in

Shtetësia italiane. Edhe në programin e Renzit, ius soli për brezat e dytë

“Fëmijëve që studiojnë në Itali duhet t’u njihet shtetësia italiane”. 
Edhe shtetësia për brezat e dytë sipas parimit të ius soli “të zbutur”, mes reformave që ka në program të realizojë kryeministri Matteo Renzi dhe që i ka prezantuar sot në Senat ku qeveria e tij po kërkon votëbesimin

Romë, 24 shkurt 2014 – Gjatë diskutimit programatik të mbajtur nga Renzi në Senat, mes reformave urgjente për vendin, gjen vend edhe ius soli i zbutur për brezat e dytë.

Është i vetmi çast kur kryeministri trajton imigracionin dhe qytetarët e rinj  dhe ndryshe nga kryeministra të tjerë flet për ta në “kapitullin” e integrimit e të të drejtave dhe jo në atë të sigurisë e ruajtjes së rendit. Sepse “të mbrosh idenë se identiteti është kundër integrimit – thotë Renzi – do të thotë të mos kuptosh realitetin”.

Renzi nuk ka dyshim, “mbi integrimin, të drejtat civile dhe shtetësinë sipas ius soli duhen lënë mënjanë flamujt e përkatësisë, duhen bërë përpjekje për të dëgjuar tjetrin dhe duhet gjetur një pikë e përbashkët. Mbi të drejtat duhet gjetur një kompromis, edhe kur ky nuk na kënaq plotësisht. Shpresoj që me këtë qeveri dhe me ndihmën tuaj të gjejmë një pikë të përbashkët mes ideve të ndryshme”. Por deri tani, vë në dukje Renzi, debati mbi identitetin, të drejtat civile, të qytetarisë, ka qenë burim ndeshjeje mes forcave të ndryshme politike, asnjëra prej të cilave është tundur nga istikami, ndaj edhe nuk është bërë asgjë.

E si shembull merr shtetësinë për brezat e dytë për të cilën thotë se ka folur edhe gjatë konsultimeve të këtyre ditëve. Nëse nga një anë janë ata që duan t’u japin shtetësinë menjëherë bijve të imigrantëve që lindin në Itali, – shpjegon Renzi në Senat – ka të tjerë që duan ta lidhin shtetësinë me studimin dhe formimin në Itali. Nuk mund të vazhdohet të rrihet duarkryq, duke ruajtur secili qëndrimin e vet, duhet gjetur një pikë e përbashkët  “nevojitet të bëhet reforma e shtetësisë – thotë Renzi duke sjellë të njëjtin shembull që bëri edhe më 15 dhjetor kur si sekretar i sapozgjedhur paraqiti para asamblesë së PD-së programin e tij – në mënyrë që të mund t’i lejojmë vogëlushes së lindur në të njëjtin qytet ku ka lindur shoqja e saj e bankës, pas një cikli shkollor të konsiderohet italiane, njësoj si shoqja e saj e bankës”.

K.B. Shqiptari i Italisë

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Olbia. Trafik droge nga Shqipëria në Sardenjë, 5 arrestime

Prato. Kanë përfituar si refugjatë kosovarë, zbulohen e paditen