in

Shtetësia italiane. Komunës i duhen 6 muaj për të organizuar betimin

Në Padova një vendim i kryetarit të komunës, Bitonci, çon nga 30 në 180 ditë afatin e hapit të fundit për ata që po bëhen italianë. Duke u vënë në rrezik vlefshmërinë e dekretit

Romë, 7 dhjetor 2015 – Kësaj i thonë të të vënë këmbëmes apo të të tërheqin prej fanelle kur je vetëm një metër nga pikëmbërritja. Komuna e Padovës, në epokën e Bitonci-t, po jep maksimumin e saj për t’ua shtyrë të huajve çastin e kthimit në qytetarë italianë. Kanë pritur 13, 14 apo 15 vjet, për të marrë shtetësinë? Le të presin edhe gjashtë muaj për të bërë betimin, duke rrezikuar që t’u duhet ta nisin prapë gjithçka nga fillimi.

Është shkruar në vendimin e miratuar në 15 shtator nga këshilli komunal i kryetarit legist, që ngre afatin administrative për “transkriptimin e akteve të nxjerra jashtë Italisë” dhe për “marrjen e shtetësisë italiane” duke e çuar në 180 ditë. Më parë afati ishte vetëm 30 ditë.

Me pak fjalë komuna thotë të presësh deri gjashtë muaj për të bërë betimin, hapi i fundit dhe i domosdoshëm para se i huaji të bëhet italian. Ose që komuna të transkriptojë për shembull certifikatat e lindjes së bijve për të thënë që janë vërtet bijtë e tu që për rrjedhojë marrin automatikisht shtetësinë edhe ata.

Gjashtë muaj që u shtohen dhjetë vjetëve të jetuar në Itali para se të mund të paraqitet kërkesa e dy, tre, katër e ndonjëherë edhe më shumë vjetëve të tjerë që ministria e Brendshme ka marrë për të kontrolluar nëse ishe resident i rregullt, që nuk je person i rrezikshëm e që ke të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur veten e familjen.

Por veç kësaj, ata gjashtë muaj që merr komuna përbëjnë një rrezik të madh. Në fakt ligji parashikon që nga lajmërimi zyrtar i dekretit të shtetësisë, i huaji ka maksimumi 180 ditë kohë për të bërë betimin. Përndryshe dekreti nuk vlen më e duhet paraqitur kërkesa e shtetësisë nga e para. Afati i vënë nga Komuna përputhet me atë që i huaji nuk mund t’i lejojë vetes kurrsesi ta shkelë.

“Nuk kuptohet për çfarë i nevojiten ato 180 ditë Komunës. Të gjitha kontrollet i kanë bërë Policia dhe Prefektura. Ç’dreqin tjetër duhet të kontrollojë Komuna?” pyet Pap Fall, kryetar i Anolf Cisl i Padovës e Rovigos.

“Në vendim – vazhdon sindikalisti për Stranieriinitalia.it – flitet për “kompleksitetin e procedurës” që nuk është aspak e ndërlikuar. Është e vërtetë, janë shtuar dekretet e dhënieve të shtetësisë, por nëse problem është ky, i takon Komunës të organizohet më mirë e të mos penalizojë edhe më ata që kanë pritur gjatë, shumë gjatë”.

Fall e quan situatën “katastrofike, absolutisht për t’u rishikuar”. “Kryetari Bitonci – nënvizon – flet shpesh për imigracion “të mirë” që duhet ruajtur dhe imigracion “të keq” që duhet izoluar. Këta të cilëve po u vë këmbëmes janë të gjithë persona që kanë bërë një rrugë të gjatë integrimi, përmbushin të gjitha kriteret për t’u bërë italianë”.

Atëherë pse të lihen akoma në sallën e pritjes, pikërisht tani kur duhet vetëm të betohen se “do t’i jenë besnikë Republikës italiane dhe do të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Shtetit”?

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Dhuro gjakun, shpëton një jetë e mbron shëndetin tënd

Imzot Rrok Mirdita

Ndahet nga jeta Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, imzot Rrok Mirdita