in

Shtyhet Samiti i dytë i Diasporës

Deri një muaj më parë dukej se do të mbahej në fund të nëntorit të këtij viti, por Këshilli i ministrave i mbledhur më 29 shtator ka vendosur shtyrjen e tij “me kërkesë të komuniteteve të ndryshme të Diasporës”

 

Romë, 4 tetor 2018 – “Samiti i Dytë i Diasporës do të mbahet në 2 mars 2019, datë që përkon me përvjetorin e 475-të i Kuvendit të Lezhës që është një ngjarje e shënuar e historisë së shqiptarëve”. Është lajmi që gjen sot në portalin qevritar të ministrit të Shtetit për Diasporën. Në vijim lajmërimi i shkurtër sqaron se kjo datë është caktuar “me kërkesë të Kryeministrit Edi Rama, në mbledhjen e qeverisë të mbajtur në Korcë në datën 29 shtator. Kjo datë është edhe përvjetori i 475-të i Kuvendit të Lezhës që është një ngjarje e shënuar e historisë së shqiptarëve… Kjo datë është festimi më i madh që komunitetet shqiptare në vendet pritëse organizojnë tradicionalisht në vite. Mbajtja e Samitit të Dytë të Diasporës në 2 mars 2019 do të jetë një arsye më shumë që përvjetori i Kuvendit të Lezhes të bëhet edhe me takimin mbarëshqiptar që Samiti i Dytë i Diasporës do të mbledhë në punimet e veta”.

Gjatë Samitit të parë të Diasporës, të mbajtur më 18-20 nëntor 2016, u deklarua se kjo do të ishte një veprimtari e përvitshme por viti i shkuar u mbyll e për Samitin e dytë nuk u kujtua njeri.

Por në muajt e parë të këtij viti u nis të flitej sërish për Samitin duke u shprehur se do të mbahej nga fundi i nëntorit. U caktuan edhe datat, 26-28 nëntor. Të gjithë ishin të bindur se çasti i “bilancit” të premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale, gjatë Samitit të Parë e gjatë mëse një viti pune të ministrit të Shtetit, Pandeli Majko, po mbërrinte. Madje konfirmonte këtë bindje edhe vetë ministri Majko që vetëm një muaj më parë në profilin zyrtar facebook botoi një fotografi nga një tryezë pune me didaskali që nuk le vend për keqkuptime. Pak a shumë thotë se Grupi i punës po merret me fazën finale të organizimit të Samitit që do të mbahet më 26-28 nëntor, madje edhe që në të do të marrin pjesë 700 vetë. 

Asnjë nga këto, Në lajmërimin e sotëm në portalin e Ministrit për Diasporën sqarohet se “ndryshimi i datës së mbajtjes së Samitit të Diasporës nga data e parashikuar në 28 nëntor 2018 u vlerësua edhe pas kërkesave nga komunitete të ndryshme të diasporës”.

Nga sa duket e paskemi kërkuar ne emigrantët shtyrjen e datës e qeveria po na e plotëson kërkesën. Për dreq, seç më kujton një shprehje të famshme të kohëve që shkuan: “Ç’do populli bën partia e ç’thotë partia bën populli”. Të urojmë që asnjë nga ata 700 pjesëmarrësit për të cilët ka dijeni ministri të mos kenë prerë biletën për në nëntor.

Lexo edhe: 
Pse u harrua Samiti i Diasporës?
Midis fjalëve dhe veprave
Samiti si skenë
Diaspora dhe përpjekjet për njohje 
Relativiteti i “Samitit” dhe i “Diasporës” 
Samiti sapo filloi 
Shanset e Samitit të Diasporës

Shkolla shqipe Scanderbeg në Parma hap dyert për të dhjetin vit radhazi

“Il mio zio italiano”, una storia familiare per raccontare la Storia