in

Shtetësia italiane. Kaos në Patronate për kërkesat online: “Nuk mund të ndihmojmë”

Sportelet e patronateve nuk kanë autorizimet për të hyrë në sistemin e ri. “Tani për tani vazhdojmë ndihmën me ata që paraqesin kërkesën dorazi, por nga 18 qershori do të jetë problem”

Romë, 7 qershor 2015 – Të dish të përdorësh mirë kompjuterin është një kriter i domosdoshëm për t’u bërë Italian. Kush nuk është i zoti, duhet të paguajë patjetër profesionistë, agjenci që ndjekin të tilla praktika, ose në rastin më të keq matrapazë të paskrupujt?

Këto dyshime të vijnë në mendje nga zgjedhja e çuditshme e ministrisë së Brendshme për të mos u lejuar patronateve të ndihmojnë falas të huajt që duan të paraqesin kërkesë për t’u bërë italianë. Në fakt, operatorët e tyre nuk janë të autorizuar të hyjnë në sistemin e ri online, që ka nisur nga 18 maji, por që nga 18 qershori do të jetë i vetmi kana li mundshëm për të paraqitur kërkesën e  shtetësisë.

Rezultati? “Situatë shumë e ndërlikuar, për të cilën nuk ia kanë idenë as prefekturat që vazhdojnë të drejtojnë të ne ata që duan të paraqesin kërkesë” tregon për Stranieriinitalia.it Claudio Piccinini, përgjegjës për imigracionin në patronatin Inca Cgil.

“Ne vazhdojmë të ndihmojmë për kërkesat në letër, të cilat duhet të pranohen akoma, edhe pse ndonjë prefekturë pohon të kundërtën. Kemi vënë edhe kompjutera në dispozicion të të interesuarve ku me ndihmën e një operatori secili mund të nisë kërkesën online, por puna është ngadalësuar shumë sepse secili duhet të bëjë regjistrimin më vete gjë që ngre edhe probleme privatësie sepse parashikon hyrjen në adresën e-mail personale”.

Situata e krijuar është paradoksale pasi edhe me mbrojtjen e privatësisë ministria e Brendshme justifikon zgjedhjen e mosdhënies patronateve të autorizimeve për nisjet “e shumëfishta”, gjë që u lejohet për përtëritjet e lejeqëndrimeve dhe bashkimet familjare. Por si do të mbrojnë atëherë privatësinë  ata që do të përpilojnë kërkesat me pagesë? Po operatorët e pikave phone center ku do të skanerizohen dokumentet që duhen bashkëngjitur?

“Na duket se nuk është marrë parasysh serioziteti dhe dobishmëria e punës së patronateve, që ndihmojnë italianë e të huaj në shumë e shumë praktika të tjera të informatizuara, nga  kërkesat për kompensimin e papunësisë tea to për përtëritjen e lejeqëndrimeve. – nënvizon Piccinini – Praktikat e bëra prej nesh janë edhe të filtruara, në kuptimin që nisen vetëm ato që përmbushin kriteret e kjo është ndihmë e konsiderueshme për Administratën Publike”.

Përllogaritet që kërkesat e shtetësisë akoma në pritje të përgjigjes janë rreth 300 mijë e në zyrat e ministrisë së Brendshme as që pritet personel i ri. Atëherë kujt i leverdis që praktikave të prapambetura t’u shtohen mijëra të tjera që nuk kanë kaluar një kontroll paraprak?

Kontrolli duhet të ekzistojë edhe me sistemin online. Për këtë arsye parashikohet një takim i dyfishtë me ata që u drejtohen sporteleve tona: në fillim verifikojmë kriteret, më pas i interesuari kthehet për kërkesën me kuponin e pagesës së kontributit prej 200 eurosh. Përndryshe harxhohen para për kërkesa që mund të hidhen poshtë” shpjegon Maurizio Bove, president i Anolf Milano.

Edhe në Milano, tani për tani, punohet kryesisht për kërkesat në letër. “Nuk këshillojmë sistemin e ri online – thekson Bove – sepse duke mos pasur autorizimet është më e ndërlikuar të ndihmojmë qytetarët. Nëse për të kontrolluar dhe përgatitur kërkesën e dokumentet në mënyrën tradicionale na duhen 20 minuta, me sistemin informatik na duhet të harxhojmë të paktën dyfishin e kohës, sepse për çdo kërkesë duhet bërë regjistrim i veçantë e ndonjëherë na duhet të ndihmojmë edhe për t’u hapur një postë elektronike atyre që nuk e kanë”.

Veç të tjerash, pasi nisen kërkesat online, patronatet nuk mund t’i ndjekin ato, sepse email dhe fjalëkalimi janë personale të aplikuesve. Duhet të jenë ata që duhet t’i shënojnë, t’i ruajnë dhe t’i marrin me vete sa herë që do të paraqiten pranë patronatit për të mësuar në ç’pikë është kërkesa e tyre.

Por nuk është e thënë që situata të mos përmirësohet. Mes patronateve dhe ministrisë së Brendshme bazhdojnë bisedimet. Urohet që zgjidhja të mbërrijë sa më parë: nga 18 qershori do të pranohen vetëm kërkesat online, dhe ajo që ishte menduar të ishte thjeshtëzim e lehtësim rrezikon t’ua nxijë jetën dhjetëra mijëra imigrantëve që mund e duan të bëhen italianë.

Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Klaudia Pepa në finalen e Amici-t. Tani, fitorja varet edhe nga vota e publikut

Shtetësia italiane. Si kontrollohet online në ç’pikë është praktika