in

Si mësohet gjuha shqipe në Itali

Nga arbëreshët te bijtë e emigrantëve. Si përcillet gjuha shqipe mes shqiptarëve të djeshëm e të sotëm të Italisë?
nga Visar Zhiti, maj 2010

shkollaflasshqipfrozinone.gifThemel dhe shpirt

Gjuha mbart, përhap dhe përcjell përvojat dhe informacionet e popullit që i përket. E folur dhe e shkruar, me mjetet dhe teknikën që ka si ndihmëse dhe pjesë të vetën tani, që nga më të hershimit dhe deri më modernët, nga shkrimet prehistorike të shpellave shenjat, sinjalet, zërat, zjarret, tepepatitë, alfabetet, shkronjat, hieroglifët, fjalorët, librat, rrjetin bibliotekar si fantazia e labirintit të Borgesit, median e shkruar dhe elektronike, CD-të, internetin, heshtjet folëse, etj., etj., duke shtuar dhe ato që nuk janë zbuluar ende e nuk janë shpikur, gjuha ka qenë dhe është mjeti qenësor dhe i vetëm, që bën të kryhet komunikimi i gjithanshëm dhe i gjithëkohshëm, veprimtaritë sociale, të prodhohen kultura, shkenca dhe universi i diturisë si dhe ruajtjes së saj, që është po aq e rëndësishme, në mos më shumë, i popullit, e kombit, e atdheut, i popujve dhe botës.

Po të dalim tek gjuha jonë, Gjuha Shqipe. Është një pasuri e madhe, mbi të gjitha e shqiptarëve. Si çdo gjuhë, edhe ajo ka brenda bëmat dhe historinë, marrëdhëniet me të tjerët, pushtimet dhe mëvetësinë, zhvillimet dhe gjendjet, arritjet dhe misteret, kodet e fshehta, etj., vetë fatin, gjithmonë sipas ligjësive gjuhësore.

Historia e Gjuhës shqipe është e lidhur ngushtë, sipas kodeve, jo të kuptueshëm nga kushdo, me historinë e njerëzve që e flasin. U ka bërë ballë rrebesheve të kohës, pushtimeve, përpjekjeve për asimilim, denigrimeve, mbylljeve, përçarjeve, standardizimeve gjymtuese dhe është e mbetet frymë dhe shpirt i popullit të vet, përthith dhe ushqen duke qenë njëherësh themel i identitetit.

E lashtë sa folësit e saj, e ardhur nga ilirishtja, ende më thellë, nga pellazgjishtja siç besonin rilindësit tanë, e dëshmuar dhe në toponimì me malet dhe lumenjtë, edhe në homonimì, që shpjegon dhe emrat e perëndive të Olimpit, në bashkëveprim dhe me gjuhët fqinjë, me greqishten e vjetër dhe sllavishten, gjatë pushtimit romak dha dhe mori me latinishten, ndërsa gjatë pushtimit po aq të gjatë otoman, do të ishte e vetmja gjuhë në të gjithë Ballkanin, që do të ndalohej dhe u mbush me barbarizma otomane, por mekanizmi i saj gjithsesi ruajti vetveten, strukturat e veçanta.

Teksa kështjellat shqiptare binin me radhë dhe pirgjet tona rrënoheshin e burrat kapeshin robër e çoheshin të luftonin larg për perandorinë, i vetmi beden (fjalë turke) që s’u shemb, ishin dhëmbët e grave, të nënave, ato gojë që e ruajtën gjuhën amë, që nuset e mëkuan bashkë me qumështin nëpër breza.

Nëse librat e pakët shqip digjeshin nga pushtuesi, folklori mbijetonte bashkë me erën dhe hullitë e arave deri sa të mbërrinim te De Rada, Naimi e Fishta…

E madhërishme, e aftë të mbarte çdo kryevepër botërore, të gjuhëve aq shumë të lëvruara dhe të pasura, e shkruar me alfabete të ndryshëm, Shqipja do të zgjidhte më në fund në Kongresin e Manastirit (1908) shkronjat me të cilat do të shkruhej, ato latine, dhe si vokacion Europian Perëndimor.

