in

Shtetësia italiane. Reforma do të jetë prapavepruese, kartë qëndrimi për ius soli

Një normë kalimtare do t’u lejojë edhe bijve të imigrantëve tashmë në moshë madhore të përfitojnë nga rregullat e reja. Të martën e ardhshme vota e Dhomës së Deputetëve

Romë, 9 tetor 2015 – Reforma e shtetësisë do të jetë prapavepruese. Do të shpëtojë edhe bijtë e imigrantëve që kanë mbushur moshën madhore dhe rrezikonin të mbeteshin jashtë.

E parashikon një normë kalimtare (tani pritet teksti zyrtar) e miratuar dje (8 tetor) në Dhomën e Deputetëve, falë një amendamendi të paraqitur nga mazhoranca. Praktikisht, do të mund të kërkojnë të bëhen shtetas italianë të gjithë ata të rritur që kanë vendlindjen në Itali apo kanë mbërritur këtu nën moshën 12 vjeç, kanë ndjekur këtu për të paktën pesë vjet një apo më shumë cikle shkollore e kanë jetuar “në mënyrë të ligjshme e të pandërprerë gjatë pesë vjetëve të fundit në territorin italian”. Do të kenë një vit kohë nga ardhja në fuqi e reformës për të paraqitur kërkesën, por ministria e Brendshme do të ketë gjashtë muaj kohë për të pranuar apo hedhur poshtë kërkesën për motive të sigurisë kombëtare.

Një tjetër amendamend lejon të përfitojnë nga ius soli edhe bijtë e qytetarëve komunitarë, si rumunë e polakë, që ishin harruar nga teksti i miratuar në Komision. Do të jenë italianë të lindurit këtu nëse nëna apo babai janë titullarë të “të drejtës së qëndrimit të përhershëm”.

Përsa u përket jokomunitarëve, mbetet kriteri kartës së qëndrimit (lejeqëndrimi BE për qëndruesit afatgjatë) për një prej prindërve në mënyrë që të jepet ius soli në favor të bijve të lindur në Itali. Dhoma e Deputetëve ka hedhur poshtë amendamendin e SEL që kërkonte ta zëvendësonte me vjetërsi qëndrimi të rregullt prej pesë vjetësh.

Në Dhomën e Deputetëve, dje përfundoi shqyrtimi dhe votimi i të gjitha neneve të reformës. Votimi final i saj parashikohet për të martën e ardhshme paradite, por tashmë diket se miratimi i ligjit është mëse i sigurt. Më pas teksti do të kalojë në Senat.

Si përfundim, pikat kryesore të reformës janë:

Fëmijët e lindur në Itali do të jenë italianë që kur vijnë në jetë nëse një prej prindërve ka lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë ose “të drejtën e qëndrimit të përhershëm” (nëse janë shtetas të BE-së). Përndryshe, ashtu si fëmijët e tjerë që nuk kanë lindur në Itali por kanë ardhur këtu pa mbushur 12 vjeç, do të duhet të ndjekin më parë një apo më shumë cikle shkollore për të paktën pesë vjet e po të jetë fjala për filloren, duhet ta mbarojnë me sukses.

Të tjera rregulla për të rinjtë që kanë ardhur në Itali brenda moshës 18 vjeçare. Do të mund të bëhen italianë pas gjashtë vjetësh rezidencë të rregullt dhe pasi të kenë ndjekur dhe përfunduar një cikël shkollor apo një rrugëtim shkollimi dhe formimi profesional. Por në këtë rast nuk flitet për një të drejtë të fituar, por për një dhënie shtetësie, pra që i nënshtrohet diskrecionalitetit të Shtetit.

Elvio Pasca

 

 

 

Futboll. Disa shifra e fakte në pritje të Shqipëri-Serbi

Il tumore al seno. Conviverci e superare una sofferenza fisica e psichica