in

Shqiptarët të turpëruar nga Berisha

Letër në redaksi nga Mitat Shuli, Milano

berlusconi_berisha2.jpg

Për shqiptarët çdo ditë që kalon me kryeministër Berishën është një shuplakë, një shuplakë dinjitetit të tyre, seriozitetit, ndershmërisë, djersës që derdhin, vuajtjeve e mundit që kryeministri kokëfortë ka vendosur tua shtojë përditë.

Mbrëmë  titujt e lajmeve ishin Berlusconi – Berishës: ilegale do të lejojmë vetëm vajzat e bukura,në kontributin informativ pamë Berishën e zellshëm që me italishten alla-berisha detyroi Berluskonin ta korrigjonte e të lëshonte të fundit batutë që nuk mund të mos na bëjë të skuqemi. Që nga Shqipëria vijnë mjaft nga profesionistët e seksit  e dimë, që ky është një nga rezultatet më të mëdha të demokracisë berishiane bashkë me trafikantët e drogës, krimin e vogël dhe të organizuar, ashtu siç dimë analfabetizmin që po shtrihet nga pak në të gjithë Shqipërinë veçanërisht në veri, gjendjen e gruas shqiptare ku vajzave shqiptare nuk u ofrohet asnjë perspektivë në një vend ku punë nuk ka as për burrat këtë e dimë, por që kjo të zyrtarizohej në një  konferencë për shtyp të dy palo-kryeministrave kjo është vërtet shumë.

Mbrëmë si për dreq në të njëjtën orë në të cilat dëgjonim bëmat e dyshes Ber-Ber në një kanal tjetër jepej një dokumentar titulli “La caduta delle aquile”, shqip: rënia e shqiponjave, ndoshta nuk ishte nevoja as ta përktheja e as të shkruaj më. Një gjë është e sigurt, Berisha erdhi në Itali për të krijuar monopol politik. Kryeministri i pavotuar që po çon vendin në greminë erdhi t’i kërkojë mbështetje Berluskonit, monopol që do ta përdori në tryezën e nesërme përballë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Reagimet në Itali qenë e do të jenë akoma më të ashpra, një nga zëdhënësit e opozitës tha se po kthehemi në vitet njëzet. Berlusconi e Berisha kanë vendosur ta kthejnë Shqipërinë në koshin e plehrave të Italisë ku mund të bëjnë ato që nuk mund të bëjnë në Itali,ku do të çojnë edhe plehrat radioaktive që Italia ka si kujtim nga koha e centraleve bërthamore. Vërtet një ditë për t’u harruar për vendin e shqiponjave.

Mitat Shuli

 

Grupi i Ermal Metës zbarkon në Sanremo

A Berlusconi e alla sua voglia di belle ragazze dall’Albania