Kur Shqipëria do të fitonte pavarësinë dhe sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, gjuha jonë do të merrte hov, do të gjallëronte e lirë, duke dhënë vepra, ndërkohë shkoi drejt gjuhës së përbashkët letrare, në morsën e standardizimit, që ishte një fitore si e Pirros, me sakrifica të rënda.

Shqipja është gjuhë zyrtare në truallin mbarëshqiptar, në republikat e Shqipërisë dhe të Kosovës sot, dhe flitet dhe jashtë kufijve shtetërore të tyre, në Maqedoni, ku shqiptarët janë dhe shtetformues, edhe në Mal të Zi, por edhe në Itali, në Jug, në ngulmimet e hershme arbëreshe e nëpër diasporë.

Ndërkaq shqiptarët vazhdojnë të emigrojnë nëpër Europë dhe Amerikë. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në botë që ka diasporën më të madhe se popullsinë brenda kufijve të vetvetes.

Njerëzit, kudo që shkojnë, mbartin edhe gjuhën amë, mesazhet e saj të fshehta dhe ndjejnë nevojën e thellë që të mos e humbin dhe ta përçojnë te fëmijët e tyre. Është prejardhje, kulturë, amanet, porosi.

Nëse gjuha s’ka nevojë për valixhe gjatë shtegtimeve, asaj i duhen patjetër libri dhe shkolla. Dëshira për to dhe organizimi.

Do të doja të flisnim këtu paksa se si mësohet gjuha shqipe në Itali, meqenëse jam këtu dhe kam dijeni. Ndërkaq Italia është vendi i veprave të mrekullueshme e të pavdekshme dhe i një gjuhe muzikale të pasur, i bijës më të bukur të latinishtes.

Mësimi i shqipes në Itali

Populli italian mbart një kulturë të madhe e të lashtë, i kupton kulturat e tjera, tolerant deri në fisnikëri dhe u lejon etnive në vendin e vet të ushtrojnë gjuhët amë, t’i mësojnë dhe të shkollohen në ato gjuhë.

Italia është vendi me emigracion të madh, me flukse dhe reflukse në këtë drejtim dhe me ligj ajo njeh 12 etni, ku ajo shqiptare zë vendin e dytë për nga numri i popullsisë pas pakicave tiroleze në Veri.

Mësimi i gjuhës shqipe në Itali është një dukuri e tillë që, sipas mendimit tonë, mund dhe duhet të shikohet në tri rrafshe dhe në tri kohë:

albanesederada.gif1- Arbërishtja ose rrafshi tradicional ose koha e parë

Prej shekujsh në Itali, në Jug të saj dhe afër pjesës Qendrore, jeton etnia arbëreshe, fshatra të tëra në Kalabri dhe në Sicili, që ruajnë identitetin, gjuhën dhe zakonet e të parëve, e dheut nga ikën kur ndodhte pushtimi otoman, që flasin shqipen e hershme nëpër familje, por që kanë dhe administratë tani, shkolla, kisha e muze, madje dhe organe shtypi, media elektronike e televizione lokale, ku mund të përdorin dhe gjuhë amë, madje dhe në parlamentet lokale, ndërkaq janë njohura festivalet e tyre folklorike, të këngës, olimpiadat teatrore, etj.

Janë poetët arbëreshë të Rilindjes tonë kombëtare, si De Rada e Zef Serembe, që e futën poezinë e kultivuar shqipe në Europë.

Parlamenti italian në 1999 miratoi ligjin Kornizë: mbrojtjen e pakicave gjuhësore, pra dhe ato shqiptare. Në pothuajse të gjitha shkollat e vendeve arbëreshe organizohen kurse të gjuhës arbëreshe dhe ka nisma në këtë drejtim.

