Eliminohet parametri i shtetësisë për përcaktimin e tarifave të sigurimit të makinës
Romë 10 mars 2011 – Në nëntor të vitit të kaluar kompania e sigurimeve Genialloyd ishte hedhur në gjyq për diskriminim sepse një automobilisti jo komunitar i kishte kërkuar një shumë më të madhe për sigurimin e automjetit.
Më 8 mars mbërriti vendimi i shumëpritur për tunizianin 47 vjeçar, prej 16 vjetësh me banim në Itali me lejeqëndrim të rregullt, i cili e kishte tarifën e sigurimit gjashtëmujor të makinës të rritur me 170 euro pikërisht për shkak të shtetësisë.
Kompania Genialloyd vendosi ta zgjidhë këtë mosmarrëveshje në rrugë jashtëgjyqësore me tunizianin, por eliminoi edhe parametrin e shtetësisë në llogaritjen e tarifave të saj.
Ky rast bëri bujë pikërisht për mënyrën se si ishte aplikuar çmimi më i lartë. Fillimisht klientit tunizian i ishte dhënë një preventiv, por pas kontrollit të shtetësisë së tij, preventivi i sigurimit të makinës ishte shtrenjtuar.
Fillimisht kompania u mbrojt nga akuzat e racizmit duke deklaruar se sigurimi i makinës ishte më i shtrenjtë për tunizianin sepse në bazë të një sërë të dhënash statistikore dëshmojnë se në vendet jo komunitarë numri i aksidenteve është më i lartë se mesatarja italiane dhe europiane. Sipas mbrojtjes së Genialloyd, këto të dhëna e justifikonin kompaninë në aplikimin e një shifre më të martë për sigurimin, duke specifikuar se bëhej fjalë për të “nevojë diferencimi dhe jo për diskriminim”.
Pas zgjidhjes së rastit gjykatësi nuk do të ketë nevojë të shprehet mbi këtë mosmarrëveshje, por rruga që mund të ndjekin jo komunitarë të tjerë që ndodhen në të njëjtat kushte, është ajo e një gjyqi kolektiv për të kërkuar uljen e çmimit për sigurimin e automjeteve të tyre pikërisht duke u mbështetur në këtë rast.
Marco Iorio