Kryetarja e Dhomës së Deputetëve një grupi nënash të huaja: “Uroj që Senati të miratojë sa më shpejt reformën. Të japësh shtetësinë do të thotë të përffshish dhe të shmangësh diskriminime”
Romë, 17 nëntor 2016 – “Diçka e vlefshme për të gjithë vendin”. Për kryetaren e Dhomës së Deputetëve Laura Boldrinin t’u japësh shtetësinë bijve të imigrantëve është e drejtë për ta dhe me leverdi për Italinë.
Të hënën (14 nëntor) Boldrini ishte në Milano ku takoi një grup nënash në lagjen Quarto Oggiaro në qendrën “Punto Luce”. Një zëdhënës e nënave lexoi “një apel për bijtë tanë që janë lindur dhe rritur në Itali”. “Akoma u duhet të përtërijnë lejen e qëndrimit, ndihen ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre edhe pse janë italianë e ndjekin shkollat këtu. Kemi dëgjuar që ky ligj ende nuk është efektiv”.
“Ligji mbi shtetësinë akoma nuk është votuar përfundimisht – shpjegoi Boldrini. – U votua në Dhomën e Deputetëve, por akoma mungon miratimi nga Senati. Jemi në pritje të mësojmë se kur do të futet në kalendarin e punimeve, dhe uroj që kjo të ndodhë shpejt sepse të japësh shtetësinë do të thotë të përfshish e të ndihesh pjesë e një komuniteti”.
“Ky ligj – përfundoi kryetarja e Dhomës së Deputetëve – është diçka e dobishme për të gjithë vendin. Uroj që të finalizohet sa më parë. Të japësh shtetësinë do të thotë të përfshish dhe të shmangësh diskriminime”.