in

Shtrëngimet e qeverisë për të huajt: në Cie deri në 18 muaj

Dekreti i miratuar në Këshillin e Ministrave. Maroni: “U përshtatemi direktivave evropiane dhe rivendosim dëbimet me forcë. Edhe për komunitarët”. Ja risitë

Romë, 17 qershor 2011 – Me një dekret ligji të miratuar më 16 qershor nga Këshilli i Ministrave, qeveria i përshtatet zyrtarisht direktivës evropiane. Faktikisht rivendos linjën e ashpër për të arrestuar dhe dëbuar klandestinët, të vënë në diskutim nga prokurori, gjykatës dhe nga një sentencë e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së.

Mes të tjerash, trefishohet, nga gjashtë muaj në një vit e gjysmë, periudha maksimale e mbajtjes (apo e heqjes së lirisë?) në qendrat e identifikimit dhe të dëbimit. Dhe futen në fuqi edhe dëbimet me forcë të qytetarëve të Bashkimit Europian.

Dekreti do të hyjë në fuqi vetëm pas botimit të tij në Gazetën Zyrtare, por ndërkohë ministria e Brendshme ka bërë të ditura pikat kyçe të tij. Dhe Roberto Maroni, në konferencë shtypi, ka dhënë një panoramë të përgjithshme të risive.

Dekreti, ka shpjeguar ministri, aktualizon dy direktiva evropiane (38/2004 dhe 115/2008) dhe përcakton kriteret “që na lejojnë të rivendosim procedurat  e debimit me forcë e të menjëhershëm të klandestinëve, që nuk kish qenë i mundur të bëhej për shkak të interpretimeve të ndryshme të direktivës” të dhëna nga sentencat.

Direktiva mbi riatdhesimet thotë që të këmbëngulet para së gjithash në nisjen me dëshirë të klandestinëve. Por shton që mund të dëbohen klandestinët menjëherë, pa u dhënë atyre kohë të largohen vetë, “nëse ekziston rreziku i humbjes së gjurmëve apo nëse kërkesa e qëndrimit të rregullt është hedhur poshtë si e pabazë apo mashtruese apo nëse i interesuari përbën rrezik për rendin publik, për sigurinë publike apo për sigurinë kombëtare”.

Dekreti i qeverisë luan pikërisht me këto përjashtime. “Ne vëmë në jetë direktivën duke vendosur parimet sipas të cilave mund të rifillohet me dëbimin me forcë të klandestinëve”. Shoqërimi i menjëherëshëm në kufi, ka shpjeguar Maroni “është rivendosur për klandestinët që janë të rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë, që mund të largohen pa lënë gjurmë, që janë dëbuar njëherë me një urdhër të autoriteteve gjyqësore apo që shkelin masat e dhëna nga Kuestori dhe të parashikuara në këtë dekret”.

Në këtë mënyrë, ka nënvizuar Maroni, “nuk lihet vend për interpretimin e lirë që direktivës i është dhënë nga organet e drejtësisë gjatë këtyre muajve, që parashikonin si mundësi të vetme fletën e dëbimit duke u dhënë klandestinëve nga shtatë deri në tridhjetë ditë për t’u larguar nga vendi, duke ndaluar faktikisht dëbimet me forcë”.

Për më tepër, mbajtja në Qendrat e Identifikimit dhe të Dëbimit, Cie, zgjatet “deri në maksimumin e parashikuar nga direktiva, pra deri në 18 muaj, përmes një procedure garancie që kalon nga gjykatësi i paqes”. Po kjo qeveri, në vitin 2009, kishte zgjatur afatin e mbajtjes në Cie nga dy muaj në gjashtë. “Në 18 muaj – siguron Maroni – jemi në gjendje të garantojmë dëbimin e të gjithë atyre që mbahen në qendra”.

Dekreti ndërhyn edhe në veprat penale të shkeljes dhe të përsëritjes së shkeljes së urdhrit të Kuestorit për të lënë territorin italian, për të cilat Gjykata e Drejtësisë ka thënë se nuk mund të parashikohet burgu. Për këto futet një sanksion në para, por gjykatësi i paqes, të cilit i transferohet kompetenca e këtyre veprave penale, do të mund ta zëvendësojë dënimin me dëbimin.

Për të parregulltit që nuk janë të rrezikshëm apo që nuk ka rrezik se largohen nuk do të ketë dëbim me forcë. Do të ketë një fletë dëbimi të thjeshtë, por, ka shtuar ministri, “me disa masa që mund të vendosë kuestori për të garantuar që brenda afatit të paravendosur i huaji të largohet efektivisht. Për shembull, dorëzimi i pasaportës, detyrimi i vendbanimit apo detyrimi i paraqitjes pranë zyrave të forcave publike për kohën e nevojshme për riatdhesim”.

Risi edhe për riatdhesimet me vullnet të lirë, rrugë deri më sot ishte e përjashtuar për të parregulltit. Kush do të vendosë të kthehet në atdhe do të mund ta bëjë, edhe përmes programeve të posaçme të “riatdhesimit vullnetar të mbështetur nga organizatat ndërkombëtare”.

Së fundi, Maroni ka shpjeguar që dekreti “fut në fuqi për herë të parë largimin e menjëhershëm dhe dëbimin edhe për qytetarët komunitarë” që nuk plotësojnë kriteret për të qëndruar në Itali. “Edhe kjo normë – ka thënë – është koherente me direktivën evropiane 38 të vitit 2004, që e parashikon këtë mundësi”.

Sinteza e dekretit e lëshuar nga Ministria e Brendshme

Elvio Pasca

Aleanca kuq e zi mbledh shqiptarët në Romë

Këshilli i Europës: “Rritet racizmi, shtohen politikanët ksenofobë”