Shumë drejtues të shkollave janë të interesuar në çështjet e diasporës.

Gjuha dhe letërsia arbëreshe mësohet në shkollat e vendeve arbëreshe, dhe vetëm atje, ku drejtoria e shkollës paraqet me kohë projekte për mësimin e kësaj gjuhe, si gjuhë amtare. Edhe kur paraqiten projektet, si zbatim të Ligjit 482 për Minoritete Gjuhësore, në përgjithësi bëhen dy orë në javë dhe vetëm për disa muaj në vit në shkollat fillore dhe në shkollat e mesme (d.m.th. në shkollën tetëvjeçare).

Pra në shkollat e vendeve arbëreshe bëjnë orë mësimi sipas projekteve të miratuara zyrtarisht të gjuhës shqipe, me subvencion nga bashkitë si dhe Komuniteti Europian, ndërsa në qendrën e madhe të Shën Mitrit, ku është dhe kolegji i themeluar nga rilindasi Jeronim De Rada, është dhe një katedër e mësimit të gjuhës shqipe ndër arbëreshë.

Po kështu mund të merret shembull dhe “Lidhja e bashkive – Besa” e komunave arbëreshe në Sicili, që organizon mësimin e gjuhës amtare në shkollat e mesme.

Është për t’u shënuar se këtej parapëlqehet e folura arbëreshe dhe jo gjuha letrare shqipe, madje ka pasur dhe hartime abetaresh të tilla apo fjalorësh në arbërisht dhe botime të ndryshme letrare, fetare e turistike.

Emigrimi i arbëreshëve në Veri të Italisë dhe më tej, në Gjermani e deri në Amerikë, sidomos nga të rinjtë që ikin me studime apo punë si dhe futja e teknikës moderne elektronike, televizioni dhe interneti, e kanë bjerrë njohjen e arbërishtes në brezat e rinj, por gjithsesi dashuria dhe interesi janë e shumëçka në këtë drejtim duket si spontane dhe emocionale, duke mos qenë zgjidhje, por vazhdimësi.

“Dukuria arbëreshe” mund të krahasohet me dukurinë hebraike për nga forca e ruajtjes së vetvetes, identitetit, duke bërë kështu dhe një urë e gjallë shekullore e lidhjeve mes dy popujve tanë.

Ndërkohë është botuar këto kohë dhe një Guidë Turistike për Arbërinë nga zonja Margaret Celestine, me jehonë edhe në media, RAI i ka kushtuar një emision.

Ky tekst informativ do të ishte e udhës të kishte njohje dhe në Shqipëri dhe vazhdimësi në botime të tjera.

2- Katedrat e Gjuhës Shqipe, rrafshi universitar ose koha shkencore

Qysh në shekullin e kaluar, në gjysmën e parë të tij, në universitetet Italiane, në Jug, në Palermo e Kozencë, në Napoli e në kryeqytet në Romë, ka katedra të gjuhës shqipe, tashmë me traditë e me themeltarë personalitete të shquar të kulturës tonë e me drejtues intelektualë të njohur e shkrimtarë si arbëreshët Guzzetta, Schiroi, Gradilone, Giordano, etj., e nga Shqipëria Koliqi, Resuli, Camaj, Marlekaj, etj

Gjithashtu dhe në Bari e Leçe e deri në Venecia, janë emëruar kërkues shkencorë në drejtim të katedrave. Për dekada me radhë bëhet mësimi gjuhës shqipe dhe i letërsisë së saj, me studentë shqiptarë dhe italianë, me atë nivel siç bëhet çdo gjuhë e huaj në fakultetet përkatës dhe shpesh ecuria e mësimit të gjuhës shqipe varet dhe nga financimet universitare, që lëvizin sipas situatave.

