in

Shtetësia italiane. Më shumë info mbi pritjen dhe ç’duhet bërë në rast vonese

Procedura duhet të mbyllet brenda dy vjetëve, përndryshe mund t’i drejtohesh gykatësit. Këtej e tutje, prefektura e Romës do t’ua bëjë me dije të gjithë aplikuesve

Romë, 29 qershor 2015 – Paraqitja online e kërkesave të shtetësisë do të shkurtojë kohën e përpunimit të praktikave? Mbetet për t’u parë.

E vetmja gjë e sigurt është që tani nuk duhet pritur për të marrë takimin për të dorëzuar kërkesën. Por sidoqoftë, herët a vonë duhet shkuar në prefekturë për të treguar dokumentet në original e në fund të fundit dallimin do ta bëjë personeli i angazhuar nga ministria e Brendshme për shqyrtimin e kërkesave: nëse do të vazhdojë të jetë tejet i vogël për vëllimin e madh të punës, koha e pritjes do të jetë akoma papranueshmërisht e gjatë.

Por, sa aplikues për shtetësinë italiane e dinë që ligji parashikon një kufi kohor brenda të cilit ministria e Brendshme është e detyruar të përgjigjet, duke dhënë apo mohuar shtetësinë? “Koha për mbylljen e procedurës […] është shtatëqindetridhjetë ditë nga data e paraqitjes së kërkesës” thotë rregullorja DPR 362/1994. E sa  e dinë që, me të kaluar ata dy vjet pa marrë përgjigje, mund të detyrohet ministria e Brendshme që të marrë një vendim?

Në Romë, këtej e tutje do të dinë të gjithë ata që kërkojnë të bëhen shtetas italianë.

Falë ndërhyrjes së seksionit të Romës së Shoqatës Kombëtare të Avokatëve (ANF) dhe shoqatës së promovimit social Alexandra  që u kanë sinjalizuar ministrisë së Brendshme dhe zyrës për shtetësinë të prefekturës së Romës “një situatë që kufizon rëndë ushtrimin e të drejtave të qytetarëve të huaj”. Në fakt, deri tani në komunikimin e nisjes së procedurës për shtetësinë mungonin “data brenda të cilës duhet të përmbyllet procedura dhe çfarë duhet bërë bë rast vonese të administratës”.

Edhe pse ligji (241/1990) thotë që ato informacione duhet të jepen. E shtyrë nga dy shoqatat, Prefektura e Romës ka marrë masat dhe u ka siguruar se këtej e tutje në lajmërimin e nisjes së procedurës do të përfshijë edhe njoftimin mbi kohën e pritjes (730 ditë), edhe se ç’duhet bërë nëse verifikohen vonesa, si për shembull, të ngrihet padi në TAR (gjykatën administrative krahinore).

Janë të kënaqur për rezultatin Emanuele Giudice, president i Alexandra dhe përgjegjës për Shtetësinë dhe imigracionin në ANF Roma, dhe Giandomenico Catalano, nënpresident i ANF Roma. Risia, komentojnë ata në një komunikatë për shtyp, do të ndërgjegjësojë “kërkuesit e shtetësisë italiane për të drejtat e tyre”, dhe “nga ana tjetër do të vërë akoma më shumë përpara përgjegjësisë Administratën publike me qëllim që të jetë më efikase në administrimin e praktikave të shtetësisë”.

Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Shkolla shqiptare e baletit në “Një natë për Caruson”

Fermo. Hashash dhe kokainë në garazh. Tre të arrestuar