Sipas një komunikate për shtyp të ambasadës së Suedisë në Tiranë, që nga viti 2010 më shumë se 600 qytetarë shqiptarë kanë kërkuar azil në Suedi. Ambasada: “Informacionet që qarkullojnë me mundësinë e njohjes së azilit në Suedi janë të pavërteta”
Tiranë, 9 maj 2012 – Suedia është “shumë e shqetësuar” për shkak se “gjatë dy javëve të fundit numri i azil kërkuesve shqiptarë në Suedi është rritur ndjeshëm”. Kështu është shprehur Ambasada e Suedisë në Tiranë në një komunikate për shtyp.
“Çdo informacion sipas të cilit Suedia po u ofron azil personave që aplikojnë për shkak të kushteve të sigurisë” apo për shkak “kushteve të vështira shoqërore e ekonomike që mbizotërojnë në disa zona të Shqipërisë” nuk është i vërtetë pasi këto kushte “nuk janë të mjaftueshme për të fituar azil në Suedi”. “Rrjedhimisht, arsyet financiare nuk mund të jenë të mjaftueshme për të fituar azil në Suedi”, thuhet në komunikatën e Ambasadës. Gjithashtu sqarohet se “nuk ka asnjë ndihmë financiare për ata që kthehen”. Përveç kësaj, “çdokush që po planifikon të udhëtojë në Suedi për të kërkuar azil duhet të jetë i vetëdijshëm për rrezikun e lartë që ka për të mos iu lejuar më hyrja. Ndalimi i ri-hyrjes regjistrohet në Sistemin e Informimit Schengen (SIS) që do të thotë se personi do të humbasë të drejtën e hyrjes në çdo vend të zonës Schengen për disa vjet. Ata që tashmë ndodhen në Suedi dhe kanë bërë kërkesë për azil kanë mundësinë të tërheqin kërkesën dhe të kthehen në shtëpi vullnetarisht për të minimizuar rrezikun e bllokimit të ri-hyrjes”, shkruajnë autoritetet suedeze ne Shqipëri.
Komunikata sqaron se Suedia ka mbështetur liberalizimin e vizave por shqiptarët duhet të mos abuzojnë me këtë të drejtë. “Që prej vitit 2010 më shumë se 600 qytetarë shqiptarë kanë kërkuar azil në Suedi. Situata është serioze Kërkesat e pamotivuara për azil janë një formë abuzimi i të drejtës ndërkombëtare për mbrojtje”, pohon Ambasada.
Lexo edhe:
Eksod masiv nga shkodra drejt Suedisë, 300 bileta avioni në tri ditë
Azilkërkuesit vënë në rrezik liberalizimin e vizave
Kërkesat për strehim të shqiptarëve alarmojnë Belgjikën
Rritja e numrit të kërkuesve të azilit, rrezikon liberalizimin e vizave Malmström letër edhe Shqipërisë