Cila ishte gjendja e Shqipërisë në vitin 1939 përsa u përket transporteve? E thonë specialistët e FIAT-it që në qershor të atij viti, menjëherë pas pushtimit vizituan vendin e ofruan një përshkrim të përmbledhur mbi rrugët, numrin e mjeteve të transportit publik e privat, taksat rrugore e mbi automjetet, çmimet e makinave dhe të karburantit.
I sjell këto Armando Boçe në një shkrim për gazetën Dita:
Me vendosjen e autoriteteve italiane në Shqipëri pas pushtimit fashist, në datat 2, 3, 4 dhe 5 qershor 1939 vendi u vizitua nga një grup specialistësh të firmës së prodhimit të automjeteve FIAT, të cilët do të bënin një gjurmim të gjendjes së përgjithshme të infrastrukturës rrugore të vendit, çmimi i karburanteve, ofiçinat e riparimit, markat e makinave në përdorim, çmimi i tyre, pra çdo gjë që kishte të bënte me industrinë e makinave. Ky grup vizitoi qytetet e Tiranës, Durrësit, Beratit, Vlorës dhe rrethin e Devollit.
Specialistët bënë edhe një përshkrim të shkurtër mbi aparaturat dhe nivelin e teknologjisë në vend. Në Shqipëri llogaritej që të kishte rreth 1000 përdorues privatë të telefonave. Numri i biçikletave të përdorura ishte gjithashtu 1000 në të gjithë vendin. Radiot e përdorura ishin të markave amerikane dhe llogaritej që të kishte nga 500 deri në 600 aparate. Ndërsa në të gjithë vendin kishte vetëm dy kasa fiskale.
Shqipëria kishte një sistem rrugor të krijuar me minimumin e ndërhyrjeve nga njeriu, kryesisht rrugë gjarpëruese të hapura me funksion ushtarak. Rrugët jashtë qyteteve ishin në gjendje jo të mirë dhe shumë herë me gropa; mund të thuhet se nuk ishin të përshtatshme për automjetet. Rrugët kryesore brenda në qendrat e banuara kishin një gjerësi nga 5 deri 7 metra. Gjendja e rënduar i bënte me pluhur në kohë të thatë dhe me baltë kur binte shi. Në këtë kohë ashtu siç dhe ky grup vuri re, sapo kishte nisur një program për ndërtimin e pothuajse të gjithë rrjetit rrugor në vend. Masa e parë ishte hedhja në çdo rrugë e çakullit. Por edhe me këtë masë automjetet (sugjeronte ky grup) duhet të përforcoheshin për të përballuar vështirësitë.
Shqipëria në këtë kohë kishte një trafik automobilistik modest. Për të futur një makinë në Shqipëri taksa ishte e pandryshuar qoftë për përdorim personal, qoftë për biznes, po ashtu edhe për fuqinë motorike. Një makinë zhdoganohej me 50 franga shqiptare. Ndërsa taksa e qarkullimit ishte 5 franga në muaj dhe dyfish për makinat me 7 vende. Kamionët me benzinë ishin të përjashtuar nga taksa e qarkullimit, ndërsa ata me naftë taksoheshin 1 frangë për çdo kuaj fuqi. Kjo favorizonte shumë kamionët e prodhimit amerikan, duke lënë mënjanë kamionët që punonin me naftë dhe ishin shumë herë më efektivë në raport me fuqinë motorike.
Benzina kushtonte 2 lekë litri dhe nafta 0.25 franga, ndërsa vaji lubrifikant kushtonte një bidon 5 kg për 6.50 franga. Konsumi vjetor i karburantit ishte për benzinën 3.5 milionë franga dhe për naftën 2.2 milionë. Pikat e shitjes së karburanteve nuk ishin shumë të përhapur, në gjithë vendin ekzistonin 22 të qëndrueshëm dhe 120 të lëvizshëm. Në raport me vende si Italia çmimi i karburantit ishte më i lirë.
Në Shqipëri deri në vitin 1938 kishte 404 makina për përdorim personal, 124 autobusë dhe 442 kamionë. Vetëm në vitin 1938 kishin hyrë në vend 205 automjete, nga të cilat 64 vetura dhe 141 makina pune. Asnjë prodhues automjetesh nuk kishte konçensionar të vetin në vend. Tregtia e automjeteve u ishte besuar sipërmarrësve privatë të cilët nuk garantonin asnjë riparim të sigurt dhe të besueshëm nga firma prodhuese. Ofiçinat mungonin totalisht dhe në të gjithë vendin ishte vetëm një vend me një “urë” ku mund të ngrije makinën. Pjesët e këmbimit ishin shumë të pakta për të mos thënë që nuk ekzistonin fare.
Llojet e makinave në vend ishin Shevrolet veturë De Luxe Master që kushtonte 4.800 franga, Kraisler veturë Royal Six që kushtonte 5.007 fr.; Ford veturë De Lux V.8 që kushtonte 4.700 fr., NASH veturë që kushtonte 5.200 fr., dhe Fiat 1.100 me çmimin më të lirë 3.200 fr. Ndërsa markat e kamionëve ishin katër, me Fordin V.8 që kushtonte 4.750 franga, Shevrolet 1.5 ton që kushtonte 4.700 franga, REO “14” që kushtonte 5.900 fr. dhe Doxh Seria TH më e shtrenjta me 6.200 franga. Këto çmime i kishte përcaktuar vetë tregu, makinat plotësonin krejtësisht kërkesat e tregut shqiptar. Shitja bëhej gjithmonë me këste nga 1 deri në 2 vjet.
(Për të dhënë një shembull të vlerës së parasë, çmimi i Shevroletit De Luxe Master, që kushtonte 4.800 franga shqiptare ose 30 mijë lireta italiane të kohës, me vlerën e sotme do të ishte rreth 26 mijë euro; në vitin 1939, një mijë lireta kishin vlerën e sotme të 870 eurove).
Shërbimi publik ishte i padisiplinuar, nuk kishte orare të sakta, tarifa dhe vendqëndrime. Nuk kishte asnjë shoqëri transporti, çdo linjë drejtohej nga persona privatë. Autobusët ishit në pjesën më të madhe të prodhimit amerikan dhe mund të arrinin nga 12 deri 30 vende. Udhëtimi ishte shumë i parehatshëm por të paktën nga kryeqyteti kishte udhëtime çdo ditë për çdo qendër të madhe të banuar. Shërbimi taksi nuk ekzistonte fare.
Lexo shkrimin të plotë në Gazetën Dita:
E RRALLË: Ç’panë ekspertët e FIAT-it në Shqipërinë e vitit 1939