in

Studentët e kërkimtarët e huaj, së shpejti rregulla të reja për të gjithë BE-në

Procedura të thjeshtuara, liri qarkullimi, mundësi punësimi edhe për familjarët… Europarlamenti miraton një direktivë të cilën Italia është e detyruar të pranojë në të ardhmen

Romë, 12 maj 2016 – Evropa do që të tërheqë “trurin”. Për studentët dhe kërkimtarët e huaj do të jetë më e thjeshtë e më me leverdi të vijnë në BE, të shkojnë nga njëri vend në tjetrin për të punuar, së bashku me familjet e tyre. Do të qartësohen e përmirësohen gjithashtu edhe kushtet për praktikantët, vullnetarët, nxënësit dhe të rinjtë “au pair” (italisht “alla pari” e është fjala për të rinj që futen në gjirin e një familjeje me të gjitha të drejtat e detyrimet e pjesëtarëve të tjerë) jokomunitarë.

Janë këto premisat e një direktive të miratuar dje nga Parlamenti Evropian e që edhe Italia duhet të pranojë brenda dy vjetëve nga hyrja në fuqi. Teksti unifikon dy direktiva ekzistuese (për studentët e kërkimtarët) dhe, siç shpjegon një komunikatë e Strasburgut, garanton që

– studentët e kërkimtarët të mund të banojnë në BE për të paktën 9 muaj pasi kanë mbaruar studimet apo kërkimet për të kërkuar punë ose për të hapur një aktivitet të tyrin. Në këtë mënyrë, edhe Evropa mund të përfitojë prej kompetencave të tyre profesionale;

– studentët e kërkimtarët të mund të lëvizin më me lehtësi në brendësi të BE-së gjatë qëndrimit të tyre. Në të ardhmen, nuk do të jetë më e nevojshme të paraqisin kërkesë për vizë në çastin e transferimit, por do t’u mjaftojnë të lajmërojnë zyrtarisht Shtetin në të cilin po shkojnë, për shembull për një shkëmbim kulturor për gjashtë muaj. Kërkimtarët do të mund të zhvendosen gjithashtu për periudha më të gjata se ato që u lejohen tani;

– kërkimtarët të kenë të drejtën që të sjellin familjarët e tyre, dhe këta të fundit të kenë mundësinë të punojnë gjatë qëndrimit të tyre në BE;

– studentëve t’u njihet e drejta e punësimit për të paktën 15 orë në javë.

Direktiva e re parashikon edhe kushte hyrjeje të njësuara dhe mbrojtje më efikase për praktikantët e vullnetarët që veprojnë në kuadrin e vullnetarizmit evropian. Dispozita fakoltative parashikohen për të tjerë vullnetarë, nxënës dhe të rinj “au pair” jokomunitarë, që për herë të parë do të kenë një ligj evropian.

“Jam shumë e kënaqur për njohjen, nga anë e BE-së, e vlerës që ka tërheqja e personave me kualifikim të lartë për t’u lejuar atyre të vijnë e për t’i nxitur të qëndrojnë këtu, me krijimin e një sistemi evropian të harmonizuar të zbatueshëm në të gjitha vendet anëtare”, nënvizoi raportuesja e direktivës Cecilia Wikström (ALDE, SE). “Pa dyshim universitetet evropiane do të jenë të afta të forcojnë kompetivitetin në skenën globale dhe të bëhen më tërheqëse se kurrë për persona me ambicie e me kualifikim të lartë që vijnë nga vende të tjera, falë përmirësimit domethënës të kushteve”.

Lexo në Italisht: Risoluzione legislativa del Parlamento europeo dell’11 maggio 2016 relativa alla posizione del Consiglio in prima lettura in vista dell’adozione della direttiva del Parlamento europeo e del Consiglio relativa alle condizioni di ingresso e soggiorno dei cittadini di paesi terzi per motivi di ricerca, studio, tirocinio, volontariato, programmi di scambio di alunni o progetti educativi, e collocamento alla pari (rifusione) (14958/2/2015 – C8-0131/2016 – 2013/0081(COD)) (Procedura legislativa ordinaria: seconda lettura)

Stranieriinitalia.it/Shqiptariiitalise.com
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Lidhjet civile. Italia ka më në fund ligjin që u njeh të drejtat edhe çifteve gay

Bonusi i kulturës. Senati vendos: 500 € edhe për bijtë e imigrantëve