Propozimi i senatorit të PdL-s: “Bijtë e imigrantëve të bëhen italianë kur regjistrohen në shkollë. Mjaft me barrikada ideologjike, duhet logjikë e ftohtë”
Romë, 8 maj 2013 – “të ulim tonet, qeveria të mos përzihet e të punojë parlamenti. Vetëm kështu mund të gjejmë një zgjidhje për të ndryshuar ligjin shtetësisë në të mirë të bijve të imigrantëve”.
Këtë bindje ka Carlo Giovanardi, senator i PdL-s, që bashkë me kolegun Luigji Campagna, më 7 maj ka paraqitur një projekt ligji dedikuar brezave të dytë.
“Një mënyrë për t’u përballur me problemin në mënyrë praktike – shpjegon për stranieriinitalia.it – duke u nisur nga fakti që në sistemin tonë ligjor mbizotëron ‘ius sanguinis’ (shtetësia sipas gjakut), por që edhe parimi i ‘ius soli-t’ është i pranishëm. Në nenin 9, për shembull, thuhet që të huajit (në moshë madhore) i lindur në Itali që banon këtu prej të paktën tre vjetësh mund t’i jepet shtetësia”.
Pikërisht është një “dhënie” e ka të bëjë vetëm me ata që janë tashmë në moshë madhore.
“Për këtë arsye, projektligji ynë parashikon një mundësi të re. Kush lind në Itali nga prindër të huaj me banim të rregullt prej të paktën një viti bëhet automatikisht italian sapo regjistrohet në shkollën e detyrueshme. Kriteri i rezidencës njëvjeçare për prindërit shmang mundësinë që Italia të kthehet një ‘sallë lindjesh’ për mbarë botën”.
Pse duhet pritur mosha për shkollën e detyrueshme?
“Sepse një fëmijë 3 vjeç nuk i shtron problemin vetes nëse është italian apo jo. Ky problem lind kur shkon në klasë të parë fillore, kur krahason veten me fëmijët e tjerë: ju jeni italianë, po unë? Mund të ndihet i diskriminuar. Hyrja në shkollë është edhe takimi i parë me institucionet italiane. E për më tepër në këtë mënyrë mund të eliminohet dukuria e mosndjekjes së shkollës”.
Po kush nuk lind në Itali por vjen këtu që i vogël?
“Ëhtë tjetër situatë problematike, mbi të cilën duhet reflektuar. Ngre edhe pyetjen: po pasi fëmija bëhet italian, shtetësia duhet t’u shtrihet edhe prindërve? Jo, do të thosha”.
Ç’ndodh nëse ata prindër (bijtë e të cilëve janë bërë italianë) një ditë humbasin vendin e punës e të drejtën e qëndrimit në Itali?
Nëse prindërit nuk kanë më të drejtë të qëndrojnë në Italiduhet të kthehen në atdhe dhe fëmijët bahskë me ta, edhe pse janë bërë italianë. Këto nuk janë tema dytësore, duhen parë që të gjitha nga ana juridike”.
Pra jeni i mendimit se ka ardhur momenti të flitet seriozisht për shtetësinë e bijve të imigrantëve në Parlament?
“Po, është problem real, i Italisë që ndryshon. Për këtë arsye kam paraqitur propozimin tim, që më duket i arsyeshëm dhe i hapur ndaj diskutimit”.
Do të gjejë mbështetje në PdL?
“Para se ta paraqisja kam diskutuar me të tjerë. E jam i mendimit që njohja e shtetësisë në çastin e regjistrimit në shkollë është një pikë e pranueshme në shkallë të gjerë”.
“Si i shpjegoni atëherë polemikat e ditëve të fundit? Sapo Kyenge hapi gojë sikur ra qielli.
“Para së gjithash, reforma nuk mund të lindë nga një projekt ligji i qeverisë, është krejtësisht jashtë logjike. Besoj se duhet të punojë Parlamenti: duke diskutuar mbi çështjen në komisionet parlamentare, një zgjidhje të arsyeshme mund ta gjejmë. Me kundërvëniet ideologjike ngremë vetëm barrikada. Të bazojmë diskutimin mbi logjikën e ftohtë”.