Ministria paralajmëron që nga sot në orën 18 deri nesër në të njëjtën orë do të jetë e pamundur të hyhet në portal për praktikat e shtetësisë. Shpresohet që gjithçka të shkojë mirë për flukset
Romë, 27 mars 2017 – “Nga ora 18:00 e 27 marsit deri në 18:00 të 28 marsit hyrja në seksionin për përpilimin dhe nisjen e kërkesave të shtetësisë online nuk do të jetë e mundur”. Kjo lexohet prej disa ditësh në faqen internet të ministrisë së Brendshme dedikuar shërbimeve online të ofruara imigrantëve. Në lajmërim sqarohet edhe që për këto 24 orë nuk do të jenë të mundura funksionet që kanë të bëjnë me praktikat e shtetësisë që janë “Përpilimi e nisja e kërkesave të shtetësisë; Kontrolli i ecurisë së praktikës; Aksesi i parë i praktikës; Komunikime”.
Sajti përmes të cilit kalojnë praktikat e imigracionit (jo vetëm ato të shtetësisë por edhe për bashkimet familjare, flukset, prenotimet e testeve të gjuhës) që prej fillimit të dhjetorit të shkuar keqfunksionte. Në fillim të janarit u mbyll për tri ditë për “mirëmbajtje të jashtëzakonshme”, por nga sa u verifikua më pas, teknikët e ministrisë së Brendshme nuk kishin arritur të zgjidhin problemin. Në fillim të shkurtit Patronatet Ce.Pa. ngritën sërish zërin për të denoncuar një situatë “të papërballueshme” dhe i kërkuan ministrisë të merrte “masat për zgjidhjen sa më të shpejtë të problemeve” në mënyrë që të shmangej “ndërprerja e zgjatur në kohë e rrugës së vetme të aplikimit pranë Administratës Publike”.
Këtë radhë ministria nuk sqaron arsyet e ndalimit 24-orësh të shërbimit (këtë herë vetëm të atij që ka të bëjë me praktikat e shtetësisë), që përkon edhe me ditën e parë të vlefshme për nisjen e kërkesave për punonjës sezonalë në kuadrin e flukseve 2017. Në fakt, nesër nga ora 9:00 do të jetë e mundur të nisen kërkesat, që deri mund të përpiloheshin e ruheshin, për të sjellë në Itali 17 mijë punonjës të nevojshëm për bujqësinë e sektorin turistik.
Të shpresojmë që nga njëra anë aplikimet për flukset të mund të bëhen pa probleme, dhe nga ana tjetër, që pas 24 orëve të mund të bëhen edhe aplikimet për shtetësinë italiane.
Shqiptari i Italisë