Kush dëshiron të bëhet shtetas italian do të përpilojë online kërkesën, duke i bashkangjitur dokumentet në format elektronik. Do të niset në prill (ndërkaq në Modena janë pezulluar takimet)
Romë, 26 janar 2015 – Edhe shtetësia italiane do të kërkohet online. Deri tani prenotohej në internet vetëm data e takimit. Kush donte të bëhej italian kërkonte (me shumë durim) e zinte në faqet internet të Prefekturës një datë “të afërt” për të paraqitur personalisht kërkesën dhe të gjitha dokumentet e nevojshme. Shumëfishimi i numrit të kërkesave, i pandjekur nga shtimi i personelit e të burimeve të tjera në zyrat përkatëse, bindi ministrinë e Brendshme të ndërmarrë një tjetër hap. Nga pranvera e ardhshme, të paktën në disa provinca, do të jetë e mundur që edhe kërkesa të paraqitet online, duke bashkangjitur dokumentet në format elektronik. Gjithçka do të bëhet në një hapësirë të dedikuar të portalit të Ministrisë, siç ndodh sot, për shembull, për kërkesat e flukseve.
Kjo risi është paralajmëruar muaj më parë nga vetë ministri Angelino Alfano, gjatë një séance dëgjimore në Dhomën e Deputetëve. Tani po kalohet nga fjalët në vepra, fillimisht me një eksperimentim në një numër të kufizuar prefekturash e më pas me shtrirjen e procedurës së re në mbarë Italinë.
Konfirmimi mbërrin nga Modena, ku sipas prefekturës, sistemi i ri do të vihet në funksionim duke filluar nga muaji prill. “Kjo do të mundësojë një përshpejtim të ndjeshëm të procedurave – lexohet në komunikatë – dhe do t’u lejojë aplikuesve për shtetësi të paraqesin kërkesën pa dalë nga shtëpi e tyre”.
Në pritje të këtij revolucioni, ama, të huajt e Modenës që dëshirojnë të bëhen shtetas italianë duhet të bëjnë durim, sepse ndërkaq janë pezulluar takimet: “Kjo Prefekturë nuk do të vërë në dispozicion të qyttarëve data të reja takimesh për paraqitjen e kërkesave të shtetësisë në letër”.
Lexo edhe: Shtetësia italiane. Rreth 60 mijë shqiptarë janë betuar para flamurit tringjyrësh
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)