in

Ditëlindja e ikjes

BBC në shqip të hënën më 28 shkurt 2011 ndërpreu transmetimet e saj për dëgjuesit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjetkë, 18 vjet pas rifillimit të transmetimeve radiofonike. Programi dyorësh i 28 shkurtit u solli dëgjuesve një retrospektivë të ngjarjeve nga rajoni e bota që u dhanë vulë rreth dy dekadave të kaluara

Përshkoj qendrën e Tiranës me vrap deri në shkallët e pallatit, në zonën e Bllokut, ku ndodhet zyra dhe studiot e BBC në Tiranë. Kjo e hënë që mbyll shkurtin është dita e fundit e transmetimit të gjuhën shqipe. Ndal këmbët përpara shkallëve, marr frymë thellë sikur më duhet të përballem me një funeral.

“Po dëgjoni BBC në shqip”, përsërit spikeri nga Londra ndërsa mua më vjen të shtoj:”Për herë të fundit”. Në dukje asgjë nuk ka ndryshuar, por në buzëqeshjen e përqafimin e Valbonës, vezullon një lot. Unë mundohem të fsheh të mitë. Aleksandër Furrxhi dhe Fatos Ahmati shkojnë e vijnë si në një ditë normale pune. Por në zë kanë këto çaste të fundit të ekzistencës së radios në shqip. Ata kanë punuar këtu që kur BBC u kthye për shqiptarët më 28 shkurt të vitit 1993, pasi kishte heshtur që nga viti 1967.

Në kohët e para slogani i BBC në shqip ishte “Ne thyejmë akullin informativ” e më pas “Të besueshëm dhe krijues”.  Nesër, kur këta mikrofona të kenë heshtur, në mediat për shqiptarët nuk do të mungojnë krijuesit. Do të mungojnë, dhe shumë, të besueshmit.

Aleksandri futet në studio për përshëndetjen e fundit. Me qetësinë e tij karakteristike fillon me frazën: “Çdo fillim e ka një fund”. E ndërsa ai vazhdon të përshëndesë në mënyrë të veçantë dëgjuesit e familjen, në këtë fund mua më kujtohet fillimi.

“Habemus papam”, një thirrje që sikur mbërriti në sheshin San Pietro nga thellësia e mijëvjeçarëve,  pasditen e 19 prillit të 2005. Ishte ajo motivi i kronikës sime të parë mes turmës së besimtarëve që thërrisnin emrin e papës së ri, Racinger. Më pas këshillat e para, bisedat dhe regjistrimet në agim teksa përgatitej emisioni i orës shtatë. Jashtë ishte ende errësirë ndërsa Gëzimi, Sokoli, Albana, Iliri, Diana, Arbeni, Arbëri, Nazimi, Fatosi, Roberti e shumë të tjerë kompozonin me durim në studiot e ndryshme mozaikun e programeve të ditës.

Tani, në këtë mesditë të vakët dimri më duket sikur jemi një familje, me anëtarë të shpërndarë në Athinë, Shkup, Prishtinë, Romë, Londër a Bruksel që po bëhen gati të përcjellin për herë të fundit fëmijën e vetëm, pikërisht ditën kur arriti në moshën madhore. Në vend që të fikte 18 qirinj, po ikën për të mos u kthyer më.

E s’dimë t’i dorëzohemi mërzisë  apo të shtrëngohemi fort me njëri-tjetrin, me iluzionin se do të mbushim disi boshllëkun e krijuar.

Secili përshëndeti në mënyrën e tij, me emocionin që krijon shkëputja, këtë herë pa kthim. Rigoroziteti i zakonshëm këtë herë shoqërohet me një emocion që luhat zërat, i plasarit ndërsa udhëtojnë në valët e radios.

Nuk do doja të isha në vend të Seladin Xhezairit, spikerit të radhës nga Londra i cili fiku mikrofonat, duke përshëndetur për herë të fundit dëgjuesit “Shëndet dhe mbarësi kudo që jeni e kudo nga na keni dëgjuar. Ky është emisioni i fundit i BBC në shqip, ju kujtoj, data është 28 shkurt 2011”.

Në një rrugicë në qendër të Tiranës, mijëra zëra kanë mbetur të mbërthyer në sfungjerët izolues të studiove, mbartës të pavetëdijshëm të kujtimeve. Në një rrugicë në qendër të Tiranës, tani që ora shkoi dymbëdhjetë, u shua një dritë. ON AIR e shkruar me të kuqe, u fik. Përgjithmonë.

Irida Cami

Sigurimi i makinave. Genialloyd heq shtesën për jo komunitarët

Shqiptari lëndohet rëndë në vendin e punës