in

Shtetësi shqiptare për të gjithë personat me origjinë shqiptare

Qeveria përcakton procedurat për njohjen e shtetësisë të gjithë atyre që kanë prejardhje shqiptare, përjashtuar kosovarët, me VKM: “Ky akt duhet të konsiderohet veçse në interesin më të mirë të shqiptarëve, paqes dhe stabilitetit”. Gjiknuri (PS): “Nuk ka legjimitet për të marrë vendim të tillë”. Gjykatësit kushtetues: “Mbi një çështje delikate si shtetësia nuk mund të vendoset me VKM”

Romë, 4 korrik 2013 – Me vendimin (VKM) 554 të datës 3 korrik qeveria në ikje e kryeministrit Sali Berisha përcakton procedurat për njohjen ose fitimin e shtetësisë nga personat me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Kosovës.

Nga vendimi i qeverisë – që hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare – përfitojnë: personat e lindur nga të paktën një prind, që zotëronte shtetësinë ose origjinën shqiptare në momentin e lindjes së kërkuesit, pavarësisht nga vendi i lindjes; personat, paraardhësit me shtetësi shqiptare të të cilëve nuk jetojnë më në momentin e paraqitjes së kërkesës, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë e personit kërkues me paraardhësin, i cili ka zotëruar shtetësinë shqiptare; personat me origjinë shqiptare që kanë shtetësinë e një shteti anëtar të Bashkimit Europian, SHBA-ve apo një shteti tjetër, shtetasit e të cilit mund të lëvizin pa viza në territorin e shteteve të zonës Shengen apo që janë me qëndrim me dokumentacion të rregullt në njërin prej këtyre shteteve; personat me origjinë shqiptare që zotërojnë shtetësinë e një shteti tjetër ose janë pa shtetësi, kur një nga prindërit e kërkuesit zotëron shtetësinë shqiptare; personat, prindërit e cilëve janë persona me origjinë shqiptare që kanë shtetësinë e një shteti tjetër ose nuk kanë shtetësi dhe kur kërkuesi ka lindur në territorin e republikës së Shqipërisë.

Sipas vendimit qeveritar, procedurat për paraqitjen e kërkesës, të dokumentacionit të nevojshëm provues, afatet e shqyrtimit, të njoftimit e të regjistrimit të shtetësisë, si dhe strukturat kompetente për trajtimin e kërkesës parashikohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Punëve të Jashtme. Ministri i Brendshëm propozon dhënien e shtetësisë shqiptare personit me origjinë shqiptare. Vendimi i ministrit të Brendshëm i dërgohet menjëherë Presidentit të Republikës që dekreton njohjen apo dhënien e shtetësisë shqiptare.

“Me këtë akt Shqipëria është vendi i fundit që u ofron bashkëkombësve të vet, atë që të tjerët ua kanë ofruar vite e vite më parë në rajon. – Ka deklaruar Berisha – Ky akt duhet të konsiderohet veçse në interesin më të mirë të shqiptarëve, paqes dhe stabilitetit”. Menjëherë më pas, kryeministri ka kërkuar mirëkuptimin e kosovarëve: “është interesi i tyre jetik që problemin e vizave me BE-në ta zgjidhin me anë të procedurave në respekt të plotë me udhërrëfyesin që Brukseli u ka dorëzuar autoriteteve të Kosovës për liberalizimin e vizave. Për Kosovën nuk duhet të jetë Shqipëria, por Brukseli që vendos për lëvizjen e lirë në hapësirën e Shengenit”.

“Sali Berisha kalon një vendim qeverie për çështje delikate të shtetësisë që karakterizohet nga populizmi i tij që populli e ndëshkoi me votë. Ky zotëri nuk ka më legjitimitet për të qeverisur pavarësisht se është akoma në detyrë si një qeveri në ikje” ka reaguar ndaj vendimit Damian Gjiknuri, deputet i Partisë socialiste.

“Ky është një rregullim që mban “era ligj” dhe nuk bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave” thotë konstitucionalisti Genti Ibrahimi. “Ajo që duket se nuk shkon në vendimin e Këshillit të Ministrave është fakti që ai në pjesën e parë, rregullat e përgjithshme, bën listën e personave që kanë të drejtë të fitojnë shtetësinë dhe kushtet. Një tjetër gjë që më bën përshtypje është që për personat me origjinë shqiptare parashihet një procedurë e veçantë. Personat me origjinë shqiptare kanë një avantazh në procedurat që i njeh ligji për dhënien e shtetësisë, por nuk mund të krijohet një procedurë e posaçme për ta, me vendim të KM-së. Më duket një tejkalim i asaj me të cilën duhet të merret Këshilli i Ministrave” shpjegon ai për gazetën Shekulli.

“Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, duhet të luajë rolin e administratorit të ekzekutivit, pa të drejtë vendimmarrjeje, deri në ngritjen e qeverisë në shtator nga e majta”. Është ky mendimi i ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, dhënë gazetës Shqip. “ Berisha nuk duhet të marrë vendime të tilla me rëndësi kombëtare” thotë Abdiu, i cili ishte shprehur kundër një VKM-je të tillë që ku kjo ishte paralajmëruar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 9 janar të këtij viti. “Nuk mund të mendohet, as të diskutohet dhe as të vendoset që të jepet shtetësia shqiptare me VKM. E them këtë, sepse ligjërisht ky është një problem shumë i rëndësishëm kushtetues që lidhet drejtpërdrejt me ligjet kushtetuese dhe veçanërisht me atë “Për shtetësinë”, që është një nga ligjet më të rëndësishme në vend” u shpreh asokohe.

Lexo të plotë Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 554 të datës 3 korrik 2013:
VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE PËR NJOHJEN OSE FITIMIN E SHTETËSISË SHQIPTARE NGA PERSONAT ME ORIGJINË SHQIPTARE, ME PËRJASHTIM TË SHTETASVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

Shtetësia. Në diskutimin në Dhomën e Deputetëve mbërrin edhe propozimi i M5S

Lihet i lirë Lleshi i akuzuar se hodhi të shoqen nga kati i nëntë