Profesorët aktualë, Francesco Altimari, Matteo Mandalà, Italo Fortino, etj., në Jug e Elio Miracco në kryeqytet, krahas mësimit, organizojnë dhe kuvende e takime dhe mbajnë lidhje dhe me dheun amë, me universitetet dhe akademitë në Shqipëri e Kosovë dhe Maqedoni, me librin shqip, kudo që botohet, duke krijuar dhe rrjetin bibliotekar shqiptar në Ballkan dhe më gjerë, ndërsa Institutet Arsimore Krahinore në Itali, që përfaqësojnë Ministrinë e Arsimit në krahina të ndryshme, sigurojnë të dhënat e duhura të ecurisë së mësimit të gjuhës shqipe.

Gjithashtu ka dhe kurse seminaresh për mësues, si p.sh., në rajonin e Toskanës, p.sh., drejtuar nga profesor Leonardo Savoia, ku një përqindje e lartë ishin shqiptarë, nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës dhe janë botuar edhe një seri librash didaktike.

shkolla-drita.gif3- Mësimi i gjuhës shqipe në emigracionin e tanishëm, dëshira dhe çështje

Gjuha shqipe me emigracionin e ri, sot, kur numërohet, sipas të dhënës më të fundit, 472.000 shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Itali, me fëmijë të lindur këtu, pra po rritet brezi i dytë, mësimi i gjuhës shqipe, krahas dëshirës për ta ruajtur dhe mësuar, si identitet e kulturë, ka vështirësitë e saj, se, së pari, shqiptarët si çdo emigracion në Itali, nuk janë të grupuar në një ose disa vende, por të shpërndarë, sipas mundësive dhe rastit, ku vazhdimisht integrohen në shoqërinë italiane.

Si rrjedhojë fëmijët shqiptarë nuk janë dhe nuk mund të jenë së bashku në një shkollë. Ndërkohë janë krijuar shoqata kulturore shqiptare, që krahas veprimtarive të tyre, kanë pasur dhe kanë shqetësim mësimin e gjuhës shqipe, grupimin e fëmijëve në ditë të caktuara.

Janë prekëse shqetësimi i tyre, puna që bëjnë për ruajtjen dhe mësimin e gjuhës amtare. Janë të shumtë emrat që duan të bëjnë diçka, që bëjnë dhe shqetësohen për më shumë dhe për më mirë.

Deri tani gjithçka është zhvilluar mbi baza vullnetare, ka qenë dëshira dhe përgjegjësia, malli dhe vizioni që kanë paraprirë.

Së bashku, mësues shqiptarë të emigracionit, duke kërkuar dhe gjetur mbështetje nga komunat, ku janë dhe shkollat, të cilat kanë lënë në dispozicion lokalet, me orë plotësuese, një ose dy herë në javë, pasditeve apo në ditët e pushimit, me tekste nga shkollat shqiptare, të siguruara vetë ose dhe të dhuruara nga institucione, ambasada dhe individë, kanë arritur të bëjnë mësimin e gjuhës shqipe.

Intensiteti për mësimin e gjuhës shqipe ka qenë më i madh dhe ka një si fashitje tani, por kërkesat janë më serioze dhe më profesionale në këtë drejtim.

Do të doja të merrja si shembull shoqatat, njërën nga ato.

shkolla-scanderbeg.gifShoqata “Skanderbeg” në Parma, me Tonin Bajraktarin kryetar, organizon kurse të gjuhës shqipe në një shkollë private, që i përket kishës Corpus Domini, “Instituti Vittorio Alfieri”. Regjistrimet janë bërë pa kufizim moshe. Janë 20 fëmijë nga mosha 5 deri në moshën 11 vjeç.

Mësuesja dhe gazetarja Anila Kadija, e diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi, tregon për përkushtimin dhe pasionin e punës së saj dhe të kolegëve, Adriana Rushiti, e diplomuar në Universitetin e Elbasanit, dega histori gjeografi, Brunilda Hoxha, e diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega matematik, Erlinda Peçi, shkolla e mesme pedagogjike, si dhe për ndihmesën e mësuesve Vilma Lika për muzikë, Durim Lika për informatikë si dhe Lindita Sota Bekja për muzikë. Ata e kanë ndarë punën pedagogjike në katër lëndë kryesore: letërsi shqipe, gramatikë e gjuhës shqipe, histori, gjeografi.

