in

Sulmi në Afganistan. Dhimbje për Feti Voglin e shpresë për Aleksandër Peçin

Është gjallë 24-vjeçari Aleksandër Peçi, një nga dy komandot shqiptarë të qëlluar në Afganistan, për të cilët fillimisht ministria e Mbrojtjes deklaroi se kishin vdekur.

Feti Vogli dhe Aleksandër Peçi
Tiranë, 21 shkurt 2012 – Në të vërtetë në sulmin që kanë pasur forcat e EAGLE4, pjesë e të cilëve ishin Feti Vogli, komandant i grupit të parë special, dhe Aleksandër Peçi, specialist i armatimeve, ka humbur jetën vetëm kapiteni Vogli ndërsa Peçi është gjallë por në gjendje kome.

Sipas familjarëve të 24-vjeçarit, pas një komunikimi që ata kanë pasur me Ministrinë e Mbrojtjes, Peçi ka marrë tre plagë të rënda, por që nuk kanë prekur organet jetësore.  Ai iu nënshtrua të hënën një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin Ushtarak të Kandaharit, ndërkohë që autoritetet e NATO-s dhe ISAF morën masa për transportin. Autoritetet konfirmojnë gjithashtu se nëntetar Peçi ka shpresa të shumta për të jetuar.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit janë plagosur 3 ushtarakë, një ushtarak i një vendi aleat dhe dy ushtarakë të Kontingjentit “Eagle-4”. Komandanti i Grupit I Special, Kapiten Feti Bedri Vogli dhe N/Tetar Aleksandër Jak Peçi (specialist armatimi në këtë grup), kanë marrë plagë të rënda dhe Kapiten Feti Bedri Vogli ka ndërruar jetë në spitalin Rol 3 në Kandahar (por fillimisht lajmi i vdekjes ishte dhënë për të dy të plagosurit).

Feti Vogli, lindur më 23.05.1981, në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës, është  i martuar dhe nga martesa e tij me Alvën, ka një vajzë 2 vjeçe me emrin Egi. Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak karriere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje ndryshme. Ai ishte  dërguar me mison luftarak “EAGLE 4” në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit.

Lajmi i mirë që Aleksandri është gjallë që i gjeti familjarët me shtëpi të hapur për zi, i ngazëlloi ata pa masë dhe u jep shpresë të mund të kenë sa më shpejt mes tyre djalin e ri.

“Shpresojmë që Aleksandri të jetojë”, janë këto fjalët e Nikoll Peçit, xhaxhait të Aleksandër Peçit.

Në një deklarate në media xhaxhai rrëfen momentin e tronditjes së familjes, kur morën lajmin e hidhur. Sikurse u shpreh ai, fillimisht ata morën lajmin që Aleksandri ishte plagosur, më pas që kishte  vdekur dhe së fundmi se ai  ndodhej në gjendje kome ne spital.

“Morëm një lajm shumë të hidhur, pësuam një tronditje të pazakontë, kur na thanë se ka vdekur. Por,  dy orë më pas na informuan që ai nuk ka vdekur. Shpresojmë që të ketë kësmetin të jetojë”, tha familjari i komandos Aleksandër Peçi.   

Nëntetar Aleksandër Jak Peçi, ka lindur me 26.09.1988, në fshatin Lekbibaj të Tropojës dhe banues në Bathore, Tiranë. Pasi mbaroi shkollën e mesme në Bathore, është titulluar ushtarak aktiv me gradën profesionist i parë, në Repartin Ushtarak Nr. 1001. Pas kryerjes me sukses të Kursit Bazë të Forcave Speciale, më datën 16.01.2011, është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale, me detyrë specialist armatimi në Grupin e Parë Special të Kompanisë së Aksioneve Special Ujore në Batalionin e Forcave Speciale.  Nga data 16.01.2012, nëntetar Peçi është dërguar me mision luftarak “Eagle-4”, në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar, Afganistan.

 

Për lejet e qëndrimit dhe bashkimet familjare nevojiten akoma certifikata

Gli albanesi d’Italia 20 anni dopo