothuaj të gjitha kullat e rojes kanë qenë të zbrazëta, dhe me siguri shqiptari ka qenë në dijeni të një rasti të tillë që nuk duhej humbur.

Më kot vijojnë kërkimet e policisë: 24-vjeçari është tretur si kripa në ujë. Hetuesit kanë nisur të kërkojnë mes të njohurve të tij, me shpresën që ai do t’u drejtohet dikur atyre për ndihmë. Një nga hipotezat është që ish-i burgosuri të jetë arratisur për në Shqipëri, ku duhet të ketë mbërritur me ndonjë gomone apo duke shfrytëzuar linjat e tërthorta detare. I ka ardhur në ndihmë edhe fakti që mungesa e tij është zbuluar vetëm disa orë më vonë.

I shquar për karakterin e dhunshëm, Rapi ka qenë i njohur për policinë italiane nën të paktën dy emra të tjerë të remë. Derisa në 29 janar ishte arrestuar, së bashku me tre të tjerë, një italian dhe dy shqiptarë.

Episodi i ka sjellë ndërmend personelit të San Vittore-s, arratisjen e mahnitshme të një shqiptari tjetër, po nga ky burg, më shumë se dhjetë vjet më parë. Ishte 14 korrik kur agjentët paraqiten për të liruar Dalip Ibrahimin, por në vend të tij përgjigjet Shpend Malaj, me të njëjtën moshë dhe trup, e deri edhe me të njëjtin tatuazh si ai i Dalipit. Shpendi përshëndet rojet, duke dalë nga porta kryesore.

Pashaj dhe Beqiri

Burgu i Fermos hyn në grupin e burgjeve të “sigurisë së mesme”, por jo për t’u lënë të burgosurve të shpresojnë se të arratisesh prej tij është më e thjeshtë, por sepse struktura e ndërtesës ku është vendosur u përgjigjet disa parametrave të veçantë. Të cilat s’i kanë penguar dy të burgosurit Ruzhdi Beqiri dhe Skerdilajd Pashaj të zbatojnë një plan arratie si ai që shohim shpesh në kinema. Kanë dalë nga qelitë për të ashtuquajturën “orë të ajrimit” dhe janë larguar pa u vënë re nga askush, as brenda burgut (të dënuar, roje e telekamera), as edhe jashtë tij. Dhe duhet mbajtur parasysh se në orën kur ka ndodhur ngjarja, mijëra e mijëra njerëz qarkullonin nëpër rrugët e qendrës për të marrë pjesë në festën tradicionale “La Cavalcata dell’Assunta”. Sipas Departamentit të Administratës së burgjeve hipoteza më e mundshme është që arratisja të jetë realizuar duke kapërcyer murin nga ana e tij më e ulët, ajo që bie mbi kishën e Përdëllesës. E meqë nuk kanë përfunduar, as në morg e as në urgjencën e ndonjë spitali, mendohet se aventura u ka shkuar si s’ka më mirë. Eshtë e vërtetë që muri është pothuaj 5 metra i lartë, por ai ofron shumë lehtësi, si të dala e zgravra, ku mund të mbështetësh këmbën. Dy shqiptarët supozohet, kanë përshkruar atë zonë të burgut të Fermos që nuk mbulohet nga syri i telekameras. Vetëm pasi të burgosurit e tjerë kanë rihyrë nëpër qeli, është vënë re mungesa e dy të dënuarve. Por ka qenë tepër vonë.

Skerdilajd Pashaj, 25 vjeç, duhet të vuante dënimin me burg deri në 2009 për krime të lidhura me trafikun e drogës, ndërsa Ruzhdi Beqiri, 23 vjeç, duhet të qëndronte në burg deri në 2011 pas akuzave për pjesëmarrje në organizatë kriminale, vjedhje, rrëmbim personash dhe grabitje të përsëritur. Fillimisht ishte menduar se Pashaj dhe Beqiri ishin ndihmuar nga jashtë, porse një hipotezë e tillë po bëhet gjithnjë e më pak e besueshme pas sinjalizimeve të qytetarëve të ndryshëm italianë, të cilët pas bërjes publike të fotografive të dy të arratisurve, kanë deklaruar se i kanë parë në zonat përqark. Sipas dëshmisë së një gjuetari, njëri prej tyre, ndoshta kosovari, e ka ndalur atë për t’i kërkuar ujë dhe rroba.

Bota shqiptare 91 – shtator 2003

 

 

 

Burgu u rri ngushtë shqiptarëve

Burgu s’është për burrat