in

Shtetësia italiane. Reforma për të miturit e bllokuar në Parlament

Lega dhe PdL vazhdojnë ta bllokojnë diskutimin në komisionin e Çështjeve Kushtetuese. Dhe kështu, rregullat e reja për t’u bërë shtetas italianë janë zhdukur nga kalendari i Dhomës së Deputetëve

Romë, 3 korrik 2012 – Në Dhomën e Deputetëve, reforma e ligjit të shtetësisë për brezat e dytë bën në-vend-numëro. Kush shpresonte që diskutimi të mbërrinte në Sallë gjatë këtyre ditëve, sipas kalendarit të kërkuar nga Partito Democratico, duket se nuk ka bërë hesapet me Komisionin e e Çështjeve Kushtetuese.

Komisioni po shqyrton katër propozime mbi “shtetësinë e të miturve të lindur nga prindër të huaj”, të paraqitura nga Gianclaudio Bressa (Pd), Souad Sbai (Pdl), Pierluigi Mantini (Udc) e Aldo Di Biagio (Fli). Por deri më sot, deputetët nuk kanë nisur as të flasin se si të ndërrojnë rregullat për t’u bërë italianë, sepse Populli i Lirive dhe Lega kanë akoma në mëdyshje nëse duhen ndryshuar apo jo rregullat, siç tregojnë edhe procesverbalet e mbledhjeve

Kur nisi diskutimi më 18 qershor, deputetja e PdL-s Isabella Bertolini tha se “personalisht” ishte e mendimit që tema “meritonte një shqyrtim më të thelluar të lëndës”. Sipas saj nuk mund të flitet për shtetësinë e të miturve pa konsideruar edhe atë për të rriturit, e kështu Bertolini duket se harron që pikërisht vënia bashkë e këtyre dy aspekteve i ka prerë këmbët çdo përpjekjeje reformimi të ligjit të shtetësisë.

Kolegu i saj i partisë, Giuseppe Calderisi, në të njëjtën mbledhje ka nënvizuar që “ka dalë qartë në dritë se mes grupeve parlamentare qëndrimet mbi këtë çështje janë shumë të largëta”, duke shtuar që do të ishte e udhës që kjo temë të shqyrtohej “legjislaturën e ardhshme”, kur nga zgjedhjet mund të dalë një qeveri me “një shumicë të ndryshme nga e sotmja, që mund të çojë deri në fund reformën në fjalë”. Sipas tij i bie që reforma tërimerret në diskutim në vitin 2013, por të huajt duhet të shpresojnë që në qeveri të mos vijë Lega e PdL, pasi është parë ç’kanë bërë deri tani.

 E Lega? Natyrisht është kundër. Matteo Bragantini është shprehur se “normativa në fuqi disiplinon në mënyrë të përshtatshme këtë çështje”. Më pas i ka kërkuar qeverisë të saktësojë numrin e të huajve që, për shkak të krizës apo “të fatkeqësive të kohëve të fundit”, po i kthejnë familjarët në atdhe. Nuk dëshiron që, “për të zgjidhur një problem të krijoheshin të tjerë: nëse bijtë do të kishin shtetësinë italiane riatdhesimi do të ishte më i komplikuar…”.

Kërkesa e Bragantinit që duket më klasikja për të humbur kohë, ka vënë natyrisht në vështirësi qeverinë, që e ka thuajse të pamundur të thotë sa janë riatdhesimet me dëshirë. Më 19 qershor nënsekretari i Ministrisë së Brendshme Saverio Ruperto provoi ta shpjegonte në Komision duke thënë që “është e vështirë të mblidhen të dhëna që bazohen mbi zjedhje psikologjike” por përballë këmbënguljes së legistëve iu desh të premtonte “një shqyrtim të mëtejshëm për të përmbushur kërkesën e formuluar”.

E më pas? Asgjë! Sepse me gjithë vullnetin e mirë të Partisë Demokratike, Polit të Tretë dhe Italisë së Vlerave, diksutimi i reformës është ndalur. Nga një shtyrje në tjetrën akoma nuk flitet për propozimet. Shtetësia e të miturve do të jetë sërish në rend të ditës në Komision të enjten, por duke parë si kanë shkuar punët deri më sot, vështirë të shpresohet në ndonjë të papritur. Të paktën për sa kohë nuk do të arrihet të çohet diskutimi në Dhomën e Deputetëve, ku pozita e Popullit të Lirive mund të pasurohet me ndonjë zë që është në favor të reformës.

Ndërkaq, kush ka nevojë për një dush të ftohtë le t’i hedhë një sy kalendarit të punimeve të Dhomës së Deputetëve për muajin korrik, i përcaktuar në fund të qershorit nga kryetarët e grupeve parlamentare. Për të drejtën e shtetësisë së brezave të dytë, as që nuk flitet fare.

Elvio Pasca

Dokumente të falsifikuara për lejet e qëndrimit, pesë arrestime në Romë

Terremoto. “Stop alla tassa sui permessi di soggiorno”