in

Taksa mbi lejen e qëndrimit. Qeveria kërkon që imigrantët të paguajnë sërish

Paraqet ankim në Këshillin e Shtetit që të anulohet sentenca e Gjykatës administrative e ndërkaq të pezullohen pasojat e saj. “Shumë të ndjeshme pasojat negative për financat e shtetit”

Romë, 7 shtator 2016 – Qeveria nuk heq dorë. Dëshiron me çdo kusht të vjelë akoma taksën mbi lejet e qëndrimit, pa u kthyer asnjë qindarkë mbrapsht imigrantëve.

Avokatura e Shtetit për llogari të Kryeministrisë dhe ministrive të Brendshme e të Ekonomisë ka paraqitur të hënën ankim në Këshillin e Shtetit (organi gjyqësor ku apelohen vendimet e gjykatës administrative) kundër sentencës së TAR-it të Lazios që në fund të majit hoqi kontributin prej 80, 100 e 200 € mbi dokumentin e qëndrimit. Ankimit i bashkangjitet edhe kërkesa e pezullimit të përkohshëm të menjëhershëm të pasojave të sentencës, në pritje të vendimit përfundimtar, dhe për rrjedhojë të detyrohen menjherë imigrantët të paguajnë sërish shumat shtesë për lëshimin e përtëritjen e lejeve të tyre.

Sipas qeverisë, para së gjithash, Cgil dhe Inca (që fituan në gjykimin në shkallë të parë) nuk kishin të drejtë t’i drejtoheshin TAR-it për të anuluar atë kontribut, mund ta bënin vetëm qytetarë të huaj në mënyrë individuale. Për më tepër, TAR ka gabuar duke vendosur anulimin e kontributit mbi të gjitha lejet e qëndrimit, duhet të merrej vetëm me kontributin mba kartën e qëndrimit, sepse vetëm mbi këtë mund të aplikohet vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë që një vit më parë, qe e para që konsideroi kontributin “të tepruar” dhe pengesë për integrimin.

Në ankim, i vihet theksi “pasojave jashtëzakonisht të rënda në planin operativ e financiar që ka vendimi i TAR-it”. Mes këtyre, është e çuditshme që përmendet edhe nevoja e modifikimit të sistemit informatik të Kuesturave për pranimin e kërkesave pa kontribut, edhe pse në të vërtetë që në korrik ministria e Brendshme tha se ka modifikuar sistemin “Stranieri Web” në mënyrë që jo vetëm të pranojë kërkesat por edhe të lëshojë lejet e qëndrimit edhe pa derdhjen e kontributit.

Por mbi të gjitha, Avokatura insiston mbi shumat që Shteti do të humbasë me heqjen e kontributit e me dëmshpërblimet që u detyrohet imigrantëve, që deri më sot, sipas vlerësimeve të përafërta të ministrisë së Ekonomisë duhet të kenë paguar si kontribut mbi lejet e qëndrimit mbi 400 milionë euro (u janë kërkuar padrejtësisht,  thotë sentenca e TAR-it). Departamenti i Sigurisë Publike, për shembull, do të humbasë rreth 50 milionë euro në vit, të nevojshëm, shkruan Avokatura, “për të siguruar një luftë më efikase ndaj krimit, përveç kapërcimit të emergjencave të lidhura me dukurinë e imigracionit dhe kërcënimin e terrorizmit”.

Në ankim flitet për “efekte negative shumë të konsiderueshme në financat publike”. Parashikohet gjithashtu që pa taksën mbi lejet e qëndrimit “do të dëmtohet në mënyrë të pandreqshme kryerja e rregullt e funksioneve dhe detyrave që kanë të bëjnë me imigracionin”, që deri më sot sigurohej kryesisht me paratë e derdhura nga imigrantët.

Fjalën e ka Këshilli i Shtetit, që duhet të japë me urgjencë opinionin e tij mbi kërkesën për pezullimin e përkohshëm të menjëhershëm të pasojave të sentencës së TAR-it.

Por ndërkohë, deri sa Këshilli i Shtetit të vendosë, është mirë të mbahet parasysh që sentenca e TAR-it duhet gjejë zbatim të plotë, që do të thotë se taksa mbi lejet e qëndrimit nuk paguhet. Kush kërkon lëshimin apo përtëritjen e lejes së qëndrimit duhet të paguajë vetëm (e nuk janë pak) 30,46 € për shtypjen e dokumentit elektronik, 16 € si pullë taksë dhe 30 € për shërbimin e ofruar nga Poste Italiane. Gjithsej 76,46 €. Të paktën tani për tani, deri në një vendim të Këshillit të Shtetit.

Elvio Pasca

 

Inca: “Il governo si accanisce ancora contro gli immigrati regolari”

Britania e Madhe. Mur në Calais të Francës për të ndalur refugjatët e migrantët