Paguajnë qiranë e shkollës me ndihmën që japin prindërit çdo muaj 10,00 euro për fëmijë.

Mësimi i gjuhës shqipe është një shqetësim i të gjithë intelektualëve shqiptarë që po jetojnë dhe punojnë në Itali.

Shkrimtari dhe përkthyesi Amik Kasoruho na thotë se në Monopoli dhe Castellana Grotte në Pulia ka vijuar për ca kohë mësimi i gjuhës shqipe, si dhe në Leçe, pranë universitetit të këtij qyteti. Botuesi dhe poeti Çlirim Muça nga Milanoja e konsideron me shumë vlerë mësimin e gjuhës shqipe dhe, sipas tij, në Itali janë mbi 60 poetë dhe shkrimtarë shqiptarë, që shkruajnë dhe në italisht, por që duhet të kenë një Lidhje për bashkëveprim dhe mbështetje në (për)mësimin e gjuhës shqipe.

Po kështu dhe gazetarja e mësuesja Albana Temali, gazetarja Irida Cami, mësuesi i njohur Sitki Çerekja, apo Leonora Zefi, Presidente e shoqatës “Teuta” në Trentino,  Faik Tafolli i shoqatës “Dardania”, nga shoqata “Ilirida”, Mësuesja Fatbardha Tollaboçi etj., tregojnë për kurse dhe shuarje të tyre për mungesa fondesh, e ringritje prapë, etj. Po kështu dhe shoqata “Bashkimi kombëtar”,  në Bassano, e përbërë kryesisht me shqiptarë nga Kosova, prej vitesh përpiqet që me shpenzimet e veta të mbajë një kurs të gjuhës shqipe.

Ndërsa Klodiana Cuka, doktore në Kërkimet Linguistike e Filologjike  në Universitetin e Kalabrisë, na bën me dije se gjuha rumune, p.sh., jepet si mësim plotësues në shkollat italiane si pasojë e marrëdhënieve dypalëshe të firmosura nga ministritë e kulturës dhe të arsimit e dy vendeve, Italisë dhe Rumanisë, dhe punës sistematike të Institutit të kulturës rumune në Itali dhe të konsullatave rumune.

Ndërkaq kurse të mësimit të italishtes nga fëmijët shqiptarë bëhen, si ai i “Italiano L2”, sidomos për ata fëmijë që bashkohen me prindërit dhe falë projekteve të ndryshme si Interreg Italia Albania III, etj., të financuara nga institucionet shtetërore italiane, arrihet të promovohet kulturë, folklor dhe publikime shqiptare.

Zonja Anila Kadija na bën me dije dhe për një projekt i Regione Emilia Romagnia, “Të të shpjegoj me fjalët e tua”, në bashkëpunim me Universitetin aty, Fakulteti i gjuhësisë dhe pedagogjisë, që një herë në javë, mësues në pension apo mësues të kombësive të ndryshme, që zotërojnë gjuhën italiane, mblidhen në leksione pedagogjike dhe gjuhësore, me profesorin Marco Mezzadri të Universitetit të Parmës. Janë të gjithë vullnetarë në këtë projekt, sa interesant, aq me vlerë. Parma, me institucionet e saj shkollore, kërkon të realizojë kryesisht, shpjegimin e lëndëve të ndryshme, ku të rinjtë kanë vështirësi, me anë të gjuhës së origjinës nga ato vijnë.

Statistikat e fundit nxjerrin në pah që nxënësit e shkollave të mesme, të cilët kanë ardhur nga vende të ndryshme, nuk zotërojnë në mënyrë korrekte si gjuhën amtare, ashtu edhe atë vendase. Ky projekt stimulues dhe origjinal kërkon t’i vijë në ndihmë shkollave të mesme, ku nxënësit, marrin shpesh edhe një profesion që i drejton në të ardhme e tyre. Është një përgjigje konkrete e perspektivës që shtron Evropa. Domosdoshmërisë së gjuhëve të huaja dhe mos humbja e atyre që kanë lidhje me origjinën.

