in

Shtetësia për bijtë e imigrantëve. Gjithçka shtyhet pas Pashkëve

Vazhdojnë të kalojnë javët një pas një e në Senat as që e kanë ndërmend të rimarrin në dorë reformën e shtetësisë për brezat e dytë. E ndërkaq afrohen zgjedhjet administrative

Romë, 21 mars 2016 – Senatorët e Republikës Italiane as që e kanë ndërmend të rimarrin në dorë reformën e shtetësisë për bijtë e imigrantëve. Me mbylljen e diskutimit të përgjithshëm, për të cilin u deshën 4 muaj, u vendos që të vazhdohej me një cikël seancash dëgjimore me ekspertë dhe shoqata. Por që atëherë, Senatorët e kanë harruar reformën në ndonjë sirtar.

Ajo që duhej të ishte përparësi për mazhorancën (nuk ishte PD ajo që e kish vënë mes pikave të para të programit të saj në zgjedhjet e fundit?), u jep vazhdimisht përparësinë masave të tjera të konsideruara më urgjente. Gjatë këtyre javëve, Komisioni për Çështjet Kushtetuese u angazhua në mënyrë të veçantë me reformën e Sektorit të Tretë, ndërsa të martën, më 22 mars (nesër), e vetmja datë seance e kësaj jave, do të merret me marrëveshjen mes Shtetit Italian dhe Budistëve.

Kushedi nëse do të kujtohen pas Pashkëve, por ndërkaq, për ciklin e seancave dëgjimore, nuk ka gjurmë gjëkundi. Që në shkurt, grupet kanë përcaktuar ekspertët dhe shoqatat që duan t’u dëgjojnë mendimin, por deri tani presidenca e komisionit për Çështjet Kushtetuese nuk kish gjetur kohën as për të miratuar propozimet dhe për të nxjerrëlistën përfundimtare. Pra është e pamundur jo vetëm të përcaktohet data por edhe të nisen thirrjet.

Edhe senatorët e komisionit të Bilancit nuk kanë vënë shumë ujin në zjarr. Prej muajsh u kërkohet të shprehin mendim të thjeshtë mbi reformën, lidhur me impaktin që mund të ketë mbi kasat e shtetit. Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit (Ragioneria Generale dello Stato) ka pohuar që në shkurt, me anë të një relacioni me shkrim, që reforma e ka koston thuajse zero, e megjithatë nuk është gjetur akoma koha që të flitet mbi këtë pikë.

Herët a vonë diskutimi do të rinisë. Problemi është se marsi tashmë mbaroi e zgjedhjet administrative të qershorit janë të dera. Në fushatë zgjedhore, ndonjërit mund t’ia dojë qejfi të lërë pas dore argumente të ndjeshme si shtetësia për bijtë e imigrantëve…

 

Stranieriinitalia.it/ Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në 
Facebook dhe Twitter)

 

Refugjati sirian hap biznes në Shqipëri. “Do t’ua këshilloja edhe të tjerëve”

Caserta. Qëllon mbi të panjohur që i hyjnë në shtëpi. Vdes hajduti