in

Shtetësia italiane. Në Senat rinis reforma për bijtë e imigrantëve

Me përfundimin e  diskutimit të ligjit financiar 2016, të martën nis në komision shqyrtimi i projektit të ligjit. Mund të ketë jo pak të papritura, veçanërisht për instrumentalizimet lidhur me alarmin terrorizëm që po përjeton Italia

Romë, 20 nëntor 2015 – Italian kush lind dhe/ose rritet në Itali. Do të rinisë diskutimi mbi këtë temë në Senat, për t’u dhënë më në fund përgjigje një million fëmijëve dhe të rinjve që për ligjin janë akoma të huaj.

Reforma e shtetësisë për bijtë e imigrantëve ka marrë më 13 tetor miratimin e Dhomës së Deputetëve. Duke sintetizuar në maksimum, mund të themi që parashikon të sjellë këto risi: do të jetë menjëherë italian kush lind në Itali nga prindër një prej të cilëve është mbajtës i kartës së qëndrimit, përndryshe kush lind ose mbërrin në Itali brenda moshës 12-vjeçare duhet të ndjekë më parë një cikël shkollor.

Me të mbërritur në Senat, projekt ligji i reformës iu përcoll Komisionit për Çështjet Kushtetuese, por këtu mjaftoi koha vetëm për t’iu ilustruar senatorëve nga raportuesja Doris Lo Moro. Më pas shqyrtimi i reformës ndaloi për t’i dhënë përparësi, siç e do rregullorja, seksionit të bilancit.

Sot Pallati Madama ka miratuar ligjin financiar 2016, kështu që seksioni i bilancit u mbyll e senatorët mund t’i kthehen punës së zakonshme.

Komisioni për Çështjet Kushtetuese është thirrur për të martën 24 nëntor e në rend të ditës ka pikërisht “projektligjin 2092 dhe çështje të lidhura me të (dispozita mbi shtetësinë)”. Të njëjtën ditë mblidhet edhe zyra e presidencës së Senatit për të programuar kalendarin e punimeve.

Të shumta të panjohurat e rrugëtimit në Senat. Do të mund të rezistojë marrëveshja e gjetur në gjirin e mazhorancës në Dhomën e Deputetëve? Do të ketë mundësi për përmirësimin e reformës apo rrezikohet të përkeqësohet? Lëvizja 5 Yjet do të tërhiqet si në Dhomën e Deputetëve (të vetmit që abstenuan) apo do të hyjnë në vallë? E ata që sot po përdorin kundër imigrantëve alarmin terrorizëm do t’ia dalin të godasin me të njëjtën armë (alarmin terrorizëm) të sotmen dhe të ardhmen e bijve të imigrantëve?

Të rinjtë e brezit të dytë janë në pritje. Por të paktën reforma del nga sirtarët e senatorëve e nis shqyrtimi i saj.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

“Jo terrorizmit, luftërave dhe islamofobisë”. Myslimanët në shesh edhe në Milano

Brezat e dytë. 10 mijë euro të rinjve që duan të hapin aktivitet privat