in

Sipërmarrjet e emigrantëve. CNA: “Kriza i ka frenuar, por në 5 vjetët e fundit rritja ka qenë mbresëlënëse”

Sipërmarrjet individuale të të huajve në Itali janë mëse 230 mijë, rreth 40% më shumë se pesë vjet më parë, por 6,7% më pak se në fund të vitit 2011. Çdo dhjetë sipërmarrës të huaj, një është shqiptar

Romë, 5 qershor 2013 – Kriza prek në mënyrë të pashmangshme edhe sipërmarrësit e huaj, që gjithsesi vitet e fundit kanë treguar se kanë ditur të kapërcejnë vështirësitë. Më 31 dhjetor 2012 ndërmarrjet individuale me titullarë të huaj janë pakësuar me 6,7% (ose në vlera absolute, me 16.708)krahasuar me një vit më parë, por sidoqoftë kjo rënie nuk anulon rritjen që vitet e fundit ka qenë “mbresëlënëse”.

Këtë ka nxjerrë në dritë raporti vjetor mbi sipërmarrjen e huaj në Itali, i përpiluar nga Qendra e Studimeve e CNA-së i paraqitur në romë më 4 qershor në prani të ministrit të Integrimit Cecile Kyenge, zëvendësministrit të Punës, Maria Cecilia Guerra dhe të sekretarit të përgjithshëm të CNA-së (Confederazione Nazionale dell’Artigianato) Sergio Silvestrini. “Vendi ynë ka nevojë të hapet, të ndikohet, e jemi të mendimit që sipërmarrja është një faktor shumë i rëndësishëm përfshirjeje dhe integrimi shoqëror” u shpreh Silvestrini.

Sipas raportit, në fund të vitit 2012 emigrantët sipërmarrës në Itali, në vlera absolute janë 232.668, ose 65.519 më shumë se në fund të vitit 2007 (+39,2%). Sipërmarrësit janë kryesisht meshkuj (gra vetëm 18,9%); pjesa dërrmuese e tyre (87,1%) jetojnë në Italinë e Veriut dhe të Mesme, madje vetëm në Lombardi janë përqendruar rreth një e katërta e të gjithëve (22,9%).

Vijnë kryesisht nga Maroku (16,4%), Rumania (15,4%) dhe Kina (14,7%). Shqiptarët renditen të katërtit, përbëjnë 10,3% të titullarëve të huaj të sipërmarrjeve individuale.

Sektorët e parapëlqyer nga sipërmarrësit e ardhur në Itali janë ndërtimi dhe tregtia, që janë edhe ata më të goditurit nga kriza: shënohet rënie në numrin e ndërmarrjeve individuale të drejtuara nga të huaj prej 8,8% në tregti (ose 7.829 ndërmarrje më pak në një vit) dhe prej 4,2% në ndërtim (-3.766).

“Është e rëndësishme të njihen të dhënat mbi ndërmarrjet e administruara nga të huajt është për të programuar politika rimëkëmbjeje dhe zhvillimi – tha ministri Kyenge – Duhet mbajtur parasysh edhe kontributi që këta punonjës mund të japin për ringritjen ekonomike italiane”.

“Rënia e numrit të sipërmarrjeve të të huajve regjistrohet vetëm për ndërmarrjet individuale, po të shohim të dhënat të Unioncamere për totalin e ndërmarrjeve të emigrantëve (jo vetëm individualet por edhe ato me kapital) situata është krejt ndryshe: nga 2007 deri më sot, prania e ndërmarrjeve të emigrantëve është në rritje e konsolidim” vuri në dukje zëvendësministri i Punës Maria Cecilia Guerra, sipas së cilës këto ndërmarrje duhen mbështetur. “Besoj se vështirësitë që të gjitha ndërmarrjet po përjetojnë sot duhen përballuar me instrumente të njëjta, por përsa u përket sipërmarrjeve të emigrantëve ka dy aspekte mbi të cilat duhet ndërhyrë: nga njëra anë duhet të vazhdojnë të punojnë shoqatat e kategorisë si CNA që në këtë drejtim shquhet, pasi të huajt kanë veçanërisht nevojë të njihen me normat burokratike të një vendi si Italia, nga ana tjetër duhet bërë më shumë që sipërmarrësit e huaj të kenë mundësi të marrin më lehtë se aktualisht kredi, Në mënyrë paradoksale, vlerësimi për dhënien apo jo të kredisë një sipërmarrësi të huaj, nuk mbështetet në kritere që kanë të bëjnë me vlerësimin e sipërmarrjes por në besueshmërinë e komunitetit nga sipërmarrësi vjen”.

“Sipërmarrësit emigrantë kanë një vizion mbi të ardhmen e një optimizëm që i bën mirë vendit tonë e mund ta çojë përpara – ka shtuar Silvestrini – Këta persona kanë zgjedhur Italinë, kanë sjellë këtu familjet, bijtë e tyre. E në fund të fundit, ngritja këtu e ndërmarrjeve të tyre është një akt besimi ndaj vendit që i ka bujtur”.

 

Elhaida. Histori e një fitoreje të paralajmëruar

Centri di Espulsione. Il New York Times: “Crudeli e inefficaci”