Ekspedita e këtij viti nuk parashikon gërmime por sistemimin e dokumentacionit të grumbulluar nga arkeologët shqiptarë dhe studentët e universiteteve italiane që kanë punuar aty ndër vite
Tiranë, 7 shtator 2011 – Në amfitetrin e lashtë të Durrësit ka nisur të martën ekspedita e përvitshme italo-shqiptare, që për tre javë do të dokumentojë dhe do të sistemojë studimet e deritanishme për monumentin më të madh të antikitetit të zbuluar në vendin tonë.
Aktualisht, në amfiteatër bashkë me specialistët shqiptarë, po punojnë 10 specialistë dhe studentë italianë, ndërsa priten grupet e rilevimeve fotogrametrike dhe arkeometrike, si dhe ekspertët që do të analizojnë të dhënat arkeozoologjike.
Profesoresha, Sara Santoro, bashkëdrejtore e këtij projekti ka thënë për ATSH-në se, “gjatë 10 viteve të gërmimeve në pjesën jugore të monumentit, janë nxjerrë në dritë disa faza interesante të pas-antikitetit, si dhe disa struktura të tjera të amfiteatrit”.
“Këtë vit nuk do të gërmojmë, por do të perfeksionojmë dokumentacionin e pasur të grumbulluar nga arkeologët shqiptarë të Institutit, si edhe ata të Universiteteve të Parmës fillimisht dhe tani nga universiteti i Chietit. Sipas profesoreshës Santoro, qëllimi kryesor mbetet publikimi shkencor i rezultateve që ka nisur me vëllimet “Dyrrachium 1 dhe 2”.
Në bashkëpunim me bashkëdrejtorin Afrim Hoti, në pjesën jugore të amfiteatrit do të nisë edhe ndërhyrja e restaurimit të mureve, si dhe studimi i materialeve metalike dhe të qeramikës.
Misioni 3-javor vjen pas marrëveshjes dypalëshe të universiteteve, instituteve dhe ministrive të punëve të jashtme dhe të kulturës së të dy vendeve.