Shpesh nxënësit dhe studentët humbasin një apo dy vite shkolle nga vështirësia që kanë në lidhje me gjuhën dhe si rezultat edhe të përvetësimit të lëndës.

Shoqata “Skanderbeg” ndërkaq e shfrytëzon projektin për ruajtjen e gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar në këtë provincë. Pra lipset bashkëpunimi i shkollës shqipe me këtë program promovues. Është një shembull pozitiv në drejtim të kushtëzimit etnik dhe kulturor si hallkë gjuhësore dhe komunikimi. Duke ulur poshtë edhe murin e gjuhëve të konsideruara “pak të rëndësishme”. Kështu anglishtja, si frëngjishtja, apo gjuha kineze, shqipja, greqishtja, etj., do të kenë të njëjtën rëndësi në fluksin leksikor të barabartë.

Ky është një sinjal pozitiv, ku gjuhët kanë rëndësi dhe varen nga njëra-tjetra, në shërbim të pasurimit intelektual dhe mësimdhënies për një shkollë pa pengesa dhe paragjykime.

Dua të rendis këtu disa nga problemet që dalin sipas meje:
1- Shqiptarët në Itali duan dhe kërkojnë dhe punojnë që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën amtare, ta flasin dhe ta shkruajnë dhe të kenë njohuritë bazë të historisë, gjeografisë dhe kulturës së vendit amë.
2- Pavarësisht vështirësive, shoqata që kanë qenë dhe janë organizatore të kësaj nisme, nuk shohin pengesa ligjore si dhe nga ana e mjediseve, komunat në rajone të ndryshme të Italisë lejojnë lokalet, klasat, mësuesit.
3- Deri më tani ky mision është kryer në mënyrë vullnetare dhe me sezone, pra diku ka pushuar së vepruari apo ka pasur rënie dhe diku tjetër ende vazhdon apo hovëzohet.
4- Ndjehet, duhet dhe kërkohet mbështetja institucionale përkatëse e vendit amë. Përkrahja, organizimi dhe ndihma materiale.
5- Tekste unike për gjithë shkollat e diasporës, ku të përmblidhen më kryesoret dhe të domosdoshmet për t’u mësuar nga fëmijët e diasporës.
6- Program të hartuar nga Ministria e Arsimit.
7- Ndërkaq është i pritshëm një vendim i argumentuar shkencërisht, që të përcaktojë të mësuarit kudo të gjuhës letrare shqipe, edhe në vendet arbëreshe, apo do të lihen të kultivojnë dhe mirëmbajnë të folmen arbërishte, siç parapëlqejnë një pjesë e madhe e studiuesve të saj arbëreshë.
Gjuha shqipe, jo vetëm është gjuha jonë, pjesë themeltare e identitetit tonë, e qënies shqiptar dhe e kulturës sonë, që mbart gjithë informacionin kolektiv kombëtar dhe e përçon nëpër breza, por është dhe një vlerë universale e linguistikës në përgjithësi.

Epilog

UNESKO ka shpallur 21 Shkurtin si “Ditë Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare”, për të promovuar diversitetin gjuhësor. Nevoja për këtë ndoshta kurrë nuk ka qenë më e madhe më parë. Specialistët konstatojnë se nga më shumë se 6.700 gjuhët që fliten në botë, gjysma rrezikojnë të zhduken para përfundimit të këtij shekulli. Pra në pak javë i takon të zhduket një gjuhë

Le të marrim një shembull, gjuha kete, ndoshta e pa dëgjuar ndonjëherë, e panjohur për shumicën e njerëzimit. Kjo gjuhë jeton sot vetëm në 200 folës, nga ca fshatarë në një luginë pranë lumit Jenisej në Siberinë Qendrore. Pra kjo gjuhë po vdes. Dhe gjuhët vdesin në heshtje, pa kambana e nekrologji…

