in

Shqiptari i guximshëm ndeshet me grabitësin. “Lejeqëndrim për motive të jashtëzakonshme”

Pas ukrahinasit që u vra pse u përpoq të ndalonte një hajdut, karabinierët sjellin sot rastin e një shqiptari të guximshëm, por që fatmirësisht, ndryshe nga Anatolij, pati sukses mbi banditin.

Romë, 12 shtator 2015 – Ndërsa sheh një person të maskuar e me pushkë në dorë, ndeshet me të, e çarmatos dhe e detyron t’ia mbathë. Gjithçka është filmuar nga telekamerat e pikëshitjes.

Ka ndodhur më 7 mars në Villa Briano të provincës së Casertës dhe i riu shqiptar, që tani për tani nuk i jepet identiteti, duket ka parandaluar kështu vjedhjen e një supermerkate.

E bëjnë të ditur karabinierët sot kur japin lajmin e arrestimit të pesë personave, të gjithë italianë, të akuzuar për grabitje në rrethana rënduese dhe mbajtje armësh pa leje. Sipas prokurorisë së Napolit, dy prej të arrestuarve janë përgjegjës për katër grabitje qendra tregtare në provincën e Casertas. Mes dyqaneve të vëna në shënjestër, edhe ai ku shqiptari ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për dështimin e vjedhjes.

Nga forcat e rendit mësohet se shqiptari është i ri dhe jeton në Itali vetëm prej pak muajsh. Nga imazhet video të karabinierëve shihet qartë një grabitës, me fytyrë të mbuluar e armë në dorë ndërsa është gati të hyjë në supermerkatë. Por nuk ia ka pritur mendja kurrë që i duhet t’i ruhet një të riu shqiptar: pa e menduar dy herë, ky e ndjek, e hedh në tokë, përleshet me të, e çarmatos dhe detyron që t’ia mbathë bashkë me tjetrin që e priste në makinë. Shqiptari, pa lejeqëndrim, është larguar e nuk ka qëndruar të merrte përgëzimet e merituara të të pranishmëve e të të zotëve të merkatës.

Gatishmëria e guximi i pazakontë i treguar nuk ka lënë indiferentë karabinierët që tani i kërkojnë ministrisë së brendshme t’i lëshojë lejeqëndrimin për motive të jashtëzakonshme drejtësie.

“Djali ka treguar një guxim të rrallë, pakkush do të ndërhynte po të ishte në vend të tij – komenton kapiteni Michele Centola, komandant i karabinierëve të Casal di Principe. – Gjesti i shqiptarit të kujton atë të të shkretit Anatolij”.

“Grabitësi i çarmatosur nga i riu shqiptar – vazhdon karabinieri – në një grabitje më parë nuk kishte hezituar të shtinte në ajër. Mund të kishte shkuar si mos më keq. Kemi kërkuar menjëherë për shqiptarin leje qëndrimi për motive të jashtëzakonshme”.

 

 

Rexhep Arifi, polici që merr në krah e përkëdhel fëmijën sirian, mallëngjen botën

Propozimi i Komisionit Evropian, “Shqipëria mes vendeve të sigurta”