Pas rastit të Genialloyd ka ende nga shoqëri sigurimesh që mbajnë çmime më të lartë për të huajt. Avokati Guariso: “E paligjshme, ky është diskriminim”
Romë, 5 maj 2011 –Pak kohë më parë Genialloyd premtoi se “do të heqë parametrin e kombësisë mes kritereve të përdorura për përcaktimin e vlerës së sigurimit të makinës”. U mbyll kështu një marrëveshje jashtë-gjyqësore me një qytetar tunizian që kishte paditur shoqërinë e sigurimeve.
Edhe pse jeton prej 18 vjetësh në Itali, imigranti paguante dyqind euro më shumë se italianët. Praktikisht, vetëm pse kishte lindur jashtë Italisë shoqëria e sigurimeve e konsideronte më të rrezikshëm në ngarjen e makinës.
Ndoshta duke iu trembur dënimit për diskriminim, dhe dëmit ekonomik e të imazhit që mund të kishte nga sentenca, Genialloyd i doli të keqes përpara, duke e mbyllur çështjen e duke premtuar që do të heqë parametrin e kombësisë. Po sa shoqëri të tjera kanë vendosur të ndjekin Genialloyd?
Maroken? Sigurimi i makinës 2.400 euro
Bëmë një hulumtim duke u hequr si të huaj 30-vjeçarë që sigurojnë makinën e tyre për herë të parë e duke kërkuar një preventiv on-line nga 12 shoqëri të ndryshme që ofrojnë sigurimin e makinave (Genertel, Quixa, Directline , Linear, Dialogo, Sara, Zurich, Antonveneta, Ina assicurazioni, Hdia, Axa, Allianz Subalpina). Zbuluam që tri nga këto, Quixa, Zurich Connect e Hdi, përdorin akoma kriterin e shtetësisë për të përcaktuar tarifat. Natyrisht më të larta kur shtetësia nuk është italiane.
Ndonjë shembull? Për të njëjtat kushte, përjashtuar shtetësinë, me Quixa mund të paguhen 1.300 euro nëse je italian dhe 2.400 euro nëse je maroken. Me Zurich Connect italianët paguajnë diçka më pak se 1.300 euro ndërsa imigrantët e marrë në konsideratë nga hulumtimi (rumunë, marokenë, ukrainas dhe shqiptarë) paguajnë 1.523 euro. Së fundi, me Hdi italianët paguajnë 1.200 euro, shqiptarët 1.600, ndërsa marokenët, ukrainasit dhe rumunët 1.724.
U kërkuam këtyre tri shoqërive të na tregojnë pse veprijnë në këtë mënyrë. Zyra e shtypit te Quixa-s nuk është përgjigjur deri më sot. Hdi shpjegoi që shpejt do të heqë dorë nga tarifat “etnike”: “Nga 1 korriku nuk do të marrim më në konsideratë kriterin e shtetësisë, me ardhjen në fuqi të tarifave të reja. Mosmarrja parasysh e kriterit të shtetësisë do të sjellë shpërndarjen ndër të gjithë të siguruarit të efekteve të aksidentshmërisë më të lartë (të dokumentueshme) të disa kombësive, jo të gjitha, të ndryshme nga ajo italiane”.
Lajm i mirë ky për të huajt që gjatë këtyre vjetëve kanë paguar disa qindra euro më shumë se të siguruarit italianë. Lajm jo i mirë për italianët, të cilëve shoqëria, që nuk dëshiron të heqë dorë nga të ardhurat e deritanishme, do t’u rrisë sigurimin.
Shoqëritë e sigurimeve: “Nga shtetësia varet edhe rreziku”.
Zurich Connect nuk heq dorë nga tarifat e diferencuar. “Shtetësia, sipas statistikave të provuara, përfaqëson një nga faktorët që paracakton rrezikshmërinë, dhe ndaj merret parasysh në përcaktimin e sigurimit që paguhet, bashkë me kritere të tjera si mosha, profesioni, tipi i makinës, provinca etj; në fakt këtij elementi i korrespondon një tipologji sjelljeje në ngarjen e makinës, e për pasojë, një tipologji rreziku”.
Një linjë kjo e mbrojtur edhe nga shoqata kombëtare e shoqësive të sigurimeve (Ania), që ka marrë pjesë edhe në një tryezë teknike mbi këtë temë me Zyrën kombëtare kundër diskriminimeve raciale (UNAR) dhe Institutin e Vigjilencës së sektorit të sigurimeve.
Ania shkruan që “parametri i kombësisë, pasi verifikohet vlefshmëria e tij mbi baza statistikore dhe dhe nëse zgjidhet prej shoqërive të përdoret, vepron njësoj si të gjithë faktorët e tjerë që ndryshojnë rrezikun dhe që aplikohen pa asnjë motiv diskriminues referuar personit në vetvete dhe aq më pak etnisë apo racës të cilës ai i përket”.
Shoqata sjell si shembull “dallimin mes të siguruarve italianë rezidentë në zona të ndryshme të gadishullit” që “rrjedh thelbësisht nga rrezikshmëria e ndryshme e shprehur nga frekuenca e aksidenteve dhe nga kostoja e tyre mesatare e dëmshpërblimit dhe jo nga një qëndrim diskriminues i shoqërive”.
Avokati: “Ligji ndalon diskriminimin”
Është vërtet kështu? Shoqëritë e sigurimeve mund të bëjnë dallime mes italianëve dhe imigrantëve duke u mbështetur në statistikat mbi aksidentet? Avokati Alberto Guariso, që ndoqi çështjen Genialloyd, është i bindur që jo.
“Të vazhdohet me dallimet mes italianëve dhe të huajve është e pakuptueshme dhe e paligjshme. Neni 43 i tekstit unik për imigracionin flet qartë dhe parashikon që në ofrimin e të mirave dhe të shërbimeve nuk duhet të bëhen dallime mes italianëve dhe të huajve. Në sistemin tonë juridik nuk janë të pranueshme dallimet e çdo lloji, siç është pagesa e sigurimeve më të larta, e kushtëzuar kjo nga faktorë të ndaluar me ligj” thotë avokati.
“Nëse zbulohet që qerosët bëjnë më shumë aksidente – ironizon Guariso – është e mundur që t’i detyrosh të paguajnë më shumë, sepse ky nuk është një faktor i ndaluar. Por nëse zbulohet që të huajt bëjnë më shumë aksidente, gjë që për më tepër nuk u demonstrua as në kauzën me Genialloyd, nuk është e mundur t’i detyrosh të paguajnë më shumë, sepse kombësia është pikërisht një kriter që ligji të ndalon ta përdorësh për të diferencuar shërbimet”.
Me sa duket, kush nuk do të paguajë sigurimin e makinës më shumë se italianët ka vetëm dy zgjidhje. T’i drejtohet gjykatësit ose të zgjedhë një shoqëri që nuk bën dallime.
Marco Iorio