Hidhen poshtë dy çështjet paragjykuese të paraqitura nga Roberto Calderoli dhe Lucio Malan në Komision, që po të kalonin do të bllokonin diskutimin e reformës në Senat. Punimet rinisin javën e ardhshme
Romë, 3 dhjetor 2015 – Reforma e shtetësisë për bijtë e imigrantëve kapërcen pengesën e parë në Senat. Përpjekja e Legës dhe e Forza Italias për t’i prerë asaj rrugën njëherë e mirë shkoi huq.
Senatori legist Roberto Calderoli dhe kolegu i kaltër (FI) Lucio Malan kishin paraqitur dy çështje paragjykuese të ndryshme në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese kundër projektit të miratuar në Dhomën e Deputetëve. Praktikisht kërkonin që reforma të mos kalonte fare as për diskutim.
Por me sa duket, arsyet e tyre nuk bindën shumicën e anëtarëve të Komisionit, të cilët dje, pasi u njohën e diskutuan mbi dy çështjet paragjykuese, i hodhën poshtë që të dyja. Tani mund të nisë më në fund diskutimi mbi përmbajtjen e reformës së shtetësisë e beteja do të luftohet me amendamente pa fund.
Ndërkaq ama, kalendari i Komisionit i kësaj jave nuk i jep më hapësirë reformës së shtetësisë. Për sot ka të tjera projekte ligjesh në diskutim, ndërsa të premten Komisioni as që mblidhet.
Gjithçka mbetet për javën e ardhshme, të shpresojmë për më shumë bereqet.
Elvio Pasca