in

Taksa mbi lejen e qëndrimit hiqet sërish, hidhet poshtë kërkesa e qeverisë

Këshilli i Shtetit konfirmon sentencën e TAR-it, hiqet sërish kontributi prej 80, 100 ose 200 €. Qeveria duhet të vërë tarifa më të drejta dhe të vendosë për rimbursimet

Romë, 27 tetor 2016 – Gjykatësit kanë thënë më në fund fjalën e fundit që tingëllon ëmbël për milionë të huaj në Itali: taksa mbi lejet e qëndrimit është shfuqizuar përsëri.

Kontributi prej 80, 100 ose 200 € për lëshimin e parë dhe përtëritjen ishte zhdukur majin e shkuar nga një sentencë e Gjykatës Administrative të Lazios që kishte pranuar ankimin e patronatit INCA dhe sindikatës CGIL. Por në shtator kryeministria, ministria e Brendshme dhe ajo e Ekonomisë i kërkoi hedhjen poshtë të vendimit të TAR-it Këshillit të Shtetit, që në pritje të vendimit solli në fuqi përkohësisht kontributin.

Dje mbërriti sentenca përfundimtare e Këshillit të Shtetit, që hodhi poshtë kërkesën e Qeverisë dhe konfirmoi vendimin e Gjykatës Administrative. Kontributi mbi lejen e qëndrimit është i paligjshëm, sepse është i tepruar dhe përbën pengesë për ushtrimin e të drejtave të imigrantëve për rrjedhojë bie ndesh me normativën evropiane, siç kishte vendosur mëse një vit më par Gjykata e drejtësisë e BE-së, të cilës TAR-i i kishte kërkuar opinionin.

Gjykatësit e Këshillit të Shtetit kanë konsideruar të pabaza të dyja kundërshtimet e përfshira në ankimin e qeverisë. INCA e CGIL, shpjegon sentenca, kishin të drejtë të ndërhynin në gjykatë në mbrojtje të interesave të punonjësve të huaj dhe TAR bëri mirë që hoqi jo vetëm kontributin prej 200 € mbi lejet e qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë, të ashtuquajturat kartat e qëndrimit, por edhe kontributin prej 80 dhe 100 € mbi lejet e tjera të qëndrimit.

Me tarifa kaq të larta, konfirmoi Këshilli i Shtetit, shkelet direktiva evropiane mbi qëndruesit afatgjatë (2003/109/CE). Jo vetëm sepse detyrohen të paguajnë shumë ata që kërkojnë kartën e qëndrimit por edhe sepse duke detyruar të paguajnë shumë për çdo përtëritje ata që kanë lejeëndrim të thjeshtë, vështirësohet rruga për të mbërritur një ditë te karta e qëndrimit.

Por nuk duhet të mendojmë që taksa mbi lejet e qëndrimi zhduket përgjithnjë. “Administratat kompetente – shkruajnë gjykatësit e Këshillit të Shtetit – do të ripërcaktojnë shumën e kontributit, sa ta gjykojnë ato të arsyeshme, por me kusht që shuma e re, e ekuilibruar dhe proporcionale, të mos përbëjë pengesë për ushtrimin e të drejtave të njohura nga direktiva 2003/109/CE”. Me pak fjalë, qeveria do të nxjerrë një dekret të ri me tarifa më të drejta.

E paratë e paguara deri më sot?
Qeveria duhet “të vendosë, sipas parimeve të diktuara nga e drejta kombëtare dhe evropiane (edhe me qëllim që të parandalojë të tjera procedura shkeljeje nga anë e Komisionit), në ç’rast, kur dhe në ç’mënyrë do t’u rimbursojë të interesuarve diferencat mes shumave të paguara me tepri dhe atyre që duheshin paguar”.

“U nisëm vetëm, Inca dhe Cgil, mes indiferencës dhe skepticizmit të përgjithshëm, nuk humbëm asnjëherë besimin e këmbëngulëm në të gjitha shkallët e gjykimit. Ky rezultat është fryt i kokëfortësisë sonë në pretendimin e të drejtave të punonjësve, migrantëve dhe familjeve të tyre” thotë menjëherë pas publikimit të vendimit Claudio Piccinini, përgjegjës për imigracionin i i patronantit Inca.

Po sa do të kushtojë tani leja e qëndrimit? Pavarësisht nga tipi dhe kohëzgjatja, 76.46 €. Kontributi për lëshimin dhe përtëritjen, në bazë të sentencës së djeshme, nuk paguhet më, por duhet vazhduar të paguhet 30,46 € për shtypjen e dokumentit elektronik, 30 € për shërbimin postar dhe 16 € për pullë-taksën.

Elvio Pasca

Lexo (në italisht) sentencën e Këshillit të Shtetit

Lexo edhe: Taksa mbi lejet e qëndrimit, Ministria e Brendshme Kuesturave: “Nuk paguhet më”

 

Shtetësia, këtë radhë është referendumi që ndal reformën

Cittadinanza. “Riforma ora, rimandare dopo il referendum significa affossarla”