in

Shtetësia italiane. 10 vjetët e rezidencës duhet të jenë në të njëjtën komunë?

Jetoj në Itali prej 12 vjetësh, gjithnjë me leje qëndrimi për punë. Fillimisht banoja në Milano e isha i regjistruar në Bashki. Më pas u transferova në Bergamo për punë e pas një viti kërkova aty rezidencën. Tani jetoj prej 4 vjetësh në Torino e këtu jam rezident. Për të paraqitur kërkesën për shtetësinë italiane, sa vjet duhet të jem rezident në të njëjtën komunë?

Për të kërkuar shtetësinë italiane për natyralizim konsiderohen të gjitha vitet e rezidencës në Itali, pavarësisht nëse këto vite keni qenë rezident në të njëjtën komunë apo në të ndryshme.

Sipas ligjit në fuqi, një i huaj konsiderohet rezident në territorin italian nëse përmbush qoftë kushtet e parashikuara nga normativa mbi hyrjen e qëndrimin e rregullt në Itali qoftë nga ato të parashikuara nga normat lidhur me regjistrimin në Zyrat e Gjendjes Civile (neni 1 D.P.R. nr. 572/93). Pra për t’u konsideruar ligjërisht rezident në Itali, i huaji duhet të ketë një dokument qëndrimi të vlefshëm dhe të jetë i regjistruar në Gjendjen Civile të Komunës ku jeton.

Fakti që i huaji gjatë periudhës së kërkuar ka jetuar në qytete të ndryshme duke zhvendosur në to edhe rezidencën e vet nuk ndikon negativisht në numërimin e viteve të përgjithshme të rezidencës në Itali, pasi nevojitet që rezidenca të jetë e vazhdueshme në Itali dhe jo në një komunë të vetme të saj.

Në bazë të nenit 9, paragrafi 1 i Ligjit 91/92, kërkesa e shtetësisë për rezidencë mund të paraqitet pas periudhës efektive të rezidencës në territorin italian (gjë që varet nga shtetësia e të huajit: 10 vjet për shqiptarët e jokomunitarët në përgjithësi, 4 vjet për shtetasit e BE-së dhe 5 vjet për personat e paatdhe.

Kujdes!

Rregullorja e zyrave të Gjendjes Civile të popullsisë rezidente parashikon detyrimin për shtetasit jokomunitarë të regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile t’i përtërijnë deklarimin e vendbanimit të zakonshëm, brenda 60 ditëve nga përtëritja e lejes së qëndrimit. Mospërtëritja e deklarimit sjell fshirjen nga lista e rezidentëve gjashtë muaj pas datës së skadencës së lejes së qëndrimit. Përpara fshirjes së emrit, zyra e Gjendjes Civile i nis një lajmërim të interesuarit në adresën e fundit të deklaruar prej tij duke e ftuar të paraqitet brenda 30 ditëve në komunë për sistemimin e situatës. Në rast se i huaji nuk paraqitet, fshirja nga lista bëhet për mosgjetje të personit dhe Komuna ia komunikon këtë gjë autoriteteve të sigurisë publike.

Ndaj është e këshillueshme t’i komunikohet zyrës së Gjendjes Civile çdo ndryshim i vendbanimit në mënyrë që të shmanget fshirja nga lista e rezidentëve gjë që mund të rrezikojë përmbushjen e kriterit të rezidencës së vazhdueshme të nevojshme për paraqitjen e kërkesës së shtetësisë.  

Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Me cilën pasaportë gjen më shumë kufij hapur?

Bashkimi familjar. Si paraqitet kërkesa, ç’formularë nevojiten?