in

Taksa e lejeqëndrimit. TAR: “Shumë e shtrenjtë, të ndërhyjë Gjykata e Drejtësisë”

Cgil dhe Inca kërkojnë heqjen e “kontributit për lëshimin dhe përtëritjen e lejes së qëndrimit”. Edhe gjykatës administrative të Lazios i duket tepër i lartë. Gjykimi pezullohet në pritje të vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë

Romë, 21 maj 2014 – Nga 30 janari 2012, të jesh imigrant i rregullt në Itali është pa dyshim kushton më shtrenjtë për shkak të një “dhurate” të qeverisë së fundit të drejtuar nga Berlusconi, “kontributi për lëshimin dhe përtëritjen e lejes së qëndrimit”.

Qytetarët e huaj që jetojnë e punojnë në Itali, për të marrë apo përtërirë lejen e qëndrimit, dokument i domosdoshëm për të qëndruar në Itali, janë të detyruar të paguajnë nga 80 deri në 200 euro, sipas kohëzgjatjes dhe tipit të lejes. Shumë që u shtohet 27,50 eurove për lëshimin e lejeqëndrimit elektronik dhe 30 eurove që marrin Postat italiane për shërbimin, natyrisht edhe pullë-taksës prej 16 eurosh.

Kontributi për lëshimin e përtëritjen e lejes së qëndrimit shpejt edhe mund të reduktohet nga gjykatësit. Gjykatës Administrative Krahinore (TAR) të Lazios, në fakt, i duket i tepruar dhe në mospërputhje me normativën evropiane, aq sa bëhet e nevojshme ndërhyrja e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Çështjen e taksës së lejes së qëndrimit – të sjellë në fuqi me dekret nga Roberto Maroni e Giulio Tremonti,ministrat e atëhershëm, i pari i Brendshëm, i dyti i Ekonomisë – e çuan në gjykatë Cgil dhe Inca. Në padinë e tyre paraqitur TAR-it kanë kërkuar shfuqizimin e dekretit, që konsiderojnë të paligjshëm për një sërë motivesh: shkel parimet e barazisë dhe të arsyeshmërisë, të aftësisë kontributive, të paanësisë dhe të ecurisë së mirë të procedurave administrative.

Nën akuzë është edhe destinacioni i parave të mbledhura nga Shteti me këtë kontribut. 50% i shkojnë ministrisë së Brendshme për shpenzime të rendit publik dhe të sigurisë, për të financuar sportelet unike dhe për aktualizimin e marrëveshjes së integrimit. 50% shkojnë për financimin e “Fondit të Riatdhesimeve”, pra, praktikisht, imigrantët e rregullt paguajnë dëbimet e të parregulltve. Për Inca dhe Cgil, edhe ky përdorim i parave është i paarsyeshëm.

Në shqyrtimin e këtij rati, TAR-i i referohet normativës evropiane.

“Çdo Shtet anëtar – lexohet në urdhëresën e depozituar më 20 maj – është i lirë të lëshojë lejet e qëndrimit kundrejt një kontributi, shuma e të cilit nuk duhet të krijojë pengesë për arritjen e statusit të qëndruesit afatgjatë”. Për më tepër, “fuqia vetëvendosëse që ka një Shtet anëtar për përcaktimin e shumës nuk është e pakufizuar dhe nuk i jep të drejtën të vendosë për pagesë kontributesh të tepruara për fuqinë financiare të këtyre qytetarëve”.

Gjykatësit kujtojnë “që kostoja për lëshimin e kartës së identitetit është sot 10 euro” ndërsa “shuma më e ulët për lejen e qëndrimit është 80 euro”, pra taksa mbi lejet e qëndrimit rezulton “të paktën 8 herë më e lartë se kostoja e lëshimit të kartës së identitetit”. Një raport që për TAR-in “duket se është në konflikt me parimet evropiane e mbi të gjitha nuk është koherent me parimin e përpjestueshmërisë”.

Këtu e ka burimin edhe vendimi për të kërkuar mendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, që mes kompetencave të saj ka edhe zgjidhjen e pikave të dyshimta mbi interpretimin e mbi aplikimin e të drejtës evropiane. Në pritje të këtij mendimi, gjykimi i TAR-it mbetet pezull.

“Është një rezultat shumë i rëndësishëm – komenton Morena Piccinini, presidente e INCA-s – që u shtohet sentencave të tjera të favorshme mbi imigracionin, të ndërmarra nga ne. Konfirmon sa të drejta janë kundërshtimet tona, mbi bazën e të cilave kërkojmë ndërhyrjen e drejtësisë për rivendosjen e parimit të barazisë dhe të dinjitetit në politikat që u drejtohen të huajve që, pavarëssht krizës, duan të stabilizohen në vendin tonë”.

Elvio Pasca

 

 

“Vela për Kulturën”, 12 barka me vela e 6 shkrimtarë nga Gallipoli në Vlorë

Governo italiano offre borse di studi per studenti albanesi