in

Social Card eksperimentale. Lajmi “Paraqiten kërkesat e reja” nuk është i vërtetë

Nuk i është hapur rruga paraqitjes së kërkesave për ndihmën prej 400 eurosh drejtuar familjeve më të varfëra për vitin 2014. Ministria e Punës: “Qarkullojnë lajme të rreme, kemi ndalur me kërkesat e vitit të shkuar”

Romë, 10 korrik 2014 – Imigrantëve në vështirësi ekonomike iu desh të presin prillin për të kërkuar Kartën Sociale të zakonshme, kartë e mbushur nga shteti me 80 euro çdo dy muaj që mund të shpenzohen për të blerë ushqime, për të paguar barnat dhe faturat e dritave e të gazit.

Krejt tjetër gjë është Karta Sociale eksperimentale, e lindur në vitin 2013, përfituesit e të cilës, u vendos që në fillim, nuk janëvetëm italianët, por edhe të huajt dhe të gjithë jokomunitarët që kanë kartën e qëndrimit apo lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë. E lëshuar vetëm në 12 komuna të mëdha italiane (Bari, Bologna, Catania, Firenze, Genova, Milano, Napoli, Palermo, Roma, Torino, Venezia e Verona) është një ndihmë për familjet në nevojë që mund të arrijë deri në 400 euro.

Komunat botuan listën e kritereve mbi të cilat duhej kërkuar karta me shumë vonesë, më pas për muaj me radhë u morën me kontrollet e madje në ndonjë rast akoma nuk janë shpallur renditjet përfundimtare të familjeve në nevojë që e përfitojnë atë. Ndërkaq duket se ka marrë dhenë lajmi se mund të paraqiten kërkesat e reja për vitin 2014. Nuk është e vërtetë, siç shpjegon një komunikatë e 9 korrikut e ministrisë së Punës.

“Disa mjete informimi – shpjegojnë nga ministria – po japin lajmin, të përhapur më pas nga shoqata të angazhuara në luftën kundër varfërisë, që në 12 qytetet në të cilat ka nisur eksperimentimi i kartës së re sociale është e mundur të paraqitet sërish kërkesa në periudhën korrik-gusht 2014. Ministria e Punës dhe e Politikave sociale përgënjeshtron në mënyrë kategorike këtë lajm”.

Në ato 12 qytete, vazhdon komunikata, “eksperimentimi u nis në vitin 2013 dhe është akoma në rrugë e sipër. Dokumentet që qarkullojnë kanë të bëjnë me kohën dhe mënyrën e paraqitjes së kërkesës që i përket vitit 2013. Tani për tani nuk parashikohet shpallja e kritereve të reja për përzgjedhjen e përfituesve të rinj. Akoma po studiohen mundësitë me të cilat ligji parashikon shtrirjen e eksperimentimit në qytete të tjera; për këto, sapo të jenë përcaktuar në mënyrë përfundimtare, do t’u jepen komunikimet e nevojshme qytetarëve të interesuar”.

Elvio Pasca

Finale del Mondiale, derby all’ombra del Cupolone

Humbja e privatësisë