in

“Në gjunjë përpara migrantëve”. Olmi rrëfen mikpritjen

Në Venecia regjisori i filmit “Villaggio di cartone”, historia e një kishe që kthehet në vendstrehim për klandestinët. “Katolikët të kujtohen që janë të krishterë, nuk mund të gjunjëzohen përpara kryqit dhe të mos jenë solidarë me ata që vuajnë”

Romë, 7 shtator 2011 – “Nuk duhet të gjunjëzohesh përpara kryqit që është vetëm një shëmbëlltyre kartoni, por përpara atyre që vuajnë si imigrantët”. Është leksioni i mjeshtrit Ermanno Olmi, që të martën, më 6 shtator ka paraqitur në Venecia, jo në konkurrim, filmin e tij “Il villaggio di cartone” (“Vendi prej kartoni”).

Filmi tregon historinë e një prifti të moshuar dhe të kishës së tij të braktisur, nga e cila hiqet çdo gjë, deri edhe kryqi. Por ajo ndërtesë tashmë e boshatisur që mbushet me migrantë në kërkim të një vendstrehimi, duke rilindur në një jetë të re, do t’i japë një kuptim të ri misionit të priftit dhe do të kthehet në një metaforë efikase e mikpritjes.

“Sa më shumë kisha dhe ne çlirohemi nga xhinglat, aq më mirë është. Përndryshe jemi maska, njerëz prej kartoni” tha Olmi në konferencën e shtypit, pas shfaqjes së filmit që u shoqërua nga duartrokitje të gjata. “Dua t’u sugjeroj katolikëve, dhe unë jam një ndër ta, të kujtohen gjithnjë e më shpesh që janë edhe të krishterë. Tempulli i vërtetë është komuniteti njerëzor” shtoi regjisori.

Një gazetari që e pyeti  nëse në këtë mënyrë katolicizmi reduktohet vetëm në mikpritje, Olmi iu përgjigj: “A mund të jeni aq i sjellshëm sa të më thoni çfarë është më e rëndësishme se mikpritja? Çfarë? Shenjtëria e simboleve? Simboli duhet të të çojë në një realitet të vërtetë për të pasur vlerë. Nuk është e mundur që të gjunjëzohemi përpara një Krishti prej kartoni e pastaj të mos jemi solidarë me ata që vuajnë. Është tepër e thjeshtë kështu”.

Në kishën  e Vendit prej kartoni bashkëjetojnë e mira dhe e keqja, siç tregon prania mes migrantëve e një terroristi, që do të bindë një të ri të mbathë brezin me eksploziv. “Filmi im nuk është realist – shpjegoi regjisori – dhe çdo prani është simbolike. Djali, i sugjestionuar nga fjalët e terroristit, vendos të pranojë aktin e dhunshëm si një detyrim për të mos dialoguar me tjetrin. Njësoj si sakrestani që denoncon klandestinët sepse ka frikë të hapë derën e shtëpisë pa pyetur: kush je? Nga vjen? Vetëm duke u përballur dhe duke dialoguar me të tjerët mund të kuptojmë kush jemi”.

http://www.youtube.com/watch?v=B5V6ggWK_6g

 

Futboll. Shqipëria humbet edhe me Luksemburgun

Studime italo-shqiptare në amfiteatrin e lashtë të Durrësit