in

Shtetësia, këtë radhë është referendumi që ndal reformën

Shtypet prapë, pas 4 dhjetorit, “për të shmangur keqpërdorimin politik”. Italia jam edhe unë do të takojë presidentin e Senatit për t’i kërkuar vënien menjëherë në kalendar të reformës

Romë, 26 tetor 2016 – Gjithçka shtyhet, në rastin më të mirë, për në 5 dhjetor. Deri atëherë reforma e shtetësisë për bijtë e imigrantëve do të vazhdojë të mbulohet nga pluhuri në Senat.

Dy javë më parë të rinjtë, të cilëve reforma mund t’u ndryshojë jetën, dolën në shesh në Romë e në qytete të tjera të Italisë për t’u kërkuar senatorëve ta nxjerrin nga sirtarët ku e kanë harruar. Duket se nuk do të ndodhë këtë javë, siç konfirmon rendi i ditës, madje siç pohoi të hënën edhe raportuesja e reformës Doris Lo Moro (PD), “ndoshta nuk do të ketë të reja para referendumit”.

Referendumi kushtetues i 4 dhjetorit është vetëm një prej motiveve të shumta të shtyrjeve të vazhdueshme (mijëra amendamente, zgjedhjet administrative, pushimet e verës, etj.) që kanë si rezultat faktin që deri tani, kur ka kaluar mëse një vit nga miratimi në Dhomën e Deputetëve, reforma akoma nuk ka mbërritur për diskutim në sallën e Senatit. Ndërkaq masa të tjera më urgjente apo më “të ndjeshme” e kanë parakaluar nga të dyja krahët.

Këtë radhë, mazhoranca thotë se e bën për të mirën e reformës, sepse nuk do që rregullat për të bërë italianë rreth 800 mijë djem e vajza të rritur e shpesh të lindur në Itali të bien pre e dhunës dhe keqpërdorimit politik gjatë fushatës referendare.

Një përpjekje të fundit do ta bëjnë promovuesit e fushatës Italia jam edhe unë, që mblodhi mbi 100 mijë firma për një propozim ligji popullor reforme. Këto ditë, do të takojnë kryetarin e Senatit Pietro Grasso për t’i kërkuar të vërë menjëherë reformën në kalendarin e punimeve, por shpresat që kjo të ndodhë janë vërtet të pakta.

Por nëse është e vështirë të ketë ndonjë të re para 4 dhjetorit, sipas më realistëve, mund të jetë akoma më keq pas asaj date. Nëse në referendum fiton “JO”, kundërgoditjet për qeverirë e mazhorancën, që deri tani nuk kanë treguar ndonjë guxim të veçantë në këtë aspekt, mund të rrezikojnë akoma më shumë debatin mbi reformën.

Ndërsa po të ekzistojnë kushtet për të rinisur debatin, duhen bërë sërish hesapet me “përparësitë” e reja. Në dhjetor, Senati do të jetë i mbytur me punë me Ligjin e Bilancit, që do të jetë edhe rasti i radhës për t’u thënë një milion bijve të imigrantëve që Italia ka të tjera gjëra më të rëndësishme për të bërë para se të merret me ta.  

Elvio Pasca

 

Kur frika fiton mbi Amerikën dhe Evropën

Taksa mbi lejen e qëndrimit hiqet sërish, hidhet poshtë kërkesa e qeverisë