in

Shtetësia italiane për bijtë e imigrantëve, reforma e ka koston zero

Rregullat e reja për shtetësinë e brezave të dytë nuk do t’u rëndojnë arkave të shtetit. Relacioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit

 

Romë, 12 shkurt 2016 – Reforma e shtetësisë për bijtë e imigrantëve nuk do të ketë “pasoja të rëndësishme” për arkat e shtetit. Kush nuk do që brezat e dytë të bëhen italianë duhet të gjejë një justifikim tjetër për të votuar kundër rregullave të reja në diskutim në Parlament.

Mbyll (përfundimisht?) një nga aspektet e debatit mbi reformën relacioni teknik i depozituar më 10 shkurt në Senat nga zëvendësministri i Ekonomisë Enrico Morando. E kishte kërkuar komisioni i Bilancit, që duhet të japë një mendim mbi projektligjin 2092 “Ndryshime të ligjit nr. 91 të 5 shkurtit 1992, dhe dispozita të tjera mbi çështjen e shtetësisë”.

Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit (Ragioneria Generale dello Stato) nxjerr në shesh se janë të pabaza të gjitha vërejtjet e ngritura nga opozita, duke filluar nga fakti që reforma nuk parashikon derdhjen e 200 eurove për kërkesat ose deklaratat e shtetësive për të miturit. Në të vërtetë bëhet fjalë për një procedurë të re, për ata që lindin këtu ose ndjekin një cikël shkollor, ndaj nuk mund të flitet për reduktim të hyrjeve në arkat e shtetit, thjesht nuk do të ketë hyrje shtesë.

Natyrisht mund të tkurret kategoria e brezave të dytë që me rregullat aktuale marrin shtetësinë pasi mbushin 18 vjeç duke paguar 200 euro, sepse do ta marrin më parë shtetësinë falas, por kjo do t’i heqë diçka vetëm ministrisë së Brendshme pa ndryshuar “bilancet e financave publike”. “Në fakt bëhet fjalë për shuma me destinacion të varur, që përcaktohet ku shkojnë gjatë vitit e nuk merren në konsideratë në parashikimet vjetore” shpjegon dokumenti.

Ato që shqetësojnë më shumë senatorët e qendrës së djathtë duket se janë efektet e mundshme financiare indirekte të reformës. Këta italianë të rinj, është arsyetimi i senatorëve, a nuk do të kushtojnë më shumë në aspektin e përfitimeve sociale, sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore? Përgjigjja e ekspertëve të Ministrisë së Ekonomisë është “jo”, pasi tashmë i gëzojnë këto përfitime edhe si të huaj.

Para së gjithash në relacion kujtohet që përfitimet sociale u njihen tashmë shtetasve komunitarë e të gjithë jokomunitarëve me kartë qëndrimi e familjarëve të tyre. Madje, Gjykata kushtetuese ka sqaruar që për disa përfitime sociale (pension paaftësie, kompensim për shoqëruesin, pension për të verbërit etj.) është e mjaftueshme që i huaji të ketë “lejeqëndrim me kohëzgjatje të paktën njëvjeçare”.

Ndaj, edhe po të rritet numri i italianëve, kjo “nuk do të sjellë efekte financiare të rëndësishme”.

E njëjta gjë vlen edhe për përfitimet, për të cilat është akoma shprehimisht e parashikuar shtetësia italiane apo komunitare ose karta e qëndrimit, si çeku për nënat e reja me punë atipike dhe jo të vazhdueshme dhe çeku familjar. Shumat për t’i mbuluar këto shpenzime “përcaktohen në bazë të ecurisë demografike të përgjithshme të qytetarëve italianë” dhe sipas Drejtorisë së Buxhetit “kjo shumë nuk mund të ndikohet në masë të rëndësishme” nga pasojat e reformës.

Së fundi, edhe shpenzimet për kujdesin shëndetësor do të mbeten të njëjta. Sepse të miturit e huaj, dhe është e çuditshme që opozitorët e reformës e kanë harruar, janë “subjekte të regjistrueshme në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar” dhe mbeten të regjistruar pas mbushjes së moshës 18 vjeç nëse kanë lejeqëndrim për studime apo punë. Kështu që “të qenit shtetas italian nuk sjell rritje të shpenzimeve”.

Elvio Pasca

Shkarko: Ragioneria generale dello Stato – A.S. 2092 – Relazione tecnica aggiornata

 

Tirana 96 vjet kryeqytet

Sanremo 2016. Ermal Meta mes katër finalistëve