Gjuhëtari nga Harvardi, Gregori Anderson, drejtor i Institutit për Gjuhët Amtare të Gjalla dhe Gjuhët e Rrezikuara mendon se njerëzit e sotëm (Homo sapiens) duhet të jenë shfaqur para 500.000 vjetësh. Kafka të ngjashme me atë të njeriut sot dhe me vjetërsi rreth 100.000 ose më shumë vjet, janë gjetur ne Afrikën Jugore dhe Lindore. Ndërsa gjuhët e njeriut të sotëm mendohet të jenë zhvilluar para 50.000-150.000 vjetësh.

Gjuha është një krijim njerëzor që mbështetet edhe në kulturë edhe në biologji, sepse ajo është përfundim i përzgjedhjes natyrore që ndikoi mbi ndërtimin (anatominë) dhe punën e sistemeve të brendshme (fiziologjinë) të trupit të njeriut. Pra, ndërsa vetë gjuha është një krijim kulturor, ajo në të njëjtën kohë kërkon themele të sakta trup-ndërtuese dhe nervore. Prandaj edhe njerëzit ndryshojnë prej kafshëve pikërisht prej kulturës së tyre të pasur dhe të regjistruar. Kultura, ose e thënë ndryshe aftësia për të mësuar nga përvoja e të tjerëve, është një ndodhi e veçantë e natyrës njerëzore që përcaktohet nga shkalla e njohurisë. Prandaj tejçimi i kulturës kalon nëpër dy hapa të nevojshëm: së pari gjuha duhet të bëhet e njohur që mëpastaj të pranohet. Në këtë mënyrë Romakët ndërtuan të parën kulturë politikisht të bashkuar, ndonëse ajo më vonë u shkel nga pushtuesit barbarë që vinin nga Lindja.

Familja Indo-Europiane e gjuhës është më e studiuara, ndonëse përpjekjet për të caktuar vendndodhjen fillestare të saj kanë çuar në përfundime mjaft të ndryshme. Shkencëtarët arrijnë në përfundimin se përhapja e gjuhëve Indo-Europiane përputhet me fillimin e përhapjes së bujqësisë 9.500 – 10.000 vjet më parë. Duke u nisur nga metoda dhe në kohë të ndryshme, shkencëtarët arritën në të njëjtën pemë të të 63 gjuhëve Indo-Europiane.

Ndërkaq shqipja, duke bërë pjesë në familjen e madhe të gjuhëve indo-europiane, është njëkohësisht dhe degë më vete në pemën gjenetike të këtyre gjuhëve, madje shkencëtarë të linguistikës e vendosin pranë rrënjës dhe të tjerë edhe në rrënjë.

Në mënyrë të qartë gjuha Shqipe është e thellë dhe e vjetër, e më të vjetrave, në mos e para dhe i përket kohës parake të fillimit të përhapjes së bujqësisë. (ar-bërës = ar-banas = arbëresh është emri i vërtetë i atyre bujqëve që diskutohen nga shkencëtarët joshqiptarë. Pra cila do të ketë qenë gjuha që kanë folur ato bujq të stërlashtë?)

Gjuha shqipe konsiderohet si ndër 5-6 gjuhët më të rëndësishme në Europë dhe në 11 gjuhët më të rëndësishme në botë.

Pra, ajo është dhe një pasuri për kulturën universale në përgjithësi, që duhet ruajtur dhe mbrojtur dhe zhvilluar dhe kujdesin më të madh duhet ta kenë patjetër pronarët e saj, shqiptarët, jo thjesht shkencëtarët dhe akademikët dhe mësuesit, por çdo shqiptar, edhe ti…

Hapet në Gjirokastër Konsullata e Nderit e Italisë

Mario Monti, kryeministri i ardhshëm i Italisë