in

Skandali Arcobaleno. Të gjithë të pafajshëm për shkak të tejzgjatjes së procesit

Misioni Arcobaleno në Shqipëri u shqua për shpërdorime e vjedhje. Por 12 vjet pas ngjarjeve, thuajse të gjitha veprat penale janë parashkruar. Prokuroria dorëzohet e kërkon shtyrjen e mëtejshme të seancës së radhës në mënyrë që të kërkojë drejtpërdrejt shfajësimin e 17 të pandehurve për parashkrim të krimeve

Bari, 9 nëntor 2011 – Po shkojnë drejt parashkrimit thuajse të gjitha veprat penale të procesit – ende në fazën fillestare – të ngritur mbi hetimet e nisura 12 vjet të shkuara nga Prokura e Barit mbi administrimin e Misionit Arcobaleno, operacioni humanitar, i shumëpërfolur për shpërdorime e vjedhje, i qeverisë D’Alema në Shqipëri për mbështetjen e kosovarëve gjatë ndërhyrjeve të NATO-s kundër Serbisë.

Në seancën gjatë të cilës gjykatësit duhet të vendosnin mbi çështjet paraprake, Prokuroria, në mirëkuptim me legalët e të pandehurve, ka kërkuar sërish shtyrjen për të arritur në një deklaratë pre-debat për parashkrimin e të gjitha veprave penale. Praktikisht, meqë deri më sot nuk u arrit të shkohet në proces e meqë veprat penale një nga një po shkojnë në parashkrim, i fundit parashkruhet më 28 prill 2012, – që do të thotë se fajtorët e mundshëm nuk do të mund të dënohen më pasi ka kaluar shumë kohë nga ngjarjet – Prokuroria është e mendimit që të shtyjë edhe më procesin, në mënyrë që të mos e nisë fare, për të mos harxhuar kohë e para, kur e ka të qartë se në fund të tij, nuk do të mund të kërkojë dënim për asnjë nga të pandehurit.

Deri më 28 prill 2012, është e pamundur të ndërtohet procesi që ka 17 të pandehur dhe mbi 100 dëshmitarë. Kolegji ka pranuar kërkesën e palëve dhe ka shtyrë seancën për në 17 maj 2012, kur të gjitha veprat penale do të jenë tashmë të parashkruara.

Procesi ka filluar në Bari më 10 shkurt 2011. Gjykohen 17 persona mes të cilëve edhe ish nënsekretari i presidencës së Këshillit të ministrave Franco Barberi, që asokohe ishte kreu i Mbrojtjes Civile. Barberi akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale bashkë me sekretarin e tij Roberto Giarola, me kreun e misionit, Massimo Simonelli, me shefin e kampit të refugjatëve në Vlorë, Luciano Tenaglia, vullnetarin e Mbrojtjes civile, Alessandro Mobono dhe me Emanuele Riminin, Luca Provolon, dhe Antonio Verricon. Ndaj tyre janë ngritur si palë civile presidenca e Këshillit të ministrave dhe ministria e Brendshme, që nuk do të rimbursohen kurrë.

Hetimet mbi misionin humanitar Arcobaleno sollën, më 20 janar 2000, arrestimin (për tre muaj) të katër personave Simonelli, Mobono, Tenaglia dhe të punonjëses së Mbrojtjes Civile Silvia Lucatelli, të gjithë të çuar përpara gjykatës e të gjithë do të dalin të pafajshëm për parashkrim të veprave penale. Hetimet kanë ndërruar disa herë prokuror, gjyqi që parashikohej të niste më 5 shkurt 2009 është shtyrë shtatë herë deri më sot e trupi gjykues është ndërruar katër herë. Mes çështjeve paraprake të ngritura nga avokatët e të pandehurve, sot të pezulluara, edhe ajo mbi mos-kompetencën territoriale të gjykimit që po të pranohej do të kishte kthyer pas të gjithë procesin për ta transferuar në Romë.

 

Aspettando il centenario dell’Indipendenza tra gli albanesi di Parma

Gjykata kushtetuese i hap rrugën prishjes së Piramidës e ndërtimit të Parlamentit të ri