in

Shteti italian mund të fitojë tre miliardë në vit nga legalizimi i imigrantëve

Sa do të derdhnin në taksa e kontribute pesëqind mijë imigrantë që sot janë të detyruar të punojnë në të zezë? Qeverisë Monti (dhe Italisë) i leverdis t’i bëjnë dy llogari

Romë, 3 janar 2012 – Një legalizim për zhvillimin. Për t’u dhënë një leje qëndrimi të gjithë të huajve që kanë një vend pune, sot detyrimisht në të zezë, por nesër më në fund në dritë të diellit. Por edhe për t’i dhuruar një thesar në taksa e kontribute arkave të shtetit italian.

Faza e dytë e qeverisë Monti, ajo që duhet t’i japë hov të ri ekonomisë, duhet të përballet edhe me pesëqind mijë të huaj të parregullt. Nëse ky vend dëshiron vërtet të mëkëmbet, nuk mund të tërheqë zvarrë një barrë të rëndë pune në të zezë, të paktën të këtyre 500 mijë të huajve që punojnë në Itali por që duke mos pasur një dokument qëndrimi janë në të zezë. Italia duhet të përdorë më në fund në favor të saj edhe këtë ushtri të tërë njerëzish që mezi pret të marrë një dokument qëndrimi e të punojë në dritë të diellit.

Jetojmë apo jo një emergjencë të paparë? A nuk lajmërohen sakrifica për të gjithë, të paimagjinueshme deri një vit më parë, për të vënë në vijë buxhetin e shtetit? Atëherë pse të mos bëhet një llogari e vogël për të parë se çfarë fitimesh ekonomike do të kishte Italia nga legalizimi i pesëqind mijë të huajve të parregullt?

Le të lëmë mënjanë kontributin una tantum që shteti mund të kërkojë për çdo kërkesë të paraqitur. Që padyshim nuk është pak: me 500 euro për kokë, po të aplikojmë kontributin e legalizimit të fundit të shtatorit 2009, Italia do të fuste në arkat e saj, menjëherë, 250 milionë euro), por gjithsesi është hiçgjë përpara shumave që punonjësit e huaj do të derdhin vazhdimisht në arkat e shtetit si taksa e kontribute.

Për ISMU-n çdo imigrant i rregullt derdh në arkat e shtetit si taksa e kontribute plot 6 mijë euro në vit. Duke u nisur nga kjo e dhënë, legalizimi i klandestinëve do të vlente 3 miliardë në vit. Por fitimi do të ishte akoma më i madh sipas llogarive të Cgil: “Rreth 5,6 miliardë në vit, në taksa e kontribute shoqërore” shkruan sindikata.

Cilado shifër qoftë ajo e sakta, janë një mal me para. Do t’i bënte mirë cilitdo bilanc, aq më tepër atij italian që është mes vështirësive që dimë të gjithë. E profesorët e Mario Montit, ç’mendim kanë?

 

Rroga e shefes së FMN-së. Vetëm 551.700 dollarë në vit

Pas festave emigrantët kthehen në vendet ku punojnë